Shkodër - Në njësinë administrative Dajç është rikthyer sërish murtaja e ruminantëve të vegjël. Përgjegjësi i Shërbimit Veterinar Mark Preçi deklaron se deri tani janë evidentuar dy ferma të prekura me rreth 190 krerë bagëti të imta, të cilat gjatë ditës së sotme do t’i nënshtrohen procesit të asgjësimit sipas protokolleve veterinare.

Ndërkohë, sipas Shërbimit Veterinar, ende nuk është bërë e mundur të përcaktohet origjina e infeksionit, pasi mungojnë të dhënat për hyrje-daljet e kafshëve në fermat e prekura.

Autoritetet bëjnë me dije se fermerët që kanë të matrikulluar bagëtitë do të përfitojnë nga skema e dëmshpërblimit, sipas legjislacionit në fuqi.

"Në qarkun e Shkodrës është shfaqur murtaja ruminantëve të vegjël. Gjithë shërbimi veterinar po bën kontrolle në të gjithë fermat. Në zonën e Malit të Gjymtit janë dy ferma që kanë rezultuar pozitiv. Nuk do të lejohet lëvizja e bagëtive të imëta përveçëse ato që kanë certifikatë veterinare. Dy fermat me rreth 190 krerë do t’i eliminojmë sot”, tha Mark Preçi.

 Zona e Malit të Gjymtit ka vetëm katër ferma të blegtorisë së imët, ndërsa si masë parandaluese tregjet e kafshëve të imta vijojnë të mbeten të mbyllura.