TIRANE-Incidente, tension, shtyrje të efektivëve, hedhje tymuesesh e flakadantësh, lëndime policësh e protestuesish dhe thirrje kundër Ramës e Fatmir Xhafës para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Kjo ka qenë panorama e protestës së opozitës ditën e sotme para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme, që zgjati për dy orë.

Protesta nisi në orën 11:00, Basha dhe Kryemadhi pas daljes nga selitë respektive u takuan në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ duke u drejtuar për te Kryeministria (Rama ndodhej në Berat). Kryetari i PD, Lulzim Basha ishte i vetmi që foli para protestuesve, ndërsa iu drejtua në një fjalim 30 minutësh, duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin dhe trafikun e drogës. Basha tha se ajo që po ndodh sot në Shqipëri nuk është përplasje mes qeverisë dhe maxhorancës, por mungesa e demokracisë dhe rënia e shtetit të së drejtës.

Ne jemi këtu për t’i treguar Europës, ne jemi këtu për t’i treguar Perëndimit se qeveria bizantine që sot sundon ndër ne nuk përfaqëson popullin, nuk përfaqëson aspiratën e shqiptarëve. Ne jemi mbledhur në këtë shesh për të qëndruar si europianë përballë qeverisë më antieuropiane që ka sot Europa. Përpjekja jonë nuk është përplasje mes opozitës dhe qeverisë, përpjekja jonë nuk është luftë për pushtet. Përpjekja jonë është përpjekja e popullit kundër sundimtarit shkatërrues.

Kryetari i PD, Lulzim Basha

Në fund të fjalës Basha bëri thirrje që protestuesit ta ndiqnin te sheshi ‘Skënderbej’. Por në momentin që turma nisi të largohej, disa simpatizantë të PD hodhën tymuese drejt Kryeministrisë dhe shtynë policët, por ndërhynë reperi ‘Stresi’ dhe kryetari i FRPD, Këlliçi për të shmangur përplasjen.

E ndërsa kryetari i PD u ‘zhduk’ për disa minuta, protestuesit iu drejtuan Ministrisë së Brendshme. Para godinës ku qëndronte Fatmir Xhafaj, njeriu që opozita e akuzon si të lidhur me krimin dhe që sipas tyre mbrojti vëllanë, situata u tensionua sërish. Protestuesit brohorisnin në thirrjet ‘Xhafaj ik, Xhafaj ik’, ‘Të largohet Rama’, ‘ E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

Më pas hodhën gurë dhe tymuese në drejtim të policisë dhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa gjendja në disa momente u agravua, pasi simpatizantët e opozitës shtynë policët dhe tentuan që të çajnë kordonin e policisë me një rrjetë hekuri. Nga incidenti mbetën 11 policë të lënduar, 3 protestues të opozitës dhe kryeredaktori i ‘RD’, Bledi Kasmi.

Me rrjetat në duar, protestuesit iu drejtuan kordonit të policisë para ministrisë për ta çarë, por nuk ia dolën, ndërsa pikërisht këtu mbeti i lënduar në kokë edhe kryeredaktori i ‘RD’,  i cili shtyu me rrjetën metalike policinë. Ndërsa një tjetër protestues pësoi luhatje tensioni për disa minuta, por iu dha ndihma e parë nga mbështetësit e PD.


VIDEO/Protesta/ Momenti i tensionit te situatës te Ministria e Brendshme

Pas incidenteve që zgjatën për rreth një orë, para Ministrisë së Brendshme u shfaq Lulzim Basha duke i bërë thirrje turmës që tashmë të tërhiqej. E ndërsa duartrokiti reagimin opozitar, ai i ftoi për në ‘shtëpinë e tyre’ selinë blu. Nga selia e PD, Basha tha se qytetarët i dhanë një mesazh të fortë Ramës. Sipas tij, revolta popullore për largimin e Fatmir Xhafajt nuk do ndalet.

Mesazhi i qartë dhe i prerë që populli i dha sot qeverisë së krimit dhe korrupsinit, Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Beteja e sotme është pjesë e përpjekjes dhe aksionit popullor që do të vazhdojë pareshtur deri në çlirimin e Shqipërisë nga qeveria më antieuropiane në Europë.

Lulzim Basha

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:59
Mbyllet protesta e opozitës, Basha: Qytetarët ia dhanë mesazhin Ramës, beteja s'do ndalet

Lulzim Basha mbyll protestën e opozitës pas rreth dy orë tubim në Bulevard, përpara Kryeministrisë dhe te Ministria e Brendshme. Nga selia e PD, Basha tha se qytetarët i dhanë një mesazh të fortë Ramës. Sipas tij, revolta popullore për largimin e Fatmir Xhafajt nuk do ndalet. Deklarata e Bashës erdhi pasi ai tërhoqi protestuesit nga Ministria e Brendshme, të cilët tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të futen brenda Ministrisë.

Mesazhi i qartë dhe i prerë që populli i dha sot qeverisë së krimit dhe korrupsinit, Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës. Beteja e sotme është pjesë e përpjekjes dhe aksionit popullor që do të vazhdojë pareshtur deri në çlirimin e Shqipërisë nga qeveria më antieuropiane në Europë.

Sot shqiptarët folën, sot foli edhe Europa, nuk ka bisedime për integrim me autokratët e lidhur me krimin, me pushtetart që kanë kapur drejtësinë për të mbrojtuir të afërmit e tyre nga drejtësia e vërtetë. 

Lulzim Basha, kryetar i PD

Për rreth 45 minuta militantët e PD sulmuan policinë te Ministria e Brendshme me flakadën, gurë e sende të ndryshme. U desh ndërhyrja e Bashës që ata të largoheshin. Ndërkohë, më herët incidente pati edhe te Kryeministria ku po ashtu u sulmuan policët dhe u hodhën flakadanë.

Ora 12:36
Protestuesit ngrejnë rrjetën metalike, Salianji: Është kordon, policia po na provokon

Protestuesit ngritën një gardh metalik dhe tentuan me të të shtyjnë kordonin e policisë, çka solli çaste tensioni përpara Ministrisë së Brendshme.

Deputeti Ervin Salianji tha se policia po provokon dhunë te protestuesit. Sipas tij, gardhi metalik u ngrit në funksion të kordonit të protestuesve. 

"Ne kemi kordon sigurie, të gjithë policët provokojnë dhunën në mënyrë të patolerueshme me popullin". 

Ervin Salianji, deputet i PD