Në rrjetet sociale kanë nisur të qarkullojnë video të prodhuara me inteligjencë artificiale, në stilin e animacioneve me figura “Lego”, të cilat e paraqesin Shqipërinë si pjesë të një “rezistence” kundër Izraelit.

Videot, të shpërndara në faqe dhe profile me gjuhë propagandistike anti-izraelite dhe anti-amerikane, përdorin të njëjtën estetikë që u bë e njohur gjatë luftës mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, kur llogari pro-iraniane nisën të prodhonin dhe shpërndanin masivisht klipe të shkurtra satirike me inteligjencë artificiale. Në ato video, figurat politike amerikane dhe izraelite paraqiteshin si personazhe plastike, në skena të thjeshtuara, me muzikë, slogane dhe mesazhe propagandistike të ndërtuara për shpërndarje virale.

Tashmë, e njëjta formë komunikimi duket se po përdoret edhe për të ndërhyrë në debatin shqiptar rreth projektit të kontestuar në Zvërnec. Në vend që çështja të paraqitet si debat mbi territorin, mjedisin, pronën publike, investimet strategjike apo transparencën institucionale, videot e reja përpiqen ta vendosin protestën shqiptare brenda një narrative gjeopolitike më të gjerë, ku Shqipëria paraqitet si pjesë e frontit kundër Izraelit.

Ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi protesta kundër projektit në Zvërnec ka lindur fillimisht si reagim qytetar dhe ambientalist ndaj një investimi të madh turistik të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Protestuesit dhe organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime për zonën e mbrojtur, ndikimin në ekosistem, përdorimin e forcave private të sigurisë dhe mungesën e transparencës mbi projektin.

Por përfshirja e materialeve të tilla propagandistike rrezikon ta mbivendosë protestën me axhenda të jashtme, duke i dhënë mundësi kundërshtarëve të saj ta paraqesin jo si lëvizje qytetare, por si pjesë të një fushate të huaj politike dhe ideologjike.

Ende nuk ka një verifikim zyrtar mbi origjinën e këtyre videove dhe mbi llogaritë që qëndrojnë pas tyre. Megjithatë, formati, gjuha dhe mesazhi politik i tyre përputhen me një model tashmë të njohur të propagandës pro-iraniane në rrjetet sociale.

Kjo e bën edhe më delikat momentin politik të protestave në Shqipëri, pasi një kauzë që nisi si kundërshtim ndaj një projekti konkret në bregdetin shqiptar, rrezikon të bëhet fushë ku përplasen jo vetëm interesa të brendshme politike, por edhe narrativa të importuara nga konfliktet ndërkombëtare.

Për protestuesit, kjo përbën një sfidë më vete: të ruajnë fokusin tek çështja shqiptare, tek territori, mjedisi dhe llogaridhënia publike, pa lejuar që kauza e tyre të përdoret nga makineri propagandistike që kanë objektiva krejt të tjera nga mbrojtja e Zvërnecit./TemA