Pali Kuke: Festivali i RTSH-së
po del nga gropa ku kishte rënë

Pali Kuke: Festivali i RTSH-së<br />po del nga gropa ku kishte rënë<br>
Në Pallatin e Kongreseve po bëhen përgatitjet e fundit për edicionin e 56-të të festivalit të këngës. Regjisori i këtij festivali Pali Kuke gjendet këto ditë tepër i ngarkuar pranë gjithë bashkëpunëtorëve të Radio-Televizionit Shqiptar për realizimin live të këtij edicioni. Ka entuziazëm, gjallëri. Edhe vetë orkestra e RTSH-së është pasuruar me interpretues të rinj. 

Shohim të jenë rikthyer në skenën e festivalit të kënëgs edhe ata që e kanë kritikuar përgjatë viteve të fundit për zbehje të vlerave. Njëri nga këta është kantautori Elton Deda, që tashmë ka zbritur me pianon e tij në zemër të orkestrës. Janë 22 këngë të reja, që në moderimin e Adi Krastës do të shfaqen për publikun në datat 21-22 dhe 23 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.

Është folur shpesh shpesh mbi rikthimin e emrave të njohur të muzikës së lehtë shqiptare në këtë festival. Dhe ky edicion duket se do të mbledh shumë prej tyre, ndaj dhe Pali Kuke shprehet në këtë intervistë se bëhet fjalë për “Rikthimi e të mëdhenjve”. Janë mbledhur bashkë për të nxjerrë nga “gropa” festivalin, siç thotë Pali Kuke. Të rikthyerit janë Manjola Nallbani, Redon Makashi, Elton Deda, Endri dhe Stefi, Bojken Lako, Mariza Ikonomi, Eugen Bushpepa, Voltan Prodani, Evans Rama e shumë të tjerë. 

Njëzet e dy këngët do të transmetohen, jo vetëm në programet e Radio-Tiranës, por edhe në rrjetin e radiove që i janë bashkur festivalit këtë vit. Ndërkohë që nata e parë e festivalit po afron, i ftuar nderi në këtë natë do të jetë kantautori i njohur italian, Riçardo Coçiante, por sipas Pali Kukes në këtë festival gjithçka është e re. Suprizat nuk mbarojnë vetëm me këtë rrëfim.

Sivjet në këtë festival ka më shumë entuziazëm, më shumë energji. Si shpjegohet? Çfarë ka ndodhur?
Që në fillim u mendua që të kishim edhe neve ndryshime, risi, p.sh. u gjykua që këngët t’i japim për spektatorët, këngët t’i dëgjojnë, t’i shijojnë, të njihen me njerëzit, mos t’i mbajmë surprizë që të njiheshin qytetarët me këngën vetëm kur të vinin në sallë. Ki parasysh që spektatori kur vjen në sallë akoma nuk është mësuar që ta trajtojë këtë gjë pak si festë, që t’i japë edhe vetes një ceremonial, dhe vjen edhe vendoset me frena, aq më tepër për materiale të panjohura, kështu që kjo ishte një gjë që pati një impakt shumë pozitiv d.m.th. jo vetëm për shikuesit. Pra, u xhiruan këngët. Për hir të konkursit u bënë në një ambient të gjitha, në kamaralen e radios atje ku vërtet është tingulli, aty ku lind muzika, aty ku dhe me dëshirën e krijuesve, mbrohet krijimtaria, mbrohet muzika.

Dhe vërtet na erdhi një refleks shumë i këndshëm. Gjithmonë ka pasur këngë të bukura dhe për fat kanë ngelur në fondin e artë nga festivali, por si çdo gjë, si çdo, të themi, institucion, se ka atë grafikun e vet të uljeve dhe të ngritjeve. Gjithë dëshira e grupit, duke filluar sigurisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Radiotelevizionit, dëshira e madhe e njerëzve që mori dhe thirri për të bërë festivalin, ishte që, hajde pra të gjithë bashkë të gjejmë energji, të ofrojmë këngëtarët e vjetër, BIG-ët, portat sigurisht të hapura për të gjithë këngëtarët e rinj dhe kështu që u krijua një frymë shumë simpatike dhe pati një prurje shumë, shumë të mirë.

Jemi shumë të kënaqur për sa i takon traditës së këngës shqiptare, traditë të cilën ky institucion e ka për detyrë sepse është, si të thuash, më i vjetri, është shtëpia e të gjithë krijuesve, është një dashuri e marrë zvarrë që nga viti 1962 dhe kurrë nuk e la telespektatorin, spektatorin, dëgjuesin e vet që të ikte një vit, të ndërpritej një vit.

Çfarë risie regjisoriale keni sjellë ju veçanërisht në këtë festival, se çdo edicion ka një pamje të re, ka një imazh të ri, ka një kombinim të ri të prezantimit të këngëtarëve, të spektaklit etj.
Unë kam qejf të përmend në fakt Tish Dainë sepse pyetja e përhershme është “Ç’të re do të ketë ky festival?” dhe e pyetën atë. Ai tha: “Por asht tan i ri, ta marrsha. Asht tan i ri, jan tana kangët e reja. Asht gjithçka e re”. Sigurisht, i gjithë stafi që po punon për të, padyshim, drejtimi i festivalit që do të jetë nga A. Krasta, elementët e tjerë që vijnë dhe bëjnë suport artistik në mënyrë që gjithë skenën, gjithë kënaqësinë e gjësë ta marrë ai që është protagonisti, që është këngëtari pra, se themeli është kjo gjë. Por, padyshim që ka risi dhe një ndër risitë sapo ta thashë, që ne dolëm me video, nuk e mbajtëm surprizë, i treguam këngët.

Çfarë ndodhi? Ndodhi që kënga jote ishte pas këngës sime, edhe unë isha pas një kënge tjetër dhe gjithsecili shikonte dhe raportet e vetes. Dhe ishte një vlerësim shumë pozitiv në këtë drejtim. Pastaj ka risi të tjera pa fund. Kemi një skenografi nga Albi Çifligu, një skenografi mendoj shumë interesante sepse ka një metaforë shumë të bukur. Ne në festival jemi në stinën e kthimit të dallëndysheve. Ajo është një kurorë shumë e bukur, merr në mbrojtje a thua sikur është ajo foleja e këtyre dallëndysheve që po kthehen dhe për fat nuk ka se si të ndodhë ndryshe d.m.th. Është zemra Festivali i Radiotelevizionit. Shumë mirë që ka festivale të tjera alternative.

Kështu që vjen një risi shumë, shumë e bukur që shpresoj dhe që më duket se ka bërë edhe jehonë dhe është pëlqyer skenografia. Është kjo kurora, është ky përqafimi i madh që i bëhet skenës duke marrë nën mbrojtje atë protagonistin kryesor që është aty dhe nënkupto të gjitha vlerat e tjera që do të arkivohen edhe sivjet nga ky festival dhe me shpresë do të ngelen në fondin e artë. Nuk më lejohet të të them, por personalisht jam shumë i kënaqur se ka mbi tetë, mbi dhjetë këngë të mira, shumë të mira. Është risi. Sigurisht pastaj dhe nga të gjithë elementët e tjerë dhe nga regjia e festivalit do të kemi shumë surpriza, të cilat, thamë, mos t’i lëmë njerëzit të na çuditen kur të vijnë, por të vijnë duke e marrë vesh se ç’do të bëhet brenda.

Mund të na i zbuloni disa nga këto surpriza?
Të zbuluara i ke, d.m.th. natën e parë do të jetë Rikardo Koçante, do të ekzekutojë një nga perlat që ngelet në fondin e madh të muzikës botërore. Shpresojmë që salla ta këndojë. Pastaj ka një këngë tjetër të vetën shumë të bukur. Pastaj do të dëgjojmë dhe do të shijojmë një pjesë nga një vepër e madhe që ai bëri në Teatrin e Operës në Paris, ku për fat ka një rol dhe këngëtarja jonë Elhaida Dani. Do të vijnë dhe BIG të vjetër që kanë shkelur, që kanë dalë nga ky festival. Do të na kthehet Elsa Lila, e cila tashmë nuk vjen vetëm por vjen me të gjithë bendin e vet. Dhe shumë gjëra të tjera. a mbetur ndonjë gjë tjetër pa thënë?

Majën e ajsbergut e zbuluat. Çfarë keni ndrequr nga disa probleme që ka pasur festivali këto vitet e fundit?
Festivalit iu mbush mendja të ndreqej vetë dhe tha: “Hajde, kalova një gropë por nuk u shpuan gomat” dhe hopa, hipi në asfalt. Për këtë më vjen shumë mirë sepse jo emocionet e adoleshencës sime që kam hyrë duke thyer xhamat nga mbrapa në Institutin e Arteve për të parë Vaçe Zelën e të tjerë, por ky festival pra ka bashkëshoqëruar shumë breza, të cilët në kujtesën e tyre kanë motivet, kanë marrë vërshëllimat që ia kanë drejtuar të dashurës, kanë mbajtur në gojë motivin e një kënge që u ka pëlqyer kur takohen me shokë e me miq. Kështu shpresojmë që do të jetë dhe sivjet.

Ju keni ngjallur një lloj entuziazmi tek artistët që dolën në skenën e këtij festivali, ai që quhet brezi i 40-vjeçarëve. Janë të gjithë? Ka ndonjë që e ka refuzuar këtë skenë?
Jo, ka edhe më lart se sa 40-vjeçarët dhe shyqyr që ka sepse ai është kontingjenti i verës së vjetër, e kupton. Vera sa më shumë të vjetrohet aq më e mirë është. Pastaj pse jo, kemi dhe nga një gotë shampanjë, që mendoj se do të shkëlqejë në kristalin e vet.

Festivali është live. Guximi për të pasur një festival live çfarë përgjegjësie është për ju?
Festivali ka kohë që është live. Festivali ka meritën e vet që është i vetmi në këtë gjë. Ai ka orkestrën, gjithçka, çdo tingull që dëgjohet është live. Nëse në orkestër apo në skenë kudo është live në ndryshim të themi nga Festivali Evropian që ashtu e ka zgjidhur. Gradualisht do t’i kthehet orkestrës, nuk ka ku lëviz sepse impaktin që merr një spektator kur tingullin e ka të gjallë dhe nuk e ka nga disku është i jashtëzakonshëm.

Është i disati vit. U kthye te shtëpia e vet, u kthye tek origjina. Festivali ka qenë live me mundësitë që kishim në atë kohë, jo më tani. Kjo nuk diskutohet më. Sigurisht ka shumë mund, shumë përpjekje, ka mjeshtër që merren me foninë, për të ardhur sa më bukur, sa më pastër, për të caktuar raporte profesionale ndërmjet veglave, ndërmjet orkestrës, nëpërmjet të gjithë difuzionit që bëhet mbështetës i këngët
arit.

Ju faleminderit! Na falni për kohën e çmuar që ju morëm. Do t’ju mbështesim me festivalin çdo ditë. Faleminderit juve!

[gallery]25155[/gallery]

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat