Çapajev Gjokutaj: Vdis të të çmoj

Çapajev Gjokutaj: Vdis të të çmoj

Foto ilustruese

Ikja e parakohshme e Gerti Bogdanit ishte me të vërtetë tronditëse: vetëm 44 vjet jetë, maturant e student me medalje ari, politikan që shquhej për qasje qytetare, larg mllefeve, verbërisë dhe mediokritetit të militantëve të zjarrtë që, fatkeqësisht, shpesh bëjnë karrierë e ngjiten në radhët e para të skalioneve politike. Pjesëmarrja e madhe në homazhet funerale dëshmoi se Gerti Bogdani la pas modelin e një njeriu me vlera të larta që çmohet e respektohet gjerë, përetej gardheve partiake.

Gjithsesi, vlerat e njeriut dhe politikanit, të nxjerra më në reliev nga vdekja e papritur dhe shumë e parakohshme, të shtyjnë t’i bashkohesh pyetjes që këto dy ditë është përsëritur shpesh në ekrane dhe në rrjete sociale: pse të gjitha krahët e politikës pritën vdekjen që të shpreheshin me vlerësime të tilla?

Nisur nga ato që tha politika për të ndjerin, shumëkush arsyeton: pse nuk u artikuluan në gjallje këto vlerësime, pse Gerti Bogdani nuk vazhdonte të ishte deputet, madje jo vetëm deputet, por edhe pjesëtar i organeve drejtues në parlament, në partinë e tij etj? I ndjeri iku i vlerësuar masivisht, por reagimi për vdekjen e tij rinxorri në pah pikëpyetje të mëdha për moralin dhe hipokrizinë në politikë e më gjerë.

2.

Rendja për të çmuar e vlerësuar njeriun sidomos pas vdekjes është dukuri e hasur jo vetëm në anët tona, por shumë më gjerë. Nekrologjitë dhe obituarët rrallë, fare rrallë flasin për vese dhe gabime të të ikurit, gjithnjë theksi vihet tek vlerat dhe virtytet.  Mesa duket, përballë vdekjes, ikjes, zhdukjes njeriu, qoftë edhe pavetëdijshëm, priret të nxjerrë në pah atë që mbetet, atë që vazhdon të gjallojë, vlerat që i shërbejnë jetës.

Ka studjues që e lidhin këtë qasje a zakon me trazimin emocional që sjell vdekja në publik. Shumica e njerëzve, kur ndeshen me raste vdekjesh, vetëdijshëm apo instiktivisht qoftë, ndjejnë edhe përkohshmërinë e tyre. Përballë vdekjes që herët a vonë do vijë edhe për ty, zbutesh e bëhesh tolerant, ndihesh pjesë e atij epitafit mbi një varr të humbur në një kryqëzim mes askundit: në botën e rrëmujës dhe të vajit, vëllezër faljani vëllait!

Kur ai që vdes është i ri, emocionet doemos janë më të forta, rrallëkush mbetet indiferent para vdekjeve të parakohshme. Veç keqardhjes humane, në raste të tilla njeriu priret të përjetojë një empati të fortë, dmth projekton veten a bijtë e bijat tek i ikuri.

Mund të zgjatesh në përsiatje të tilla, por në fund do të arrish të njëjtin konkluzion: vdekja i shtyn njerëzit të bëhen më tolerantë, por edhe më bujarë në vlerësime e fjalë të mira për atë që mbyll sytë përjetë. Gjasat janë që në anët tona kjo qasje ndaj vdekjes dhe të vdekurit të jetë më e dukshme e më teatrale.

3.

Kjo puna e teatrales të kujton traditën tonë folklorike, vajtimet e grave në dialog me njera-tjetrën në jug dhe sidomos gjamat e burrave në veri, zakone që vajtimi i Gilgameshit për Enkidun apo ai i Akilit për Patroklin dëshmojnë se kanë qenë përdorur në popuj dhe vende të ndryshme dhe që në trevat shqiptare, sidomos në zonat e thella malore, në veri e në jug, mbijetuan deri në vitet ‘60 të shekullit të kaluar. Me sa shihet teatri dhe retorika për vdekjen  hyjnë në traditat tona të afërta ndaj dhe ku ta dish që, në një mënyrë a tjetrën nuk vazhdojnë të ndikojnë edhe ligjërimet  mortore të sotme.

Prirja për të bërë teatër e për të artikuluar retorikë në vdekjet që shënjohen publikisht bëhet më e dukshme ndër ne edhe nëpërmjet mekanizmit të kontrastit. E kemi bërë thuajse zakon që njerëzit publikë t’i baltosim shumicën e kohës. Kur njeri apo tjetri prej tyre vdes vërshojnë vlerësimet dhe fjalët e mira, vlerësime që duken më të ndezura nga që kontrastojnë me përbaltjen e përditshme e të vazhdueshme. E bardha ngjan lëbyrëse në sfond të zi.

Prirja për retorikë të fryrë e mbivlerësuese ndaj personave publikë që vdesin bëhet më vepruese edhe nga prania e rrjeteve sociale. Në fakt ceremonitë funerale në jetën e përditshme janë shkurtuar e thjeshtëzuar shumë, por e kundërta ka ndodhur e po ndodh në rrjetet sociale. Si rregull postimet që marrin më shumë vemendje, shoqëruar me emoji pikëllimi e formula ngushëllimi janë njoftimet mortore.

Nisur nga ky lloj popullariteti po bëhen super të shpeshta hartimet për vdekje të llojllojshme, hartime që, gjynah mos paça shpesh të krijojnë përshypjen se nuk shkruhen aq për të shprehur dhimbje e vlerësim për të ikurin a të ikurën, po për të ngjallur admirim për atë që shkruan, për ta shtyrë lexuesin të thotë: sa bukur e paska shkruar.

Nuk është e rastit që politikanët janë në personat më aktivë që nxitojnë të shprehen në raste funeralesh e homazhesh publike. Madje rastis të vdesë ndonjë nga radhët e tyre ndodh çudia e çudive: të gjitha palët bien në konsesus, lavdërojnë në kor të ikurin.

Qëndrime të tilla ekstreme të sjellin në mënd atë cinikun që tha: të vdekurit janë shërbëtorë të të gjallëve.

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë