Një përleshje e dhunshme shpërtheu dje në mes të sheshit gjatë protestës së mbrëmshme të opozitës jokuvendore. Babë e bir, Ymer dhe Erjon Çela u rrahën me grushte e shkelma dhe më tej u goditën me një shufër hekuri. Përleshja e dhunshme i la të plagosur me dëmtime të mëdha në kokë babë e bir, të cilët përfunduan për trajtim në Spitalin e Traumës.

Në një rrëfim ekskluziv për Report Tv, nga spitali i Traumës, Erjon Çela tha se babai i tij, Ymer Çela ka qenë truprojë i ish-kryeministrit Sali Berisha deri në vitin 1998. Ishte pikërisht ish-kryeministri, ai që postoi në rrjetet sociale foto nga spitali të dy të palgosurve, ku zbuloi edhe identitetin e tyre. Nuk munguan akuzat ndaj policisë. Berisha tha se protestuesit paqësore u sulmuan nga policia. Sipas ish-kryeministrit “kriminelë të narkopolicisë civile kanë goditur me qytë revolveri dhe shkaktuar plagë të rënda në kokë, në hundë, në nofull dhe trup protestuesve paqësor Ymer Çela dhe djalit të tij Erjon Çela”.  

Por Report TV transmetoi ekskluzivisht Live gjatë protestës dhe i sjell sërish sot pamje që rrëzojnë këtë qëndrim të ish-kryeministrit, pasi babë e bir janë plagosur në kokë gjatë një sherri mes protestuesve të armatosur me shufra hekuri.

Pamjet tregojnë qartë se konflikti ka ndodhur në mesin e protestuesve ku Erjoni dhe babai i tij, të evidentuar qartë në pamje, qëllohen në mënyrë të vazhdueshme nga persona të tjerë në mesin e turmës. Situatën e qartësoi edhe më shumë djali i Ymer Çelës. Ai tha në intervistën ekskluzive për gazetaren e Report Tv, Doris Sallaku, se persona të paidentifikuar nga protestuesit, njohën babain e tij e thirrën në emër, Ymer Çela, dhe më tej nisën të qëllonin me paterica në kokë dhe trup.

Protestuesit qe ndiqnin liderin demokrat Lulzim Basha nga kryeministria tek parlamenti, nga ish-hotel 'Dajti' deri tek Ministria e Brendshme nisën sulmin ndaj Ymes Çelës dhe djalit të tij. Madje Erjon Çela, thotë se protestuesit fillimisht mund të kenë menduar se ai dhe babai i tij ishin policë të infiltruar.

"Në fillim jam goditur me grushte dhe shkelma, pastaj më ka ardhur një patericë turinjve. Kujtonin se ishte policia. Në vend ta hante drurin policia e hëngra unë. Filluan duke sharë babain tim, ky është Ymer Çela - thanë. Unë jam demokrat, babën e kam pasur bodyguard me Berishën dikur deri në 1998-ën", tha ai.

Incidenti shumë i rëndë jo vetëm tregon gënjeshtrën e radhës të Sali Berishës, por edhe fakton që një pjesë e protestuesve në fakt kanë shkuar në shesh të përgatitur me shufra hekuri në përballje me policinë.

Ymer Çela ka dalë nga spitali, ndërsa dhe gjendja e Erjonit paraqitet e stabilizuar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:19
KËTA janë sulmuesit e ish-truprojës së Berishës dhe djalit të tij (FOTOT)

Këta janë personat që kanë dhunuar babë e bir, Ymer dhe Erjon Çela gjatë protestës së  opozitës mbrëmjen e së dielës, më 2 qershor. Me shufra hekuri në duar, dhunë me grushte dhe shkelma, ata janë filmuar nga kamerat e Report Tv teksa rrahin ish-truprojën e Sali Berishës, Ymer Çela dhe djalin e tij. Për Report Tv, Erjon Çela tha se ata ishin protestues dhe nisën t'i dhunonin pasi njohën babain e tij të cilin e thërritën në emër.

Fotot janë shkëputur nga video e transmetuar në Report. Për t'i bërë më të identifikueshëm fillimisht kemi shkëputur një foto ku u duket fytyra dhe një foto tjetër ku janë duke qëlluar.

Tashmë i mbetet policisë së Shtetit të bëjë identifikimin e dhunuesve, të cilët janë pikasur nga pamjet filmike.

Ora 13:18
Ekskluzive/ Flet për Report Tv djali i ish-truprojës së Berishës: Si na rrahën pasi thërritën emrin e tim ati (VIDEO)

Në një intervistë ekskluzive për Report Tv, Erjon Çela djali i Ymer Çelës, të dy të plagosur në protestën e mbrëmshme të opozitës joparlamentare, thotë se të dy janë qëlluar me shufra hekuri që ai thotë se ishte një patericë.

Nga ambientet e Spitalit të Traumës ku ai po merr mjekim, në një intervistë për gazetaren Doris Sallaku, Erjon Çela thotë se babai i tij është Ymer Çela, truprojë ndër vite i Sali Berishës, deri në 1998-ën. Ai thotë se sulmi nga persona të panjohur për ta, u bë në mënyrë të qëllimshme, pasi siç ai tregon, në mesin e turmës përballë piramidës, këta persona njohën babain e tij, e thirrën në emër, dhe nisën t'i sulmojnë fillimisht me grushte e shkelma, dhe më tej me një patericë. Sipas rrëfimit të Erjon Çelës, fillimisht sulmuesit menduan se ai dhe babai i tij ishin policë të infiltruar.

"Kemi shkuar duke u zënë dhe duke u rrahur, as vet nuk e di se nuk mbaj mend gjë tjetër. Në fillim jam goditur me grushte dhe shkelma, pastaj më ka ardhur një patericë turinjve, se nga doli ajo patericë nuk e di, kujtonin se ishte policia. Në vend ta hante drurin policia e hëngra unë. Lajmëruam ambulancën dhe erdha me ambulancë. Ngjarja ndodhi fillimisht tek piceria përballë piramidës, nga aty kemi shkuar deri tek "Dajti". Filluan duke sharë babain tim, ky është Ymer Çela - thanë. Unë jam demokrat, babën e kam pasur bodyguard me Berishën dikur deri në 1998-ën, na kanë poshtëruar këta që janë në pushtet dhe po na poshtërojnë dita ditës", tha Erjon Çela për Report Tv.