Boçi: Berisha, një frymëzues
i opozitës jo rival i Bashës

Boçi: Berisha, një frymëzues<br />i opozitës jo rival i Bashës
TIRANE- Në intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” anëtari i Këshillit Kombëtar të PD dhe deputet i kësaj partie, Luçiano Boçi thotë se ish-kreu i PD është një frymëzues i opozitës dhe aspak një rival i liderit të ri Basha. Ai nënvizon faktin se zgjedhjet në PD për vetë natyrën po ecin ngadalë, por analiza e humbjes do të bëhet.
 
Partia Demokratike është futur në fazën e zgjedhjeve brenda saj. Si e konsideroni këtë proces dhe përfshirjen në të me kontribute dhe të ish-deputetëve apo drejtueve të PD?
Është një proces që në fakt ka pasur ecurinë e tij të ngadaltë, në raport me kërkesat e bazës dhe të një pjese të madhe të opinionit. Për mendimin tim një gjë e tillë lëviz në kufijtë e domosdosshmërisë pasi edhe ajo që synohet të arrihet nëpërmjet këtyre zgjedhjeve kërkon kohën e vet reflektuese, kohën përpunuese të tezave e konfigurimeve dhe kohën për të ndërtuar një vizion të qartë shpresëdhënës dhe alternativ për të ardhmen politike të vendit. Jemi tashmë brenda një realiteti politik krejtësisht tjetër.

Kjo jo vetëm për faktin që kemi kaluar pas tetë vitesh qeverisje, në opozitë, por dhe për faktin se po përballemi me inkompetencën më të pashembullt dhe agresivitetin me të përçudnuar nga një mazhorancë e madhe, por në esencë krejtësisht fiktive. Formatimi i një PD sa moderne e bashkëkohore, po aq dhe trashëguese të vlerave të saj më të mira, duket së është një imperativ sa politik po aq dhe social.
 
PD vjen dhe pas humbjes më 23 qershor. Do të ketë analizë...?
Formatimi i një PD moderne nuk mund të arrihet pa një proces i cili duhet patjetër të karakterizohet nga një analize e imët dhe objektive e shkaqeve të humbjes së 23 qershorit, e mbajtjes me vetëdije ose jo të përgjegjësive të të gjitha niveleve të strukturave drejtuese, nëpërmjet një debati civil e shterues, ku të dëgjohet qartazi zëri i çdo anëtari të thjeshtë të PD.
Njëkohësisht, kjo kërkon një shkundje tërësore të tërësisë së strukturës ekzistente dhe hapjes së partisë për anëtarësime të reja, për të arritur hap pas hapi dhe në zgjedhjen e forumeve drejtuese sipas normave të përcaktuara statutore.

Përfshirja e njerëzve me kontribute dhe e ish deputetëve të PD është brenda një normaliteti organizativ, kur dihet që këto procese kanë nevojë për njerëz me përvojë politike të mjaftueshme. Përpos kësaj PD e ka të domosdoshme të ruajë kontuinitetin e brezave dhe të kontributeve të shumë njerëzve dhe kjo është një filozofi e mirëpritur e lidershipit të ri të PD në opinon që nuk i kundërvihet aspak tezës ose filozofisë tjetër, të ardhjes në drejtimin e PD të njerëzve të rinj. Kjo tezë në radhë të parë i referohet mentaliteteve e vizioneve të reja dhe nuk ka objektive kufirin moshor.
 
PD është vënë shpesh nën kritikat e sensibiliteteve brenda saj për hapje të mëtejshme ndaj prurjeve të reja. Mendoni se duhet hapur më tej...?
Një organizëm politik e siguron dinamikën e ekzistencës së vet gjithmonë duke qenë në bashkëpunim interaktiv intensiv me shoqërinë. Kjo nënkupton që kurba e prurjeve brenda saj gjithmonë duhet të jetë në nivel rritës, pasi ky është testi i parë i saj i pranueshmërisë dhe vlerësimit brenda shoqërisë dhe që krijon bazën dhe rrit shanset për një përkrahje të gjërë nga votuesit.

Sigurisht brenda kësaj kurbe ka dhe cikle të cilat ripërsëriten sipas situatave politike specifike, por që gjithmonë ndikojnë pozitivisht për jetën e një partie politike. PD mbetet një parti koherente në raport me këtë stinë prurjesh, pasi në ADN e saj ajo është e identifikuar jetësisht, me vetë rininë dhe kritikat në këtë drejtim, nëqoftëse ekzistojnë, janë krejtësisht pa vend. PD s’është thjesht shumësi individësh, por mbi të gjitha shumësi kontributesh dhe ardhjet e reja janë investime, pikë së pari, në skedën e kontributeve.
 
Berisha është shumë aktiv në PD, kuvend dhe në politikë, aq sa po akuzohet se PD është me dy kryetarë. Komenti juaj?
Berisha mbetet deputeti ekzemplar i zhvillimit dhe frymëzimit të luftës politike të domosdoshme në aulën e Kuvendit duke frymëzuar një opozitë të fortë, ballore, denoncuese dhe kurajoze. Dhe ky fakt nuk e zhbën dhe nuk synon ta zhbëjë vendimin e tij personal për tu larguar me vullnetin e tij, nga drejtimi i PD dhe njëkohësisht nuk ka si rezultante krijimin e rivalitetit me lidershipin e ri, të supozuar më së shumti nga dashakeqësit e PD.

Berisha dhe Basha jan pjesë esenciale e PD së sotme. I pari si krijuesi dhe mbrojtësi i saj historik dhe tjetri si vazhdimësia e suksesit të arritur dhe të pritshëm të saj. Dhe autoriteti i liderit të ri nuk mund të jetë si pasojë e zerimit të autoritetit të liderit të vjetër, sipas formulës jo të suksesshme socialiste. Ky autoritet vjen e vendoset progresivisht, siç dhe po ndodh me Bashën, nëpërmjet organizimit të një opozite të fortë e ballore dhe nëpërmjet një organizimi të një partie solide dhe vizionare ku konvergohen mirë, tradita dhe e reja, qëndrueshmëria dhe fleksibiliteti.
 
Mendoni se PD do jetë në gjendje të përballojë këtë mazhorancë të madhe në numra në sfidat elektorale, pasi njëra është në prag?
PD e ka treguar tashmë se është shumë në gjëndje për ta përballur një mazhorancë të tillë që siç e thashë dhe më lart, pavarësisht fryrjes numërore së jashtmi, mbetet në esencë fiktive dhe inflancioniste. Mbi të gjitha mbetet një mazhorancë e kapur nga krimi, e bërë njësh me krimin dhe që shuguron deputetë me rite mafioze. Thënë shkurt, një mazhorancë që megjithëse shumë e re së, duket se i ka dalë shumë shpejt fati në derë.
 
Kushtetuesja rrëzoi aktin normativ të PS për nëpunësin civil. Si e konsideroni këtë vendim e fatin e atyre punonjësve të larguar?
Ligjërisht e konsideroj si një vendim gjykate që duhet respektuar e zbatuar nga ata që e kanë për detyrë ta zbatojnë. Aplikimi i tij do të thoshte kthim pa kushte i atyre që janë larguar. Politikisht ishte një shuplakë e paralajmëruar ndaj arrogancës gjithnjë e në rritje të një qeverisje e cila ende dhe pas daljes së këtij vendimi e shpërfill atë, duke vazhduar të largojë masivisht njerëz pa motivacion nga puna.

Programet politike janë muzika e politikbërjes së kësaj qeverisje, e cila e paaftë të krijojë vende pune, dhunon shtetasit e vet në emër të disa shtetasve të tjerë, thjesht për arsye të bindjeve politike, duke mbjellë midis shqiptarëve një urrejtje të pakthim. Të lënë mes katër rrugëve këta njerëz nuk e dinë tanimë, nëse shteti ku ata jetojnë është i tyre, i të gjithëve, apo është shteti i një pushteti i cili në pamundësi për të marrë jetën, të merr punën, të merr të ardhmen, të vret ëndrrat dhe dëshirat. Ata sot janë pjesë e ushtrisë së pafundme të shpresëhumburve në këtë Shqipëri të gjeneratës, që nuk dihet se cila është.
 
Kushtetuesja ka në dorë dhe dy akte të tjera normative, atë të kompetencave të INUK dhe buxhetin e shtetit 2013...?
Dhe të tjera ende janë në rrëzim e sipër pasi verbëria politike, paaftësia institucionale, inkompetenca ligjore e kësaj qeverie ngjall gjithmonë konflikt social, kaos institucional dhe pasiguri vendimmarrëse. E zbuluar tashmë, para të gjithëve si qeveria më antikushtetuese e të gjitha kohrave, ajo noton në ujërat e një paligjshmërie absolute.
 
Mazhoranca ka lëshuar për reformën territoriale, duke lënë vende të barabarta në komision për opozitën, ndërsa asaj i ka dhënë dhe të drejtën e vetos. Pse kundërshtohet ende nga PD?
Marrja peng e konsensusit që Ps bëri e vazhdon të bëjë me aktin normativ për nënpunësin civil si dhe me sulmin ndaj institucioneve të pavarura si ILKDP dhe AMA nuk mund të tolerohet nga PD. Konsensusi nuk është plackë që PS mund tja ofrojë PD kur i duhet të realizojë, nën okelion e një reforme të mirëpranuar nga të gjithë administrative, interesa meskine dhe arriviste politike. Ne nuk jemi aspak kundër reformës territoriale, por kundër vijimsjelljes dhe mënyrës se si kërkon maxhoranca ta realizojë këtë reformë tepër sensibile që prek dukshëm jo thjesht territorin, por thelbësisht para së gjithash kodin zgjedhor.


Shkrimi u publikua sot (30.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?



×

Lajmi i fundit

Milano/ Shqiptari tenton të mbysë gruan, ia këput veshin me dhëmbë

Milano/ Shqiptari tenton të mbysë gruan, ia këput veshin me dhëmbë