Një parashikim për vitin e ri politik

Një parashikim për vitin e ri politik

Kuvend

Ka një rëndësi të veçantë ky vit i ri politik. Nga shtatori deri në korrikun e vitit tjetër Shqipëria politike do të kalojë disa sfida dhe se si do të zgjidhen dhe kapërcehen ato do të përcaktohet shumë për të ardhmen e afërt për të gjithë faktorët dhe aktorët politikë. Modestisht po jap disa parashikime:

I pari lidhet me zgjedhjet parlamentare që do mbahen në pranverën e vitit që vjen. Janë të 11-tat pas rrëzimit të komunizmit dhe marrrin vlerë për arsyen nëse PS do vijojë marshimin në pushtet duke fituar mandatin e katërt, apo do kthehet në pushtet Partia Demokratike. Deri tani, nga 10 zgjedhje parlemantare Partia Socialiste ka fituar 6 prej kundrejt 4 që ka fituar Partia Demokratike. Por përveç faktit që PS ka fituar më shumë në numër se kundërshtari, zgjedhjet e vitit 2025 marrin vlerë se do jenë betejë ekskluzive për Edi Ramën dhe e Edi Ramës. Parashikimi im është që në rrethanat politike që ndodhet, gjasa që të fitojë mandatin e katërt janë të mëdha.

Në këtë mënyrë ai do bëhet kryeministri që do thellojë rekordin e vet dhe duke u zgjatur kohën e qendrimit në detyrë me 16 vjet duke u bërë pa konkurent për kohëzgjatje mes 33 kryeministrave, përveç Mehmet Shehut që qendroi 27 vjet e 4 muaj në detyrë. Edhe pse ka një konsum të madh të pushtetit edhe pse qeveria është e përfshirë në shumë skandale dhe shumë personazhe të saj kanë përfunduar në SPAK, Edi Rama ndjehet i qetë përballë një situata kaotike në Partinë Demokratike. Prandaj, referencën që ai bënte dikur kancelares Angela Merkel, e cila qendroi në detyrë 16 vjet, tashmë po e bën realitet.

E dyta lidhet me Partinë Demokratike. Parashikimi im është se në këtë parti do vijojë të thellohet kriza për shkak të mungesës së demokracisë dhe votës. Edhe këtë vit politik PD do vijojë të denoncojë, kritikojë dhe akuzojë Partinë Socialiste, qeverinë socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, por nuk do të tregojë se ajo është ndryshe nga PS. PD do vijojë të tregojë se funksionon njësoj si PS, po me të vetmin ndryshim që është në opozitë. Në PD nuk votohet, çdokush promovohet sipas konjukturave dhe jo vlerave. PD do vijojë në letargjinë e saj të një moçali me ujë që nuk lëviz dhe kjo do ta dëmtojë atë po se po, por edhe Shqipërinë politike që pothuajse është kthyer në një sistem të çuditshëm si një e mesme mes tentativës për demokraci dhe tentativës për autokraci.

I treti lidhet me luftën politike brenda Partisë Socialiste. Parashikimi im është që dueli për pasardhësin e Edi Ramës, mes Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt do intesifikohet. Deri në këto momente duket se Balluku ka marrë revansh. Emërimi në krye të disa dikastereve si ai i Brendshëm, i Mbrojtjes dhe Financave me drejtorë që dikur vareshin prej saj ka krijuar përshtypje se ajo është e fortë në të gjitha drejtimet dhe se ka mbështetjen e Ramës. Nga ana tjetër Veliaj në këtë situatë duket si “i braktisur nga shefi” dhe protesta e përjavshme e opozitës edhe në zhegun e gushtit të pushimeve çudisin këdo që e di se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh as ndaj qeverisë. Gojët e liga thonë se segmente të qeverisë bashkëpunojnë me ato të opozitës kundër Veliajt. Nëse kjo është e vërtetë të kujtojnë pozitën që Edi Rama ndodhej në vitin 2002 pas bashkëpunimit e Fatos Nanos me Sali Berishën. Rama mori ato kohë goditjen më të madhe politike, e cila kulmoi me komision hetimor parlamentar posaçërisht ndaj tij. Por në fakt ajo goditje Ramës më shumë i shërbeu se sa e dëmtoi. Atij iu trashën luspat politike nga sulmi nga dy fronte dhe pikërisht ai ishte momenti të projektonte të ardhmen politike. Pas kësaj karriera e tij u ngrit si raketë. A do t’i ngjasojë Veliaj Ramës në këtë drejtim. Gjasat janë që po. Derisa ambicjet e tij janë të larta, është i dënuar ta bëjë këtë betejë. Në të kundërt do jetë thjesht një nga të gjithë të tjerët në PS gjë që nuk duket se i shkon formatit dhe asaj që ka investuar në politikë.

I katërti lidhet me sesionin e ri politik. Parashikoj që do vazhdojë të ketë si pështjellim çështje të rëndësishsme të demokracisë. Ndonëse parlamenti ka tashmë një mënyrë normale në aspektim formal të të funksionuarit, pritet që të ta vazhdojë atje ku është lënë deri tani. Parashikoj që kryetarja e re e Kuvendit, Elisa Spiropali, ta drejtojë atë në mënyrë korrekte dhe dinjitoze, pavarësisht se përherë, të gjitha opozitat, duke përfshirë edhe vetë PS-në, nuk e kanë dashur dhe e kanë sulmuar ashpër këdo që ka drejtuar kuvendin. Fjala vjen, nëse do analizojmë drejtimin 8-vjeçar nga Jozefina Topalli, vlerësimi është pozitiv. Por nuk duhet të harrojmë se sa stërkëmbësha, goditje dhe akuza mori ajo zonjë nga kundërshtarët politikë të asaj kohe, konkretisht nga Partia Socialiste. Kjo u kthye në një metodë të zakonshme. Prandaj Elisa Spiropali duhet të jetë e përgatitur që sulmet e opozitës do jetë edhe më të forta ndaj saj në krahasim me paraardhësen Lindita Nikolla. Megjithatë pritshmëritë që Spiropali tashmë me përvojë parlamenatre t’ia dalë.

I pesti lidhet me demokracinë në Partinë Socialiste. Parashikoj që në këtë drejtim të bëhen hapa pas. Pas zhvillimeve të fundit, në Partiën Socialiste nuk ndodh më asgjë. Nuk ka forume. Nuk ka më struktura dhe nuk ka më votë në parti. Askush nuk di asgjë për çdo gjë përveç Edi Ramës. Kjo parti është e asfiksuar në të gjitha drejtimet dhe fuqia politike e tij në parti është e tillë që asnjë politikan tjetër të kalibrit të lartë nuk e ka arritur këtë. Në të gjitha aspektet Edi Rama ka nën kontroll partinë si askush tjetër në këto 34 vjet dhe ia ka kaluar si Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës. Madje edhe Pandeli Majkon që ndonëse aderon në këtë parti i është nënshtruar këtij rregulli nëpërmjet versionit se ka probleme të vazhdueshme me dhëmbët. Duken sikur ishin personazhe të “Heroizmit të popullit në shekuj” zërat kundër të LMN-së së Ben Blushit, Marko Bellos, Arben Malajt dhe Andis Harasani të cilët në vitin 2014 kërkonin demokraci në parti. Sot ai që kërkon demokraci në PS ka vetëm një përfundim, më e pakta dalje nga politika.

I gjashti lidhet me Partinë e Lirisë. Parashikoj se përpara ka shumë sfida. Madje nganjëherë edhe më të forta se PS dhe PD. Presidenti i saj Ilir Meta e humbi një betejë atë që ai kishte premtuar për kthimin e kushtetutës së vitit 1998. Marrëveshja e Berishës me Ramën për të mos patur lista të hapura duhet ta ketë zhgënjyer shumë Metën që priste që në këtë drejtim në mënyrë që opozita të ishte shumë ndryshe. Por nuk është vetëm ky problem.  Pavarësisht premtimeve të Metës për ringritjen e partisë, të pakta janë gjasat që kjo të ndodhë. Mungesa e figurave të profilit të lartë politik kanë bërë që të humbasë thelbi i partisë. Divorci dhe largimi i Monika Kryemadhit sigurisht që ka efektet e veta. Prandaj Ilir Metës i mbetet një sfidë shumë e madhe përpara të cilën këtë herë do të jetë më vështirë se në çdo betejë tjetër politike.

I shtati lidhet me SPAK. Parashikimi im është se goditjet e këtij institciuoni do vijojnë edhe pse do ketë sulme nga të dy krahët politikë. Nuk besohet se SPAK do ndalë vrullin e vitit 2023-2024. Deri tani në rrjetën e tij kanë rënë shumë qeveritarë dhe SPAK ka bërë që për herë të parë në këto 34 vjet politika të dridhet nga drejtësia. Prokurorët e këtij institucioni do vazhdojnë goditjet dhe në rrjetat e tij do bien të tjerë peshq si nga mazhoranca dhe nga qeveria dhe kjo do të bëj atë më të konsoliduar. Nga ana tjetër parashikohet që mazhoranca të vijojë përpjekjet për ta kontrolluar SPAK. Komisioni i Posaçëm i ngritur pak kohë më parë pritet të bëjë përpjekje por besohet se partnerët e huaj veçanërisht ata amerikaë do jenë diga e pengesës që së këtyre përpjekjeve.

I teti lidhet me diplomacinë e huaj e cila do kenë një rol vendimtar në vitin e ri politik. Parashikoj që mbërritja e ambasadorit të ri amerikan David Kostelancik do sjellë ndryshime në raportin e SHBA me politikën shqiptare. Vonesa e ardhjes së të cilit ka sjellë një lloj boshllëku të madh në zhvillimet e politikës në Shqipëri. Pa ambasador të emëruar diplomacia amerikane nuk ka qenë shumë aktive vitin që shkoi. Nëse David Konstelancik nis detyrën në shtator, besohet se shumë ngjarje do ndikohen nga qendrimet që ai do mbajë. A do ta mbështes ambasadori i ri këtë mazhorancë sa dhe si Yuri Kim? Gjasat janë që ai nivel mbështetje të mos jetë më.

I nënti lidhet me zgjedhjet në SHBA për president të cilat do kenë ndikimin e tyre edhe në Shqipëri. Gara atje është bërë interesante me tërheqjen e Biden dhe zëvendësimi i tij me Kamala Harris. Por sondazhet tregojnë se ata janë “neck to neck” dhe nuk ka ndonjë parashikim që ta diferencojë ndjeshëm njërin prej tyre. Kryeministri Edi Rama ka marrë një kthesë 180 gradë ndaj qendrimit ndaj Trump ndryshe nga atë të zgjedhjeve të vitit 2016 kur lëshoi mufkën “mos o zot dhe fiton Trump”. Tashmë ai ka një bashkëpunim me familjen e tij dhe projekti për ndërtimin e një resorti luksi në Sazan duket më shumë si një parashikim i tij që Trump do fitojë zgjedhjet se sa një projekt pa interesa. Megjithatë një fitore e Harris do krijonte një situatë shumë të re të marrëdhënieve me SHBA. Eshtë me pse me shumë pak përqindje gjasat janë që peshorja e fituesit të anojë nga Harris dhe kjo do pasohej me pyetjen e madhe a do vijonin projekti i dhëndërit të Trump?  Sot është guxim i tepruar të bësh parashikime të tillë.

I dhjeti lidhet me median që është pjesë e rëndësishme e të gjitha proceseve politike. Parashikoj që në kushtet që ndodhet ajo do vijojë të lëngojë në të gjitha drejtimet. Formalisht në Shqipëri ka liri të shprehuri dhe kjo formalisht është e garantuar, por në fakt indikatorët tregojnë se kjo liri është në nivelet më të ulta në ëkto 34 vjet. Kontrolli mediatik nga mazhoranca është e tillë që sot shumica e televizioneve kanë një lidhje të ngushë me qarqe qeveritare dhe kjo ka përmbysur gjithçka. Mbivendosja e këtij problemi kardinal me zhvillimin teknologjik ka bërë që komuniteti i medias të jetë duke kaluar krizën më të thellë që pas rrëzimit të komunizmit. E njëjtë është situata edhe me media që mbështesin opozitën. Ato funksionojnë si mediat që mbështesin qeverinë, ndryshon vetëm forca politike. Pikërisht këto janë arsyet e mëdha përse institucinmet ndërkombëtare e rendisnin lirinë me medias në Shqipëri në nivele shumë të ulta.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion