Sot gjyqi për Velierën e Durrësit,
Frashëri: Larguan specialistët

Sot gjyqi për Velierën e Durrësit,<br />Frashëri: Larguan specialistët<br>
Prej muajit Shkurt 2017 Projekti “Vela/Veliera” në Hyrje të Portit të Durrësit, është bërë nga Shoqëria Civile objekt i dy proceseve gjyqësore, njëri në Gjykatën e Shkallës së Parë ku po shqyrtohet padia për dëme të shkaktuara mbi muret mesjetare dhe zonën arkeologjike, dhe një në Gjykatën Administrative, ku shoqëria civile shpreson të zhbëjë projektin (BIRN-Durrës 4 Dhjetor 2017).

Deri tani janë zhvilluar shtatë seanca dhe procesi gjyqësor vazhdon. Seanca e ardhshme e çështjes “Veliera” që do të jetë e teta në radhë, do të zhvillohet nesër më 27 dhjetor.

Ndërkohë prej tre muaj më parë Gjykata Administrative ka miratuar listën e tre ekspertëve arkeologë të pavarur dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Durrësit, që ajo të bëjë të mundur që ata të sjellin në gjykatë një ekspertizë mbi dëmet që mund të shkaktojë ndërtimi i kësaj vepre publike në substancën arkeologjike.

Midis ekspertëve ishte zgjedhur edhe arkeologu dhe restauratori  i njohur Gjergj Frashëri. Mësohet se deri sot kjo ekspertizë nuk është realizuar.

Mediat pohojnë se të tre arkeologët nuk kanë pranuar të merren me këtë çështje. Kështu që gjykatësi Ergys Gashi në këtë seancë ka bërë të njohur emrat e tre ekspertëve arkeologë të tjerë, të cilët deri në seancën e ardhshme më datën 27 dhjetor duhet ta kenë hartuar këtë ekspertizë për Gjykatën Administrative. Për t’u njohur më afër me këtë zhvillim kemi pyetur ekspertin Gjergj Frashëri

Me sa jemi në dijeni ju zoti Frashëri jeni caktuar qysh në seancën e datës 27 shtator  nga Gjykata e Durrësit si ekspert për të dhënë rezultatet tuaja  mbi situatën për vlerësimin dhe mbrojtjen e vlerave arkeologjike në nëntokën e projektit “Vela”. Mësohet se ju nuk e kini paraqitur ekspertizën tuaj arkeologjike në seancën gjyqësore. Donim t’ju pyesnim, pse jeni tërhequr nga ekspertiza juaj?
Frashëri: Nuk jam tërhequr aspak nga gatishmëria për t’i dhënë prokurorisë  apo gjykatës ekspertizën time mbi vlerat dhe dëmet arkeologjike që ka vënë në pikëpyetje ky projekt . Gjykata e ka vendosur me inisiativën e saj emrin tim për këtë ekspertizë pa më pyetur dhe vetë ajo bashkë me prokurorinë e hoqën atë, përsëri pa më pyetur.

Më konkretisht...
Frashëri: Fillimisht me një shkresë nr. 4551 Prot. (AJ) të datës 28.09.2017 jam ftuar nga Zv./Drejtuesja e Prokurorisë  pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit Zonja Anita Jella, që me datën 03.10.2017 të paraqitesha pranë saj “për marrjen e detyrave, bërjen e betimit dhe marrjen e akteve hetimore të procedimit penal, pasi isha caktuar si ekspert në kryerjen e ekspertimit teknik në fushën e arkeologjisë të projektit “Vela”. 

Por kur u paraqita tek zonja prokurore, ajo më komunikoi, se nuk kisha të drejtë të kryeja detyrën e ekspertit, pasi rreth objektit të çështjes „Punimet dhe vlerat arkeologjike në projektin “Vela/Veliera“ isha parashprehur para disa muajsh në shtypin e ditës.

Do të thotë kjo se ishit në konflikt interesi me çështjen?
Frashëri: Edhe sot si atëherë nuk më duket se jam në konflikt interesi me çështjen. Në të vërtetë në shtypin e ditës kam dhënë opinionin tim, në se duhej apo nuk duhej bërë një ndërtim i ri në zonën “Vela/Veliera”, gjithashtu edhe mbi dëmet që po i shkaktonin Ministria e Kulturës dhe arkeologët e Institutit Arkeologjik, pasurisë arkeologjike të Epidamit, Dyrrahut dhe Durrësit. 

Por dhënia e një opinioni në shtypin e ditës, nuk mund të quhet ekspertizë për gjykatën apo prokurorinë. Ky qëndrim i Prokurorisë nuk më bindi, madje mu duk disi i sajuar, sepse vetë më ftuan si ekspert dhe vetë më hoqën, pa ma kërkuar ekspertizën. Deri sot ka mbetur pa u sqaruar dhe pa përgjigje nga ana e Prokurorisë, pse gjykata më caktoi si ekspert, kur e dinin se isha në “kësi konflikt interesi”. 

Ju lutem, çfarë kishit shprehur ju në shtypin e ditës, që sipas prokurorisë e pengonte kryerjen nga ana juaj të një ekspertize të tillë?
Frashëri: Me sa kuptova, ajo kishte parasysh se në muajt Shkurt-Prill të këtij viti, kisha shprehur mendimin apo opinionin tim në shtypin e përditshëm përmes disa shkrimeve, mbi ç’ka po ndodhte me gërmimet, pilotimet, betonizimet, prishjet e strukturave ndërtimore historike dhe dëmet mbi pasurinë arkeologjike të nëntokës në hapësirën përpara hyrjes së Portit në Durrës, midis Torres Veneciane dhe Pallatit “Fly”, pikërisht aty ku po ndërtohet “Vela”.

Këto janë vlerësime historike dhe kritika me argumente, të botuara me emrin tim në shtypin e përditshëm  të tilla si – dy shkrime në gazetën Shqiptarja.com, njëra Intervistë: “Frashëri: Veliera po e lë Durrësin antik pa portën e fortifikimit/”Kush do fitojë Vela prej Betoni e Kryetarit Hyrja e Lashtë e Dyrrah-ut?” (10 Shkurt 2017); tjetra “Prepotencë shtetërore dhe servilizëm institucionesh kundra pasurisë arkeologjike” (17 Shkurt 2017); një tjetër në Gazeta Sot me titull “Instituti i Ministrisë së Arsimit merr tendera për arkeologji shpëtimi nga Ministria e Kulturës” (12 Mars 2017), ff. 1/17; Tjetra në gazetën Panorama me titull “Tragjedi e Komedi arkeologjike në “Velierën” e Durrësit” (10 Prill 2017).

Këto shkrime në shtypin e përditshëm nuk janë ekspertiza për një proces gjyqësor. Ato i tregojnë një prokurori apo gjykatësi vetëm vlerësimin tim, se ndërtimi i veprës “Vela/Veliera” përbën një masakër për dëmet që ky projekt po i shkaktonte pasurisë arkeologjike të botës antike dhe mesjetare në rangun kombëtar, por edhe më gjerë. Nga ky takim i parë i datës 03.10.2017 në auditoret e Prokurorisë së Durrësit u largova me përshtypjen se ekspertiza ime e propozuar nga Gjykata, rezultonte e padëshirueshme për segmentet e pushtetit, të shtetit dhe të qeverisë të angazhuar për ndërtimin e “Velierës”.

Për mendimin tuaj përbën kjo vërtet një “konflikt interesi”, apo përdoret si “shkak” për të mbrapsur ekspertizën e një specialisti të fushës?
Frashëri: Nuk më duket se ka një “konflikt interesi”. U mbushën tashmë 45 vjet që ushtroj profesionin e arkeologut dhe të restauratorit të filluar më 1972 në Institutin e Monumenteve të Kulturës Tiranë. Tash 28 vjet prej tyre, profesionin e kam ushtruar  me intensitet të plotë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani. Ka arritur në 100 numri i projekteve dhe i ekspertizave profesionale që kam kryer jashtë vendit. Midis tyre kam drejtuar projekte arkeologjie të lidhura ngushtë edhe me konservime dhe restaurime, të cilat kanë qenë nga më të mëdhatë në historinë e Europës së Pasluftës. 

Shumë prej tyre gjenden të botuar në volume seriale në gjuhë europiane. Këto nuk më kanë penguar të botoj shkrime edhe në shtypin e përditshëm për publikun e gjerë, shpesh edhe me sens kritik, ku kam paralajmëruar për gabime apo kam alarmuar për dëmet në arkeologji apo në restaurimin e monumenteve të kulturës. Bota i sheh me preokupim dhe interes këto reagime nga specialistët, ata dëgjohen dhe çmohen, pavarësisht se kudo ka segmente që u vjen hidhur. Kjo kurajë intelektuale e shëndosh shoqërinë, e zgjon për t’a bërë atë më të ditur, më të qytetëruar. Këtë jam përpjekur të bëj edhe në Shqipëri në gjashtë vjetët e fundit, ku dëmet ndaj trashëgimisë kulturore kanë arritur majën e Masakrës në historinë e vendit.

Për më tepër, se këtë masakër e ka gatuar shteti e qeveria me vendimet e veta – në radhë të parë Ministria e Kulturës veçanërisht në vitet 2014-2017. Ajo është në kulmin e revanit shkatërrimtar si asnjëherë më parë. Projekti “Vela” është sipas meje Mbimasakra e të gjithave, e bërë direkt nga truri dhe gjymtyrët e shtetit! Shkrimet publicistike apo shkencore që boton një arkeolog dhe restaurator i licencuar, nuk e pengojnë atë të hartojë ekspertizë profesionale për procese gjyqësore.

Po denoncime profesionale janë bërë nga ana juaj  për veprimtarinë  arkeologjike në projektin Vela?
Frashëri: Së bashku me kolegen time, arkeologen gjermane Dr. Antonia Schütz i kemi ndjekur vullnetarisht nga afër përditë gërmimet që Instituti Arkeologjik kreu në muajin shkurt-mars të këtij viti. Së pari, si specialistë të fushës ne jemi të përqendruar në shpëtimin (dokumentimin) e pasurisë arkeologjike që po dhunohet pareshtur në zonën A dhe B, si  dhe në mbrojtjen e monumenteve të Durrësit. Këtë e kemi treguar edhe në librin voluminoz me titull “Illyrisches Dyrrah”( Dyrrahu ilir) me synime shkencore historike dhe të arkeologjisë së shpëtimit tashmë të publikuar më 2016. 

Çdo veprimtari arkeologjike apo mbi monumentet e kulturës në Durrës është në fokusin tonë profesional. Këtë kemi bërë edhe për projektin “Veliera”. Kemi vëzhguar dhe dokumentuar nga jashtë rrethimit të sheshit të ndërtimit, se çfarë arkeologët aty “gërmuan”, njëkohësisht shkatërruan dhe zhdukën në nëntokën tejet të pasur arkeologjike të projektit Vela. Së dyti, sepse projekti Veliera ra në duart e Institutit Arkeologjik, i cili siç e kam theksuar më parë nuk ka aftësi për të kryer gërmime arkeologjike masive të profilit urban.

Rasti i Velës ku do të gërmohej 12.000 m² sipërfaqe deri në 6 m thellësi për pak javë, ishte një “kafshatë që nuk mund të kapërdihej” prej tij. Në se fola më sipër për Mbimasakër, pikërisht shkatërrimi masiv i pasurisë nëntokësore pa u dokumentuar i këtij projekti nga arkeologët e Institutit Arkeologjik dhe vendimet e manipuluara të njëpasnjëshme të dy Këshillave Kombëtare me në krye Ministreshën e Kulturës zonjën Kumbaro, që i drejtuan ato, na detyruan dy herë më shumë që t’i ndiqnin dhe të dokumentonin këto të asshtuquajtura “gërmime arkeologjike shkencore”. Për t’a parandaluar dëmtimin e substancës arkeologjike në këtë projekt hartuam gjatë muajit mars 2017 edhe tetë Protokolle mbi shkelje të „Rregullores shtetërore mbi kriteret e gërmimit, dokumentimit dhe arkivimit të të dhënave dhe materialeve arkeologjike“.

Sepse për të hapur gropat për ndërtimin e Velës, u shkatërruan barbarisht brenda tetë ditësh pa u dokumentuar gjashtë horizonte të Rrugës Egnatia qysh nga koha ilire dhe deri në mesjetare. Gjithashtu humbi kufiri perëndimor i Emporionit antik dhe u zhdukën tërësisht mijëra metër kub të Maxima Kloaka e qytetit, të gjitha këto pa hulumtime shkencore dhe pa dokumentacion in situ. Këto procesverbale iu dërguan të protokolluara nga ana jonë, udhëheqjes së Ministrisë së Kulturës si përgjegjëse direkte në mbrojtjen e nëntokës arkeologjike dhe asaj të Ministrisë së Arsimit, për përlyerjen e IA si institucion në varësi të saj, në të tilla vepra mizore që do të mbeten në histori. Por hovi shkatërrimtar nuk ndali.


Mendoj se materialet që kam botuar dhe dërguar mund t’a ndihmonin shumë Prokurorinë në këtë çështje. Jo vetëm këto pasuri të papërsëritshme u zhdukën pa lënë gjurmë, por në muajt që pasuan u ngritën strategji nga institucionet shtetërore për prishjen si “pa vlerë” edhe të Bastionit për artileri të shek. 14, i cili ka mbetur ende pa u gjurmuar seriozisht deri aty, sa KKA e ka gëlltitur datimin e tij në shek. 17, të manipuluar përmes raporteve të dyshimta dhe të panjohura për specialistët e jashtëm. Natyrisht kjo është bërë që Bastioni të prishet si “objekt historik pa vlera të spikatura”dhe në vend të tij të ndërtohet këmba e katërt e Velës (që deri tani ka ngulur vetëm tre këmbë). Ja për këtë çështje duhet tani të sillet para gjykatës një “ekspert” i përzgjedhur me kujdes, që ekspertiza e tij të “argumentojë” hapjen e gropës për këmbën e katërt.

Çështja e ekspertizës tuaj është mbyllur përfundimisht, domethënë keni marrë përgjigje përfundimtare nga Prokuroria apo Gjykata?
Frashëri: Mbas takimit me prokuroren prita një përgjigje me shkrim, në se do ta bëja ekspertizën apo jo. Por më datën 14.11.2017, mora një ftesë tjetër nga prokurori zoti Arian Vogli, i cili m’ë bëri edhe një herë të ditur, se për çështjen në fjalë nuk mund të ushtroja detyrën e ekspertit pasi isha parashprehur rreth saj.

Madje Prokurori m’ë këshilloi t’i shkruaja Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Prokurorit Zotit Edmond Koloshi. Pas konsultimit me juristët, i drejtova atij dy letra (njëra më 15.11.2017, tjetra më 30.11.2017), ku i shprehja gatishmërinë  time për të kryer  detyrën si ekspert, pasi mendoja se në përputhje me parashikimet e legjislacionit penal nuk gjendesha përpara ndonjë shkaku që të përbënte arsye legjitime për heqjen dorë nga kryerja e ekspertimit në kuadër të procedimit penal të lartpërmendur. Natyrisht i kërkoja së fundi edhe përgjigje me shkrim.

Morët përgjigje...?
Frashëri: Deri sot, domethënë plot tre muaj që kurse vetë gjykata m’ë caktoi si  ekspert të çështjes, nuk kam marrë asnjë përgjigje, as nga Prokuroria dhe as nga Gjykata e Durrësit. Por ndërkohë kam marrë vesh, se Gjykata në seancën e datës 04.12.2017 është deklaruar, se ekspertët, përfshirë edhe mua, janë dorëhequr vetë nga ekspertiza. Kjo është një manipulim tepër i rëndomtë, madje një gënjeshtër që mjerisht përdoret në auditorët e institucioneve tona juridike të nderuara. 

Madje,  “kryesuesi i seancës gjyqësore Ergys Gashi ka bërë të njohur mbas këtij pohimi, emrat e tre ekspertëve të tjerë arkeologë” (BIRN/Durrës/Lajm 04.12.2017). Këto lodra dhe shkelje mbi të drejtat e specialistëve të licencuar, tregojnë sheshit se loja drejtohet nga segmente shtetërorë, tek të cilat fshihen interesa të caktuara deri edhe dëmtimin e pasurisë arkeologjike të Durrësit.

Doni të thoni se veprat e trashëgimisë dhe nëntokën arkeologjike e dëmtojnë vetë institucionet shtetërore?
Frashëri: Kush tjetër mund të marrë vendim që të ndërtohet një vepër masive betoni e quajtur “Vela” duke dhunuar 12.000 m² pasuri arkeologjike me interes historik  kombëtar e më gjerë? Vendimin për të dhunuar një nëntokë me pasuri arkeologjike për hir të një ndërtimi të ri mund ta marrë vetëm Ministria e Kulturës, të cilës shteti dhe kushtetuta i ka dhënë ligjet në tavolinë dhe përgjegjësinë për të mbrojtur veprat arkeologjike të nëntokës dhe monumentet e kulturës së mbitokës. 

Dhe s’ka kush ta marrë tjetër. Vendimin për të lejuar ndërtimin e Velës e mori pikërisht Ministria e Kulturës me dy Këshillat e saj tashmë të famshme Kombëtare – KKR dhe KKA. Vetëm këto dy të ashtuquajtura ”Këshilla Kombëtare” të udhëhequra nga ministresha e kulturës, fatkeqësisht të dominuar nga rekrutë besnikë nga repartet e zeza të pushtetit të këtij vendi, kanë mundësinë ligjore të marrin vendime të tilla denigruese dhe përdhunuese ndaj dokumenteve të përjetshme kombëtare dhe ndërkombëtare për interesa të grupimeve të errëta antishqiptare.

Janë vetë këta që marrin vendimet, ata që njëkohësisht  i japin vetvetes të drejtën të drejtojnë vetë “gërmimet” arkeologjike për të shkatërruar pasurinë e nëntokës arkeologjike prej 12.000 m² të Velës, janë po këta që i bëjnë vetë “raporte/ekspertiza” mbi rezultatet e këtyre gërmimeve arkeologjike që i kanë kryer vetë në terren, janë po ata që miratojnë në Këshillin Kombëtar raportet që kanë bërë vetë, domethënë më saktë mbulojnë shkatërrimet e pasurisë arkeologjike, falsifikojnë  datimet, shtrembërojnë dhe i cilësojnë “pa vlerë për t’u ruajtur” vepra që dalin nga gërmimet me qëllim që t’i hapin rrugë ndërtimit të Velës mu në kërthizë të qytetit antik, janë po këta që e kanë vetë të drejtën të zhdukin me ekskavatorë për gjithë natën nga nëntoka ansamble qytetare të dorës së parë pa i dokumentuar ato jo vetëm në zonën B, por edhe në zonën A si në rastin konkret, etj.

Kur u ngushtohet padashur laku, kur vjen një moment i padëshirueshëm që të gjykohet prapësia e tyre, janë po këta që përzgjedhin dhe kanë të drejtën t’i sugjerojnë shtetit, pushtetit, gjykatave dhe prokurorive  se kush duhet të jetë eksperti dhe kush duhet të shkojë në burg.  Është një bandë e tërë të përzgjedhurish,  profesorë e doktorë shkencash në arkeologji dhe restaurim të bërë bashkë nga frika si “grusht çeliku” rreth tryezës së ministres, që së fundi edhe ekspertët në sallën e gjyqit i nxjerrin nga radhët e tyre.

Mendoni se ekspertët e rinj që ka zgjedhur gjykata do të japin dritën jeshile për ndërtimin e Velës?
Frashëri: Nuk vihet në dyshim. E para, sepse ata nuk janë ekspertë të profilit arkeologjik që kërkon rasti i Velës. Të tjerat...

Tani që nuk e keni mundësinë të shpreheni me ekspertizë, do të jepni mendimin tuaj prej eksperti për çështjen...
Frashëri: Edhe në këto rreshta të intervistës tuaj, po e jap mendimin tim... Njëherazi më mbetet të pres vendimin e Gjykatës. Projekti Vela ka shkaktuar dëme historike tragjike të pasurisë arkeologjike. E ndjej për detyrë si qytetar që Mbimasakra arkeologjike e Velës të denoncohet së pari nga specialistët që jetojnë në këtë vend dhe nga ata që kuptojnë përmasat dhe arsyen pse ajo ka ndodhur, pse po ndodh dhe çfarë duhet bërë për ta ndalur të mos shkojë më tej. 

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat

Delvinë/ Zjarr i madh mes fshatrave Vllahat dhe Kostar, flakët rrezikojnë banesat