Fjala e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në aktivitetin “Drejtues për një ditë”

Dua vetëm të përshkruaj se çfarë ndodhi sot dhe besoj se secili prej jush e ka një narrativë të vendimmarrjes që ndodhi dhe mënyrës se si shkuan punët në institucionin ku kaloi ditën.
 
Orgesi ishte pjesë e debatit që ne kemi për vendimmarrjet e fundit që kanë të bëjnë me sheshin “Skënderbej”, ndaj pjesën më të madhe të ditës e kaloi me arkitektë dhe me njerëz që rrihnin mendime si duhet të jetë finalizimi i atij projekti. Sot kemi marrë disa vendime shumë të rëndësishme, te cilat me shumë gjasë do të na ndjekin gjatë gjithë jetës sonë e do u ngelen edhe brezave të tjerë për sheshin “Skënderbej”. Do të fillojmë në datën 5 prill me prezantimin e pare publik dhe më pas në 24 njësitë e Tiranës, për të paraqitur atë që besoj se do të jetë projekti më i rëndësishëm i administratës që unë drejtoj këto katër vite.
 
Kemi vendosur që disa përmirësime të sheshit të bëhen publike. Kemi një projekt që është akoma më i avancuar: Shkojmë nga një situatë ku sheshi kishte sipërfaqe të fortë, 85% të fortë dhe 15% gjelbërim, në një situatë ku jemi 50 me 50, pra kemi shtuar “ishujt” e gjelbërimit, duke qenë se sipërfaqja sipas arkitektëve është jashtëzakonisht e madhe dhe për ata që e njohin Tiranën e ditëve të verës, ku është shumë vapë dhe vuajmë për të pasur “ishuj” pushimi, kjo është shumë e rëndësishme.
 
Sot të dy u bëmë ekspertë të gjithë gurëve që do të përdorim në shesh, janë gurë nga 8 krahina shqiptare. Pjesa më e madhe e gurëve dhe pllakave për sheshin, në fakt vijnë nga Tropoja dhe besoj që edhe mënyra se si arkitektët kishin konceptuar praninë e materialeve nga e gjithë Shqipëria është në fakt edhe simbolika e vërtetë e atij sheshi.
 
U bëmë edhe biologë, pasi kuptuam se cilat ishin pemët dhe bimët endemike që rriten në Shqipëri dhe që në kushtet atmosferike të Shqipërisë do të vazhdojnë të rriten edhe në 30-40 vitet e ardhshme, ndaj morëm vendimmarrje dhe për gjithë pemët e bimësinë. Do jenë në total 35 mijë lule, 5000 pemë e shkurre dekorative dhe do të jetë në fakt një eksperiencë unike e një sheshi të ndërthurur me natyrën, ku do të kemi mundësi për shumë aktivitete publike që sot nuk i realizojmë dot, me rotondon që kemi.
 
Më pas, patëm një takim tjetër po aq dinamik. Ishte shtabi ynë i Emergjencave për reshjet që kanë nisur që sot, por që do të intensifikohen nesër dhe ishte një mënyrë edhe për mua e për Orgesin për të kuptuar se çfarë po bënte secila prej agjencive të bashkive, sa njerëz mobilizohen realisht në terren, kur ka situata të tilla, si njoftohen të gjithë drejtuesit e njësive administrative dhe si shpërndahen më pas gjithë shërbimet e emergjencave.
 
Po përfitoj edhe nga prania e mediave këtu, për të këshilluar të gjithë qytetarët se nesër nuk është një ditë e mirë për të përdorur makinën, duke qenë se do të ketë shumë trafik. Nëse ka qytetarë, siç ndodh rëndom çdo ditë që vijnë nga rrethe të tjera, për të bërë punë ose për të pasur takimet e tyre në Tiranë, nëse mund ta evitojnë, do preferonim që ta bënin këtë të premten apo ditët në vijim, duke qenë se nesër parashikojmë shumë shira dhe reshje.
 
Dy qendrat tona të Emergjencës, për ata që mund të evakuohen, janë po ashtu gati në zonën e Tufinës, ndaj për çdo eventualitet kemi marrë të gjitha masat, por do çmonim shumë nëse qytetarët për lëvizje të panevojshme, nesër do preferonin të rrinin në shtëpi apo zyrë dhe jo të lëviznin gjatë orëve të ditës ku parashikojmë edhe reshjet më të mëdha.
 
Patëm disa takime të tjera, që kanë të bëjnë me mënyrën se si Bashkia financohet dhe se si Bashkia mbledh të ardhurat. Të gjithë shohim gjëra që nuk funksionojnë dhe themi: Ja shihini këtë foto, këtë gjë duhej ta kishte bërë Bashkia më mirë po të gjithë duhet të kuptojmë po ashtu që gjërat kushtojnë dhe Bashkia përveç se është një trupë shpenzuese, duhet të jetë edhe një trupë mbledhëse që mbledh të ardhurat. Po diskutonim pak edhe për nismën tonë të re, që të bashkojmë të gjitha faturat që një qytetar duhet të paguajë për Bashkinë e Tiranës në një faturë të vetme që është ajo e ujit, e cila futet në çdo derë të familjeve të Tiranës.
 
Këtu nuk bëhet fjalë për taksa shtesë, por për të përdorur një sens praktik, atë që kemi mësuar edhe nga bankat dhe sisteme të tjera biznesi, një one stop shop ku gjëja që njeri ka sot më çmuar është koha dhe t’i thuash dikujt: “shko e rri me orë të tëra e rri në radhë për të paguar detyrimet!”, pra shteti në vend që të të shtrojë tapetin e kuq, ta bën jetën ferr, duke shkuar e harxhuar kohën tënde të çmuar për të bërë këto pagesa.
 
Besoj se ka qenë një ditë e vlefshme dhe Orgesi po më thoshte nga brenda duket shumë më e komplikuar se ç’duket nga jashtë, ndaj besoj që sot e kuptove që nuk janë vetëm skeçet e “Portokallisë”, por për çdo fabul që prodhon Bashkia ka një volum të madh pune, njerëz shumë të përkushtuar dhe shpresoj që nuk je dekurajuar të angazhohesh me jetë publike, ti edhe gjithë kolegët e tu të rinj!
 
Ajo që tha Martini është sot më e vërtetë se kurrë. Këtu bëhet fjalë jo për të bërë një projekt OJF ku disa fëmijë të talentuar i vëmë me disa të rritur të mirë, këtu bëhet fjalë për t’i dhënë një shije, një eksperiencë, një praktikë disa njerëzve që realisht sot mund të kenë vendosur t’i japin një kthesë jetës së tyre apo të marrin vendime për jetën e tyre se si do të angazhohen në jetë publike, qoftë duke nisur një biznes, duke aspiruar lidershipin në tregun privat apo se si nesër mund të garojnë në një garë politike dhe të angazhohen si administratorë të interesit publik.
 
Nuk keni pse më falënderoni ju mua, ju falenderoj unë ju shumë. Ishte një eksperiencë fantastike që mezi pres ta bëj vitin tjetër e kështu me radhë. Faleminderit shumë të gjithëve!

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat