Të gjithë avokatët do t’i rikthehen seancave gjyqësore ditën e hënë. Ishte një vendim i lëshuar nga Dhoma e Avokatisë që vendosi bojkot në shenjë proteste, të seancave gjyqësore, nga data 20 deri më datë 25 tetor pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami. Përjashtim nga vendimi bënin seancat për përcaktimin e masave të sigurisë.
Ulian Barjami u arrestua më datë 18 tetor pas një përplasje në sallën e gjyqit të Elbasanit me prokurorin Gjergji Ceka. Barjami u arrestua nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pas pretendimeve se avokati kërcënoi në gjykatë prokurorin pasi përdori frazën ‘do të merrem personalisht me ty’.
Avokati Barjami u lirua nga qelia mbrëmjen e 20 tetorit, ndërsa avokatët vijuan bojkotin, i cili preku të gjitha shkallët e gjyqësorit, përfshirë dhe Kushtetuesen.
Report Tv ka publikuar dhe audion e seancës gjyqësore për konfirmimin e masave të sigurisë për 14 personat e arrestuar më 13 tetor në një lokal në Elbasan, mes të cilëve edhe Maksim Suçi, që mbrohej nga avokati Barjami, seancë ku ndodhi dhe përplasja mes prokurorit dhe avokatit. Ky i fundit hodhi akuza për manipulim provash ndërsa iu drejtua prokurorit duke i thënë se do të merret personalisht me të dhe me oficerët e Policisë Gjyqësore dhe se do të bënte kallëzim pasi konstatonte elementë të veprës penale. Kjo deklaratë u mor si kërcënim nga prokurori.
Komente










