-
VIDEO
Qeveria 'Rama 3', urojnë ndërkombëtarët, Yuri Kim: Gati të punojmë për të forcuar demokracinë! Soreca: Reformat për integrimin, të jenë pika kryesore në agjendë
Menjëherë pas marrjes së detyrës së qeverisë së re, kanë ardhur edhe urimet nga ndërkombëtarët. Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim uroi kryeministrin Edi Rama, ku tha se pret të bashkëpunojë me qeverinë për të forcuar demokracinë, drejtësinë dhe biznesin. Ambasadori i BE, Luigi Soreca vuri theksin te Integrimi, ku tha se shpreson që kjo çështje të jetë edhe fokusi në programin e qeverisë.
-
VIDEO
Rama merr vendimin për krijimin e Agjencisë për Mediat dhe Informimin: Do garantojë transparencë në lidhje për politikat e projektet
Krimi i një Agjencie për Mediat dhe Informimin është një ndër vendimet e para që u morën sot nga qeveria 'Rama 3'. Në fjalën e tij para ministrave, Rama tha se kjo Agjenci është një model i suksesshëm në disa vende, duke përmendur Italinë dhe Gjermaninë, ndërsa theksoi se do të garantojë transparencë në lidhje me politikat, projektet apo problematikat që kanë të bëjnë me aktet e Këshillit të ministrave e institucioneve përbërëse të këtij këshilli.
-
VIDEO
2 kampionet olimpike të Kosovës do të bëhen pjesë e ushtrisë, Rama: Njësi speciale e kampionëve në FA
Forcat e Armatosura të vendit do të kenë një Njësi Speciale të kampionëve. Këtë ka deklaruar Kryeministri Rama në mbledhjen e parë të Qeverisë teksa ka prezantuar vendimin për "Për punësimin në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes së sportistëve, që përfaqësuan denjësisht kombin shqiptar me rezultatet e tyre në Lojërat Olimpike 2020", pra të kampioneve olimpike Nora GJakova dhe D'Istrja Krasniqi.
Rama tha se të dyja kampionet kanë shprehur dëshirën për tu bërë pjesë e Ushtrisë shqiptare, ndaj edhe shprehu idenë e një Njësie Speciale.
“Vendimi për përfshirjen në strukturat e FA të dy fituesve të medaljeve të arta, shqiptaret nga Kosova Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova që kanë arritur diçka që është e jashtëzakonshme. Kanë shprehur dëshirën që t’i bashkohen Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Dhe me ministrin e Mbrojtje jemi duke punuar që në FA të krijohet një njësi speciale e kampionëve që meritojnë gjithë jetën të trajtohen me një status të veçanta. Të jenë aty shembulli rrezatues por edhe mentorët e të rinjve me uniformë,” deklaroi Rama.
Nw lojërat Olimpiko Tokio 2020, dy xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova morën dy medalje të arta në këto lojëra. Kjo ishte hera e dytë që Kosova mori pjesë në Lojërat Olimpike, ku në Rio më 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medalje të artë në kategorinë e saj.
Pjesë e lojërave olimpike “Tokio 2020” ishin edhe 9 sportistë shqiptarë, të cilët nuk mundën të merrnin asnjë medalje, ndërsa peshëngritësi Briken Calja arriti rezultatin më të lartë. Lojërat Olimpike Verore 2024 do të mbahen në Paris të Francës.
-
VIDEO
Rama: Fëmijët e mjekëve dhe infermierëve që kanë humbur jetën nga COVID do marrin rrogën e prindit deri në moshën 18 vjeç
Fëmijët e mjekëve e infermierëve që kanë humbur jetën nga COVID, do të marrin rrogën e prinit të tyre deri në moshën 18-vjeçare. Ky vendim u bë sot me dije nga kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhje së parë të qeverisë së re.
"Personat e mitur prindërit që i përket kategorisë mjek, infermier, që ka humbur jetën nga COVID do të trajtohet në mënyrë retroaktive dhe të gjithë këta që do kenë statusin e fëmijës nën përkujdesjen e Republikës do marrin rrogën e plotë të prindërit deri në moshën 18 vjeç", tha Rama.
-
VIDEO
Rama: S'ka më 'e lagu nuk e lagu' me opozitën, s'kemi kohë! Më shumë respekt Kuvendit
Asnjë përgjigje opozitës në debatet me formatin e vjetër. Ky ishte premtimi i Kryeministrit Rama në mbledhjen e para të Qeverisë.
"Ne nuk do t'i përgjigjemi me formatin e vjetër opozitës. Është një format që e ka derdhur me kohë kupën e durimit të publikut. Politika është e vetmja mundësi që njerëzit të bëjnë gjërat që të vetmuar si bëjnë dot. Kemi 4 vite kohë për të bërë gjëra që s'janë bërë kurrë më parë ndaj s'kemi kohë për të humbur me opozitën 'e lagu se lagu'", tha ai.
Rama tha se në marrëdhënien me Kuvendin duhet treguar më shume respekt.
"Qeveria buron nga Parlamenti dhe jo e kundërta. Prania juaj në komisionet parlamentare nuk duhet të vihet në diskutim, përveçse në raste ekstreme dhe duke u dakordësuar me kreun e grupit parlamentar. Vetëm për arsye pune nuk duhet të vihet në diskutim prania juaj në hapjet seancave të Kuvendit. Ky është minimumi etik në marrëdhëniet qeveri-parlament", vijoi ai.
Kryeministri Rama foli edhe një herë për domosdoshmërinë e mbështetjes së profesionistëve të rinj.
"Ta mbajmë derën hapur për çdo shqiptar të shkolluar dhe profesionist. Duhet të angazhoheni ju personalisht. Pandemia na ka mësuar gjëra të mëdha", tha Rama.
-
VIDEO
Marrja e detyrës së Qeverisë së re, dalin pamjet e betimit të Ramës dhe ministrave para Metës në Presidencë
Anëtarët e Këshillit të Ministrave u betuan sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta, sipas procedurës kushtetuese, duke marrë kështu detyrën. Presidenca ka publikuar pamjet e ceremonisë.
Me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave u betuan se: 'Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave'.
-
VIDEO
Rama: Së shpejti rubrikë informimi për çdo akuzë, ministrat që s'do thonë të vërtetën, do mbajnë përgjegjësi! PS s'do mbrojë askënd që do shkelë në dërrasë të kalbur
I prerë ka qenë Rama me ministrat e kabinetit të ri, ku tha se ai e as PS nuk do t'i dalin në mbrojtje askush që do të shkelë në "dërrasë të kalbur", duke nënkuptuar veprime që bien në kundërshtim me ligjim.
Ai u shpreh se së shpejti në faqen e re online të qeverisë do të ketë një rubrikë të dedikuar për informimin e publikut dhe se ata zyrtarë që nuk do të thonë të vërtetën do të mbajnë përgjegjësi morale, por edhe ligjore nëse do të jetë nevoja.
-
VIDEO
Rama: Nuk ka asnjë kuptim që ministrat të kundërshtojnë ligjet e Qeverisë! Ka vetëm një sektor dhe ai është Shqipëria
Për Kryeministrin Rama nuk ka asnjë kuptim që një anëtar i Qeverisë të kundërshtojë në dikutimet në Kuvend ligjet e miratuara më parë në Këshillin e Ministrave.
-
VIDEO
Rama: Dhuratat protokollare do inventarizohen! Populli shqiptar nuk i ka borxh kapadaillëkun shefave të lloj-llojshëm
Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, kryeministri Edi Rama tha se të gjitha dhuratat protokollare do të inventarizohen. Para ministrave ai u shpreh se dhuratat e delegacioneve apo të individëve, nëse kalojnë një vlerë të caktuar, ose do të shërbejnë për dekor në zyrat e ministrave, ose do të dorëzohen në muzeun e dhuratave protokollare. Sipas Ramës, populli shqiptar nuk i ka borxh kapadaillëkun shefave të lloj-llojshëm.
-
VIDEO
Rama: Qeveria ka Kod Etik, duhet aneks plotësues! S'ka udhëtime në 'biznes clas', plazh në bregdetet e botës apo darka në restorante në ditë pune
Kryeministri Rama në fillim të mbledhjes së parë të Qeverisë në këtë mandat të tretë e ka vënë theksin te domosdoshmëria e hartimit të një aneksi të Kodit Etik të Këshillit të Ministrave. Rama tha se Qeverias ka një kod etik që është mënyrë jetese e një ministri.
Rama paralajmëroi zero tolerancë dhe se kush përsërit shkelje do të duhet të hapë dorëheqjen.
"Nëse nuk respekton një prej këtyre pikave ministri përgjegjës duhet të kërkojë ndjesë, në rast përsëritje duhet të japë dorëheqjen. Kjo vlen edhe për mua, se kam pasur problem ta respektoj 8 vite nuk do ta kem që ta respektoj edhe 4 të tjera .
Asnjë anëtar i qeverisë nuk duhet të udhëtojë në biznes class, pushimet jashtë vendit, jo darka në restorante kur janë në punë në Tiranë. Do të përcaktohen shprehimisht të gjitha detajet për të gjitha këto çështje. Duhet përcaktuar se bashkëshortët dhe fëmijët e anëtarëve të kabinetit nuk mund të përdorin sallën vip të aeroportit përveçse kur janë me ministrat. E njëjta gjë vlen edhe për përdorimin e makinave zyrtare", tha Rama.
-
VIDEO
Betohen në Presidencë, Qeveria nis zyrtarisht mandatin e tretë! Rama dhe ministrat drejt Kryeministrisë në këmbë direkt në mbledhje, priten vendimet e para
Kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të ri janë betuar sot te Presidenti Meta, për të nisur punën për mandatin e tretë qeverisës. Menjëherë pas betimit, Rama nuk ka humbur kohë, duke zhvilluar në kryeministri mbledhjen e parë të qeverisë së re.
Edhe pse ishte parashikuar të mbërrinte bashkë me ministrat nga Kryeministria në këmbë drejt Presidencës duket se moti i keq ka prishur planet dhe Kryeministri mbërriti me makinë dhe u prit nga Drejtori i Kabinetit në Presidencë, Panaritit. E pranishme në ceremoni ishte edhe kryeparlamentarja, Lindita Nikolla.
-
VIDEO
Betimi te Meta, mbërrin Kryeministri Rama, pritet nga Drejtori i Kabinetit në Presidencë Panariti
Pak minuta para se të betohen para Presidentit të Republikës, Kryeministri Rama ka mbërritur në Presidencë.
Ai është parë teksa është pritur nga Drejtori i Kabinetit në Presidencë Edmond Panariti.