Presidenti Nishani nuk dekreton
ligjin “Për sigurinë publike”

Presidenti Nishani nuk dekreton<br />ligjin “Për sigurinë publike”
TIRANË - Edhe pse Kuvendi miratoi në 10 mars ligjin “Për masat shtesë të sigurisë publike”, ky ligj nuk është dekretuar ende nga Presidenti i Republikës. Ligji lindi si nevojë menjëherë pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris, dhe u diskutua gjatë në Komisionet Parlamentare. Ai parashikon vendosjen e kamerave të sigurisë në mënyrë të detyrueshme në shkolla, rrugë hapësira publike, qendra biznesi e kudo ku grumbullohen në mënyrë të rregullt mbi 50 persona. Pas sulmeve në Bruksel, çdo kryeqytet ka rritur vigjilencën, por zbatimi i këtij ligji në Tiranë, duket se do të hajë edhe kohë burokratike veç asaj fizike që duhet për instalimin e kamerave.

Shqiptarja.com pyeti institucionin e presidencës se me çfarë argumentesh apo për çfarë arsyesh po vonohet një dekretim i tillë, por zyra e shtypit nuk dha asnjë arsye për këtë vonesë. Dekreti i fundit i bërë nga Presidenti ka qenë 8 mars, për ligjin “Për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë” teksa në datën 16 ka dekretuar dy ambasadorë. Opozita i ka bërë thirrje Nishanit që të mos e dekretonte këtë ligj, që ditën e miratimit të tij në parlament.

Ky ligj përcakton dhe rregullon masat që duhen marrë në zhvillimin normal të aktiviteteve të ndryshme, si në njësitë e veçanta të shërbimit (lokalet e natës), monitorimin e mjeteve të transportit, monitorimin e objekteve të hapura apo të mbyllura, si sheshe, kryqëzime, ambiente para shkollave, parkingje, stadiume, teatro etj. dhe bën të mundur që administratorët apo pronarët e këtyre ambienteve, ku zhvillohen këto aktivitete të marrin disa masa shtesë për rritjen e mbikëqyrjes dhe identifikimin e aktiviteteve të paligjshme e të autorëve të veprave penale, nëpërmjet kamerave, rojeve të sigurisë etj.

Detyrimi për marrjen e masave shtesë është i lidhur ngushtë edhe me rritjen e angazhimit të Policisë së Shtetit për kontrollin e territorit dhe reagimin e shpejtë për çdo ngjarje dhe autorët e tyre. Policia do të ndihmohet në kohë për autorët e mundshëm nëpërmjet pamjeve filmike të siguruara nga vetë pronarët apo administratorët. Përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të shërbejë për identifikimin në kohë shumë të shpejtë të autorëve të veprave penale, duke siguruar identitetin e tyre, dinamikën e ngjarjeve apo dhe rrugën të cilën mund të kenë përshkruar autorët e veprave penale.
 
Objektet që duhet të vendosin kamera
Në nenin 4 janë përcaktuar subjektet private që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie, të cilat janë:
a) subjektet që kanë selinë, mjediset e punës dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës së riskut të bërë nga Policia e Shtetit;
b) subjektet që kanë mbi 50 punonjës dhe/ose frekuentues që, në mënyrë të vazhdueshme, akomodohen apo frekuentojnë në të njëjtën kohë një mjedis të hapur ose të mbyllur;
c) subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23:00 deri 06:00;
ç) subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiroja vjetore e së cilës është mbi 10 milionë lekë;
d) subjektet që ushtrojnë veprimtari në fushën e lojërave të fatit;
dh) subjektet që administrojnë mjedise të hapura apo të mbyllura për fëmijë, si: shkolla, kënde lojërash dhe që vlerësohen nga Policia e Shtetit si burim rreziku i shtuar;
e) subjektet që kryejnë veprimtari transporti publik (udhëtarësh, nxënësish) dhe të mallrave të rrezikshme.

Emigrantët
Tahiri: Mund të përballojmë emergjenca vetëm për disa ditë
“Kemi plan veprimi, kapacitetet tona infrastrukturore dhe buxhetore janë të limituara”  
Shqipëria ka një plan emergjence lidhur me rrezikun ardhjes së emigrantëve sirianë nga kufiri me Greqinë, por ky plan mund të përballojë situatën për vetëm disa ditë, teksa për më shumë, gjendja është e pamundur. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë raportimit përpara Komisionit të Sigurisë në lidhje me situatën e emigrantëve, ka deklaruar se Shqipëria ka një plan emergjence për të pritur emigrantët por ka kapacitete të limituara.

“Kapaciteti ynë për të bërë skedim paraprak, marrjen e gjurmëve biometrike nuk është i limituar pasi kemi shkëmbim informacioni me partneret, ndërkohë kemi rritur vëmendjen e skedimit të tyre. Kemi shkuar kapacitetin e verifikimit për personat qe vijnë ne kufirin tonë. Ne jemi të gatshëm për përballimin e situatës disa ditore, por për më shumë duhet një bashkëpunim evropian.

S’mund të marrim një barrë që nuk e mbajmë dot. Kapacitetet tona infrastrukturore dhe buxhetore janë të limituara” theksoi Tahiri. Ministri tha se nga ana e partnerëve ndërkombëtar është marrë garanci se Shqipëria nuk do të jetë vetëm. “Po përpiqemi të adresojmë dy çështje. Nga njëra anë t’i përgjigjemi sfidës për solidaritet dhe nga ana tjetër të mbajmë sigurinë në mënyre që elemente terroristë mos të futen në vendin tonë dhe të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Tani për tani nuk ka sinjale që jemi përpara një situate emergjente por për sa kohë janë afër me kufirin me Shqipërinë, ne jemi të vendosur që të jemi gati. Nuk mund te bëjmë gabime si vendet e tjera për të qenë vonë, në një krizë që nuk të lejon të jemi me vonesë.

Duhet të jemi një hap përpara për tu përgatitur’’ tha ministri Tahiri. Duke qëndruar në garantimin e sigurisë dhe evidentimin e elementëve të rrezikshëm terrorist të cilët mund të hynë së bashku me emigrantët, ministri Tahiri ka deklaruar se janë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për evidentimin e këtyre rasteve. Ministri i Brendshëm tha se Shqipëria ka marrë masat paraprake për të përballuar një fluks eventual emigrantësh me origjinë nga vendet e luftës. “Vendi ynë, ashtu si të gjitha vendet e rajonit apo Evropës nuk është imun nga faktori emigrant.

Vendi ynë në këtë kuadër ka marrë masat paraprake, duke rritur nivelin e sigurisë dhe monitorimit të kufijve. Më lejoni t’ju them se rreth 5000 emigrant nga vendet e luftës kanë tentuar të hyjnë në vendin tonë përmes kufirit të gjelbër apo në kufi. Policia me të identifikuar personat, ka kryer procedurat e riatdhesimit, duke ia dorëzuar palës nga ku kanë kaluar kufirin”, - u shpreh Ministri Tahiri.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat