TIRANË- Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e duan Sali Berishën e shpallur ‘Non Grata’ në parlament në muajin shtator dhe tashmë “topi” është në fushën e Lulzim Bashës.  Ky mesazh i qartë i është dhënë sot Bashës sy më sy nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim në takim që zhvilluan për rreth një orë e gjysmë në selinë blu. Diplomatja amerikane i ka kërkuar Lulzim Bashës që të distancohet nga Sali Berisha dhe këtë mesazh ndonëse e artikuloi në gjuhën angleze, e ka thënë në mënyrën më 'shqiptarçe', duke iu referuar një shprehje të periudhës së komunizmit. “Një parti nuk mund të 'hajë bar' për hir të një deputeti”, tha sot Kim, referuar shprehjes së thënë në komunizëm “edhe bar do hamë dhe nuk do i përkulemi armikut”. 

Ambasadorja e SHBA tha se PD ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura, nga komunizmi dhe se do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse “partia do duhej të hante bar” për hir të një deputeti të saj, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha i shpallur “Non Grata” nga DASH.

“Pata një diskutim shumë të mirë dhe të plotë me Kryetarin e PD Lulzim Basha sot. Ishte në vijim të takimit që ai pati kur Zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit Phil Reeker ishte në Tiranë. Folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, rolin shumë të rëndësishëm që Partia Demokratike ka luajtur në vendosjen e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri si dhe rëndësinë që ka që Shqipëria të qëndrojë në rrugën e saj drejt Europës. Nuk ka dyshim për rolin historik që Partia Demokratike ka luajtur, është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm dhe, në këtë kuptim është lajm shumë i mirë që PD do të rikthehet në parlament në shtator. Kuptoj që PD dhe të tjerë kanë shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit dhe të gjithë e dimë që ato shqetësime janë pasqyruar në raportin përfundimtar të nxjerrë nga ODIHR. Do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe e nevojshme që institucionet përkatëse t’i trajtojnë ato shqetësime në mënyrë kuptimplotë dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin këto përpjekje për të përmirësuar në mënyrë konstante zgjedhjet dhe demokracinë në Shqipëri. Teksa PD kthehet në parlament, do të jetë shumë e rëndësishme që partia në pushtet, PS, të tregojë se është serioze për t’u ngritur mbi interesat partiake për hir të vendit. Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryertarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parliament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje. Siç e përmenda më parë, Partia Demokratike ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm, për ta nxjerrë këtë vend nga komunizmi, për ta çliruar nga diktatura. Do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Shpresa jonë është që partitë do të ecin përpara, që ky vend do të ecë përpara, që bashkëpunimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë të ecë përpara. E ardhmja po pret. Ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që kur të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës”, tha Kim.

Në përfundim të takimit, Kim doli e vetme nga selia blu. Basha nuk u pa në asnjë moment për mediat, pasi ambasadorja u prit nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi e ndërsa doli sërish vetëm duke dhënë mesazhin e saj të fortë për mediat. Nga kryedemokrati nuk pati asnjë reagim! Ky takim vjen pak kohë pasi Lulzim Basha tregoi hapur mbështetjen e tij ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, me këtë të fundit që tha se “mezi priste shtatorin për t’u rikthye në Kuvend”. Berisha u prit me duartrokitje edhe nga demokratët dhe kjo u lexua si një mesazh anti-amerikan. Megjithatë, mesazhi i sotëm është i drejtpërdrejtë vetëm për Lulzim Bashën, pasi me shpalljen ‘Non Grata’, SHBA ‘i ka larë duart’ me Sali Berishën.

Nga ana tjetër, me rikthimin e PD-së në parlament në muajin shtator, Kim ka pasur edhe një mesazh për Partisë Socialiste.

“Ndërsa PD do të rikthehet në Kuvend është e rëndësishme që PS të mund të ngrihet mbi interesat e saj partiake dhe të tregojë se është serioze për idenë i bipartizanimit”, tha Kim.

Kur u shpall Sali Berisha 'Non Grata'?
Në 19 maj 2021, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi se kishe firmosur fundin palavdishëm të Sali Berishës, duke e futur në listën e zezë, bashkë me familjen, për korrupsionin të rëndësishëm, përdorimin e pushtetit për t’u pasuruar, mbrojtjen e vetes, familjes dhe aleatëve në afera nga veprimi i drejtësisë si dhe për minim të demokracisë në Shqipëri. Sali Berisha lëvizi me shpejtësi duke tentuar të mjegullonte, të manipulonte dhe zbuste forcën e goditjes nga SHBA, duke e personalizuar vendimin si një akt i Antony Blinken dhe akuzuar Sorosin si lobues i vendimit të DASH. Berisha nisi edhe një fushatë lobimi në SHBA, për të sulmuar vendimin e shpalljes "Non Grata".

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:23
Ultimatumi i Kim ndaj Bashës për Berishën, Zëri i Amerikës pyet Bashën për qëndrimin: Nuk jep asnjë koment

Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim kërkoi sot një distancim të qartë të Partisë Demokratike nga ish lideri i saj historik Sali Berisha, të cilit Departamenti i Shtetit, dy muaj më parë, vendosi që t’i ndalojë hyrjen në territorin amerikan. Zoti Berisha u rizgjodh deputet në zgjedhjet e 25 Prillit dhe ka deklaruar se mezi pret të jetë në parlament në shtator. Por pas një takimi të gjatë me kryetarin demokrat Lulzim Basha, zonja Kim deklaroi se do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu. Nga ana e tij zoti Berisha i quajti fyese deklaratat e ambasadores Kim duke theksuar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i deputetit

Shtetet e Bashkuara rrisin qartazi trysninë ndaj Partisë Demokratike për t’u shkëputur nga figura e saj historike Sali Berisha. Në muajin maj Departamenti amerikan i Shtetit e përfshiu ish presidentin dhe ish kryeministrin e vendit në kategorinë e zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë, duke i ndaluar atij dhe familjes së tij hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara.

Zoti Berisha foli për akuza të pabazuara dhe njoftoi ngritjen e një padie për shpifje publike duke u shprehur se nuk kishte ndër mend të tërhiqej nga jeta politike. Ai u prit me brohoritje në sallën e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike dy javë më parë ndërsa qëndroi ulur, në krah të kreut demokrat Lulzim Basha.

Ky i fundit ka reaguar për vendimin e Departamentit amerikan vetëm ditën e publikimit të tij duke shprehur i keqardhur. Ai ka evituar ta prekë më tej publikisht këtë temë dhe të shpjegojë se cila do të jetë marrëdhënia me zotin Berisha, i cili në zgjedhjet e 25 Prillit mori një tjetër mandat si deputet. Por ndërsa ai ish kryeministri ka deklaruar se mezi pret të jetë në sallën e parlamentit të ardhshëm, Shtetet e Bashkuara duket se po kërkojnë pa mëdyshje që kjo të mos ndodhë dhe që PD të distancohet qartë prej zotit Berisha: “Do të doja të theksoja gjithashtu përgjegjësinë që kanë kryertarët e partive për t’u siguruar që kur të hyjnë në atë parliament, të shoqërohen nga anëtarë që janë të denjë për të përfaqësuar Shqipërinë. Do të jetë veçanërisht e rëndësishme që edhe PD t’i mendojë këto çështje”, u shpreh ambasadorja pas një takimi të gjatë me zotin Basha.

Nga selia e Partisë Demokratike, ambasadorja amerikane shkoi dhe më tej me komentet e saj, kur u shpreh se “do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu“.

Duket se Shtetet e Bashkuara presin një qëndrim të qartë përpara hapjes së parlamentit në fillim të shtatorit. “Shpresoj që të gjithë të mund të pushojnë mirë gjatë gushtit, por shpresoj edhe që të kthehen të freskët dhe të ripërtërirë në vendosmërinë e tyre për të zgjedhur të ardhmen kundrejt të kaluarës”, theksoi ambasadorja Kim.

Ndaj deklaratave të saj reagoi zoti Berisha. Ai e cilësoi “një deklaratë fyese për çdo demokrat dhe shqiptar duke iu përmendur barin”, dhe se “në dhunim flagrantë të misionit të saj (ambasadorja) i kërkoi kryetarit demokrat që Sali Berisha të mos futet në parlamenti e ardhshëm”.

Në mënyrë të prerë ai u shpreh se “asnjë shpifje, trillim apo sajim nuk mund të pengojë kurrë Sali Berishën, të përmbushë misionin që i kanë besuar zgjedhësit shqiptarë”.

Një qëndrim që e vë zotin Basha përballë një zgjedhjeje të detyruar, mes kërkesës nga pala amerikane dhe vendosmërisë së zotit Berisha për të mos u tërhequr.

Zëri i Amerikës kërkoi një reagim nga Partia demokratike lidhur me komentet e zonjës Kim, por deri në momentin e përgatitjes së këtij materiali nuk mori ende asnjë përgjigje.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, dhe një nga kandidatët në garën e zhvilluar në qershor për kreun e PD-së, Fatbardh Kadilli, u shpreh përmes një statusi në Facebook se “është e turpshme që kryetari i Partisë Demkratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e SHBA-ve për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është”. Sipas tij “është e papranueshme që Kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karriken, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA”. Zoti Kadilli kujtoi se “në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja”, përfundon ai./Voa