Gjykata, institucioni ku pritet të vendoset drejtësi, në Elbasan është kthyer në "pasarelë" sfilatash për TikTok. Kryetarja e gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani ka "harruar" krimin dhe shfaqet duke bërë ‘modelen’ në Tik Tok, duke e kthyer zyrën në një pasarelë.

Lidhur me publikimin e këtyre videove ka reaguar edhe zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, me në krye Artur Metanin. Përmes një njoftimi ILD thotë se për magjistraten do të bëhet hetim disiplinor. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta i interesuar në Inspektorin e Lartë të Drejtësisë lidhur me këtë skandal, mëson se sot kjo mbledhje u zhvillua posaçërisht për Kapedanin.

Vetë Kapedani, në një prononcim për Report Tv deklaron se videot janë sulm ndaj saj për ti prishur imazhin. Ndërsa thekson se nuk ndihet krenare për videot e publikuara ajo kërkon ndjesë ndaj çdokujt që është ndjerë keq. Në reagimin e saj gjyqtarja thekson se do të presë me qetësi verifikimin e kësaj situate

1622465672_1622445034enkeledakapedani.jpg

Ndonëse në ambientet e gjykatës duhet të punohet për të vënë pas hekurave kriminelët, gjyqtarja në video botuar ne Tik Tok dhe të zbuluar nga faqja ëeb Hashtag.al shihet të sfilojë në korridorin e gjykatës deri në zyrën e saj. Për këtë gjyqtare e cila duhet të drejtojë luftën ndaj krimit në këtë qytet, "mafia" si duket është një lojë filmash.

Kapedani u emërua kryetare e Gjykatës së Elbasanit në 30 shtator 2020, pas dorëheqjes së gjyqtarit Zihni Shahu. Në dhjetor 2019, ajo bëri bujë ne medie pasi ka liruar nga burgu Viktor Ymerin e bandës së Gaxhait.

Fakti që Elbasani prej shumë kohësh është cilësuar si qyteti i bandave dhe se ndodhet nën sundimin e krimit, nuk duket shqetësuese për krytaren e gjykatës. Para rreth një muaji  qyteti u trondit nga një përplasje me armë ku humbi jetën Pjerin Xhuvani e u plagosën katër persona të tjerë, një ngjarje e rëndë që ndodhi para zgjedhjeve të 25 prillit dhe në prani të dhjetëra efektivëve të policisë.

Më 11 maj  ndodhi ekzekutimi i rradhës. 41-vjeçari Everest (Ibrahim) Çaka u vra me armë me silenciator në makinë në sy të gruas së tij në lagjen "Skëndërbej" në Elbasan. Shkak i vrasjes dyshohet se është e shkuara tij, kjo pasi Çaka ka lidhje me persona me të shkuar kriminale që kanë mbetur të vrarë pak vite më parë. Më konkretisht, atij i është ekzekutuar vëllai në Barcelonë si edhe kushëriri Ardit (Arjan) Spahiu në Belgjikë. Ky i fundit është vëllai i kunatit të Erion Alibej, i arrestuar nga prokuroria e Elbasanit si person i dyshuar për urdhërimin e organizimit të dy vrasjeve. Erion Alibej, organizatori i dy vrasjeve që tronditën qytetin e Elbasanit, më 20 dhe 29 korrik, ka porositur vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij, Regis Runajt në Elbasan.  

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:33
Skandali i gjyqtares Enkeleda Kapedani, ILD dërgon ekip të posaçëm në Gjykatën e Elbasanit (VIDEO)

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka dërguar një ekip të posaçëm në Gjykatën e Elbsanit, pas skandalit të kryegjyqtares Enkeleda Kapedani, e cila i përdori ambientet e kësaj gjykate si ‘pasarelë’ për të bërë ‘modeling’. Ekipi i posaçëm i dërguar nga ILD pritet të bëjë një inspektim në ambientet e Gjykatës së Elbasanit.

Ora 13:51
Ekskluzive/ Bënte modeling në zyrën e Gjykatës, gjyqtarja Enkeleda Kapedani në 2003 në Miss Shqipëria! Del fotoja

1622461760_1622461704miskapedani.jpg

Lidhjen me pasarelat, Enkeleda Kapedani, sot kryegjyqtare e Elbasanit në hetim disiplinor për shkelje të etikës, e ka pasur që në moshën 18-veçare. Report Tv siguron një foto ekskluzive që gjyqtarja ka hedhur në Tik-Tok, profil të cilin e fshiu më pas, teksa rikujton kohën kur merrte pjesë në Miss Shqipëria të vitit 2003.

“Sa herë kam ndjekur nga ekrani konkursin e bukurisë kam luftuar me veten të shkoj apo të mos shkoj dhe unë vitin tjetër. Dhe ja ku jam tani në Mss Shqipëria për të shkelur pasarelat që ngrihen mbi kalanë e Lëkursit dhe për të hedhur një hap drejt të ardhmes sime”, shkruan Kapedani në kartolinën e konkurrimit në Miss Shqipëria.

Ora 12:39
Skandali i gjyqtares Enkeleda Kapedani, reagon ashpër Etilda Gjonaj: Të hetohet gjendja pasurore e saj

1622457605_WhatsAppImage20210531at12.38.03.jpeg

I ashpër ka qenë reagimi i ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në lidhje me skandalin e Kryetares në detyrë të Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani.

"Të pakomentueshme shfaqjet e gjyqtares së Elbasanit dhe për të ardhur keq që qysh prej dhjetorit 2019, i kam kërkuar me shkrim KLGJ-së verifikimin dhe marrje mase për të pas lirimit të një subjekti kriminal. Tani uroj që jo vetëm të merret masa e duhur, por edhe të hetohet në mënyrë të thelluar gjendja pasurore e kësaj gjyqtareje. Tipike për një pjesë të atyre që nuk kanë kaluar ende Vetingun dhe vijojnë të gërryejnë drejtësinë nga brenda! Reforma nuk do ndalet dhe kush e ka turpëruar drejtësinë do të përballet me të deri në fund", shkruan Gjonaj.

Ora 12:07
Drejtuesja e Gjykatës së Elbasanit kërkon ndjesë: S’jam krenare për videot e publikuara, sulm për të më prishur imazhin! Pres me qetësi verifikimin e situatës

1622455757_kapedani.png

Drejtuesja e Gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani ka reaguar për gazetarin e Report Tv Ronaldo Gjoshi pasi ILD ka nisur hetim ndaj saj lidhur me videot që kanë qarkulluar në rrjet ku ajo shihet duke sfiluar në zyrë. Kapedani thotë se videot janë sulm ndaj saj për ti prishur imazhin. Ndërsa thekson se nuk ndihet krenare për videot e publikuara ajo kërkon ndjesë ndaj çdokujt që është ndjerë keq. Ndërkaq ajo thotë se do të presë me qetësi verifikimin e kësaj situate.

“Si gjyqtare në radhë të parë dhe si nënkryetare e Gjykatës ndjehem keq nga publikimi i këtyre videove vetëm për të më dëmtuar imazhin. Unë si gjyqtare e kam të ndaluar të komentoj, por do pres me qetësi verifikimin e kësaj situate.

As si individ as si gjyqtare nuk jam krenare për vidiot e publikuara. Shpresoj që ky sulm mos të jetë ndaj meje sepse jam grua dhe nene. Ndërsa kërkoj ndjesë për cilindo që është ndjer keq nga ato video. Dua të theksoj me forcë se asnjë insinuatë apo përbaltje nuk do më influencojnë të jap drejtësi dhe të punoj ndershmërisht si deri më sot”, tha ajo.

Ora 10:20
'Sfilonte' në Gjykatën e Elbasanit nën këngën 'mafia, mafia', ç'thotë Kodi i Etikës për gjyqtaren! Respektimi mbikëqyret nga vetë kryegjyqtari

1622445034_enkeledakapedani.jpg

Nene të tëra të Kodit të Etikës së gjyqtarëve janë shkelur nga kryetarja e Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani me videot e publikuara në rrjetet sociale duke 'sfiluar' në zyrën e saj nën tingujt e këngës 'mafia, mafia'.

Pika 'Ç' i Kodit të Etikës tregon qartë të gjithë pikat e 'parimeve të sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje'.

Por ajo që është ironike është fakti respektimi i Kodit të Etikës mbikëqyret nga vetë kryetarja e gjykatës.

Ora 09:17
Videot në 'TikTok' të kryetares së Gjykatës së Elbasanit, ILD hetim disiplinor për Enkeleda Kapedanin

Videot me sjellje skandaloze, të publikuara së fundmi në rrjetet sociale të kryetares së gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, do të jenë objekt hetimi nga ana e zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani. Përmes një njoftimi ILD thotë se për magjistraten do të bëhet hetim disiplinor.  

"Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E. K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin", thuhet në njoftimin e ILD.