Presidenti bullgar, Rumen Radev tha të premten se Bullgaria do të mbajë zgjedhje të parakohshme pasi partitë kryesore refuzuan një mandat për të formuar një qeveri pas dorëheqjes së administratës së mëparshme mes protestave të gjera.

Radev të premten i ofroi Aleancës për të Drejta dhe Liri shansin e fundit për të formuar një qeveri, por ajo e refuzoi kërkesën, e treta që e bën këtë këtë javë, duke përgatitur terrenin për zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, ka dhënë dorëheqje më 11 dhjetor pas javësh protesta kundër korrupsionit.

Mijëra persona kanë protestuar në Bullgari kundër planeve buxhetore të Qeverisë, duke e detyruar më pas ekzekutivin që të heqë dorë nga to. 

Pavarësisht se Qeveria tërhoqi vendimin për buxhetin, protestat në Sofje dhe dhjetëra qytete bullgare vazhduan, me qytetarët që kanë kundërshtuar korrupsionin dhe dështimin e qeverive të njëpasnjëshme të vendit për ta luftuar atë.

Në katër vjetët e fundit, Bullgaria ka mbajtur shtatë palë zgjedhje parlamentare – të fundit u mbajtën në tetor të vitit 2024 – teksa vendi përballet me ndarje të mëdha politike dhe shoqërore.