E thirrur si protestë kombëtare, por e perceptuar si tubim partiak, protesta e PD-së nuk arriti të prodhojë trysni reale politike, vlerëson analisti Fatmir Merkoçi.

Në një intervistë për emisionin “Studio Live” në Report TV, Merkoçi tha se protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër qeverisë së Edi Rama pati pjesëmarrje, por dështoi të krijojë presion të gjerë shoqëror.

“Ishte një protestë kombëtare e thirrur nga PD. Patjetër që kishte pjesëmarrje, por pyetja është: a e arriti qëllimin apo jo. Mund të themi që ishte riorganizim i opozitës për tu grumbulluar, por gabimi sipas gjykimit tim, është që për sa kohë një protestë kërkon që të vijë i gjithë populli, që në fillim ishte gabim, sepse ajo protestë u hap nga kryetari i partisë dhe u mbyll nga kryetari i partisë, pra aty u fol vetëm nga politikanë dhe deputetë. Nëse bën një protestë për largimin e një qeverie, duhet të kesh një kauzë, aty skishte as kauzë e as frymë” tha ai”, u shpreh ai  duke shtuar se mungesa e një kauze të qartë e zbehu mesazhin.

Analisti vuri në dukje se mesazhet e dhëna gjatë protestës ishin thjesht politike dhe nuk ofruan zgjidhje konkrete. “U arrit deri te fishekzjarrët, u bë si festë. Nuk kishte as kauzë dhe as frymë”, deklaroi ai. 

Analisti kritikoi edhe mënyrën e komunikimit nga foltorja, duke theksuar se ajo nuk ndihmoi në mobilizimin e protestuesve. “Kur vjen në protestë duke lexuar letra, nuk i jep frymë turmës. Bëhesh monoton, nuk ka ritëm, nuk e ndez protestuesin”, deklaroi Merkoçi.

 “M’u duk si protesta e Lulit. Nuk rrëzohet një qeveri me fjalime të përgatitura. Për të rrëzuar një qeveri duhet revoltë popullore. 'Rama ik' nuk është kauzë”, deklaroi Merkoci, duke i mëshuar idesë se "protestat bëhen ditën dhe jo ditëve të shtuna kur qeveria është pushim."

Merkoçi mendon se opozita nuk duhet të presë që "të këputet fiku e t'i bjerë në gojë" dhe nënvizoi se protestat dhe revoltat organizohen vetëm nga populli.

Ai kritikoi faktin që Partia Demokratike akoma nuk ka bërë një analizë pas humbjes së zgjedhjeve dhe nuk ka nxjerrë përgjegjësinë e humbjes. 

"Janë të njëjtët persona në të njëjtat struktura. Gjëja e parë që duhej bërë ishte shkarkimi i të gjithë drejtuesve politikë dhe të hiqeshin deputetët nga funksionet e Partisë. Partia do të hapej dhe njerëzit do të besonin tek ndryshimi" tha ai. 

Në këtë aspekt, ai e sheh lëvizjen e Ervin Salianjit si politike, dhe mendon se asaj i mungon vizioni.