TIRANË- Pavarësisht debateve të forta në sallë, shumica dhe opozita, kanë rënë dakord të miratojnë një rezolutë të përbashkët për integrimin. Teksti përcakton angazhimet politike dhe institucionale të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së duke kërkuar një rol më aktiv të Kuvendit, veçanërisht në mbikëqyrjen e rolit të qeverisë.
***
Pas muajsh përplasje politike, mazhoranca dhe opozita iu drejtuan sallës së seancave plenare me konsensensusin që rrallë e gjejnë. Palët dakordësuan për një rezolutë të përbashkët mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, që e cilëson integrimin objektiv strategjik kombëtar dhe parashikon forcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e negociatave, mbikëqyrjen e reformave dhe kontrollin ndaj ekzekutivit.
Rezoluta u miratua me 114 vota pro, ndërsa Sali Berisha i cili hodhi një lumë kauzash gjatë ditës se procesi i integrimit u bllokua për shkak të Belinda Ballukut, e bojkotoi momentin e votimit dhe nuk e ngriti kartonin jeshil pro rezolutës së përbashkët për integrimin. Nga opozita, i vetmi që abstenoi ishte deputeti Bujar Leskaj. Ndërsa, kryeministri Edi Rama nuk ishte në sallë për shkak se dje udhëtoi drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në cermoninë tradicionale të akordimit të Çmimit të Karlit të Madh.
Një nga pikat kyçe të rezolutës është angazhimi reciprok mes mazhorancës dhe opozitës për integrimin dhe forcimin e dialogut politik, një sinjal që synon të përcillet edhe te partnerët evropianë. Dokumeni mori votat e të dyja palëve në komisionin e jashtëm, për t’ia lënë parlamentit aktin e fundit.
“Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik”, tha Igli Hasani.
Ndërsa zv/kryetarja e komisionit të Jashtëm, Albana Vokshi, e cilësoi rezolutën e dakordësuar si një produkt kryesisht të opozitës.
“Ky variant, kjo draftrezolutë është mbi 90% kontribut i opozitës. Ja çfarë do të thotë kur opozita nuk përjashtohet. Ja produkti kur opozitës i jepet vendi dhe i lejohet kontrbuti… rezolutë në formë shumë serioze dhe përmenden të gjitha problematikat që raporti i qeverisë nuk i përmend. Ne kemi dalë përtej raportit që ka sjellë qeveria”, tha Vokshi.
Pavarësisht konsensusit, palët u përfshinë në debate të ashpra për integrimin, me opozitën që vijoi me akuzat se procesi është bllokuar për shkak të mbrojtjes politike të Belinda Ballukut.
“ Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët”, tha Berisha.
“Rama zgjodhi Ballukun para BE. Rama nuk e kaloi testin e Europës dhe sot vendet e BE po na vendosin kusht pas kushtesh duke shprehur hapur mosbesimin ndaj kësaj qeveri”, tha Bardhi.
Ministri i Jashtëm tha se KE ka hartuar raport pozitiv për Shqipërinë dhe tashmë është në dorë të vendeve anëtarë diskutimi për piketat e ndërmjetme, duke hedhur poshtë akuzat për bllokim.
“Ky proces nuk është bllokuar e as ndaluar nga shtetet anëtare. Si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme në KE; do të jetë në atë tryezë vetëm kur të jetë anëtare”, tha Ferit Hoxha.
Rezoluta kërkon përshpejtimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, mbështetje për institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe garantimin e lirisë së medias.
Qeverisë i kërkohet raportim periodik për negociatat, përshpejtim i reformave në grupkapitullin e parë “Themeloret”, transparencë në prokurimet publike dhe përfshirje më e gjerë e opozitës dhe shoqërisë civile në vendimmarrje.
Miratimi i kësaj rezolute vjen në një moment kyç për procesin e integrimit, teksa Shqipëria pret edhe vlerësimin për raportin IBAR, i konsideruar si një nga hapat përcaktues në ecurinë e negociatave me Brukselin.
Rezoluta u dakordësua pas negociatave dhe diskutimeve të një grupi pune me përfaqësi të barabartë, Erion Malaj dhe Romina Kuko nga PS si dhe Edmond Haxhinasto e Albana Vokshi nga PD, të ndihmuar dhe nga këshilltarë të grupit demokrat e staf të drejtorisë për Integrimin të vetë parlamentit.
Votimi në parlament u përshëndet edhe nga Presidenti Bajram Begaj sipas të cilit ky dokument shënon qasjen e vetme të drejtë: atë te bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e objektivit strategjik kombëtar.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka përshëndetur miratimin e Rezolutës për integrimin e Shqipërisë në BE, së miratuar me konsensus ditën e sotme në Kuvend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka shkruar se miratimi i kësaj rezolute është madje i vonuar, njësoj siç sipas tij është edhe vetë procesi i integrimit në BE.
Meta ka shkruar gjithashtu se shpresonte që kjo Rezolutë të shërbente si reflektim i thellë për palët politike, pasi sipas tij, veç vullnetit politik nuk ka pasur asnjë pengesë në rrugëtimin e Shqipërisë në BE.
Reagimi i Metës:
Përshëndes Rezolutën e miratuar me konsensus nga Kuvendi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe pse tepër e vonuar si vetë procesi i integrimit europian të Shqipërisë.
Partia e Lirisë (LSI) lindi si domosdoshmëri për të zhbllokuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila u nënshkrua vetëm pas rotacionit demokratik në vitin 2005.
Në atë kohë, Shqipëria ishte shumë përpara Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa tani situata është krejtësisht e kundërt dhe prapambetja e Shqipërisë në procesin e integrimit është tepër kritike.
Ndaj sot është momenti për një reflektim të thellë për të rikthyer Parlamentin në kollonën mbajtëse të Republikes, të demokracisë dhe të llogaridhenies.
Uroj që kjo Rezolutë t'i shërbejë këtij reflektimi të thellë që duhet të jetë real dhe të mos mbetet vetëm në letër, pasi Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka asnjë pengesë për t'u anëtarësuar në BE përveç mungesës së plotë të vullnetit politik të deritanishëm për të garantuar respektimin e Kritereve të Kopenhagenit, zgjedhjeve të lira, demokracinë funksionale, barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike, në respekt të standardeve kushtetuese dhe europiane.
Genta Tafa (Bungo) u betua sot në Kuvend si Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, moment gjatë të cilit u përball me sulme të forta nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
“Ky është një turp kryetar, një njeri që ka diskriminuar veriun... Një njeri që është përdorur politikisht në procesin e Vettingut... Ky është turp, turp, turp”,- tha Bardhi teksa Tafa ishte në foltore gjatë momentit të betimit.
Kandidatura e Tafës për Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi i kaloi Kuvendit për votim vetëm me votat e socialistëve në Komisioni i të Drejtave të Njeriut dhe Medias.

Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetur rezolutën e përbashkët të integrimit, të miratuar me 114 vota në Kuvend. Begaj thotë se rezoluta është e vetmja qasje e drejtë për arritjen e anëtarësimit në BE. Gjithashtu, e quan dëshmi të pakundërshtueshme të politikës së përgjegjshme.
“Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në BE është përgjigjja e duhur ndaj Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë 2025 dhe ndaj Raportit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian.
Kjo rezolutë shënon qasjen e vetme të drejtë: qasjen e bashkëpunimit, kompromisit dhe konsensusit për arritjen e këtij objektivi strategjik kombëtar.
Ajo është dëshmi e pakundërshtueshme e një politike serioze dhe të përgjegjshme, të fokusuar plotësisht në agjendën reformuese të vendit për transformimin demokratik, institucional, ekonomik dhe social.
Përshëndes këtë akt të çmuar të bashkëpunimit parlamentar”, shkruan presidenti në rrjetet sociale.

Rezoluta e përbashkët PS-PD për integrimin ia doli të arrijë konsensusin mes palëve duke bërë që të mbajnë të njëjtin qëndrim lidhur me procesin e anëtarësimit në BE.
Edhe pse opozita është shprehur për bllokim të negociatave për shkak të IBAR dhe mazhoranca ka kundërshtuar, një grup pune ia ka dalë të gjejë gjuhën për të hartuar rezolutën.
Rezoluta u dakordësua pas negociatave dhe diskutimeve të një grupi pune me përfaqësi të barabartë, Erion Malaj dhe Romina Kuko nga PS si dhe Edmond Haxhinasto e Albana Vokshi nga PD, të ndihmuar dhe nga këshilltarë të grupit demokrat, Ilda Zhulali e staf të drejtorisë për Integrimin të vetë parlamentit, Holta Nika dhe Altin Fuga.
Para votimit të rezolutës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian edhe nga opozita, deputetja Albana Vokshi mbajti një fjalim në foltoren e Kuvendit ku theksoi se Partia Demokratike dhe aleatët mbështesin plotësisht procesin e anëtarësimit të vendit në Union, por u shpreh skeptike për zbatimin e rezolutës nga qeveria.
"PD dhe forcat politike aleate janë, kanë qenë dhe vijojnë të mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Sot ritheksuam edhe njëherë rrugën e vetme të mundshme për të ardhmen e vendit. Ne besojmë fuqimisht që është në interesin më të mirë, në interes të qytetarëve europianë, që procesi i anëtarësimit të bazohet në meritë dhe reforma të vërteta",- tha Vokshi.
"Pavarësisht miratimit të kësaj rezolute, personalisht jam skeptike, sepse pavarësisht se është një hap pozitiv dhe mazhoranca ka reflektuar nga tërheqja e vërejtjeve të ndërkombëtarëve apo rezistenca që ka bërë opozita, kam skepticizëm nëse do të zbatohet në çdo pikë të saj",- shtoi ajo.
Kuvendi ka miratuar me 114 vota pro pr.rezuoltutën e përbashkët mes PS dhe PD. I vetmi deputet që ka abstenuar ishte Bujar Leskaj.
“Historia s’do mbajë mend debatet tona, konfliktet tona të vogla, por do mbajnë mend nëse i iu përgjigjëm sfidës së kohës”, tha Romina Kuko.
Ndërkohë, në sallë mungoi Sali Berisha i cili nuk iu bashkua momentit të votimit.
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili i bëri thirrje opozitës që të kontribuojë në mënyrë konstruktive në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Ne të gjithë këtu u detyrohemi shqiptarëve që në dyert e BE-së të mos trokasim si dy kampe, por si komb”, u shpreh ministrja. “Opozita nuk mund dhe nuk duhet ta shohë veten si përjashtim nga ky proces. Duhet të na bashkojë një qëllim: anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Pavarësisht debateve, kritikave e mosmarrëveshjeve midis nesh, ka një vijë që nuk duhet kaluar: vija ku kritika ndaj qeverisë kthehet në dëmtim të Shqipërisë; ku kundërshtimi politik kthehet në baltosje të vendit; ku dëshira për të goditur mazhorancën kthehet në sulm ndaj vetë procesit evropian. Nuk ka veprim më antishqiptar sesa fyerja e partnerëve që na mbështesin, sulmet ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, përgojimi i atyre që çdo ditë punojnë me institucionet shqiptare për të na afruar me familjen evropiane. Le ta bëjmë këtë proces pronë të Shqipërisë, jo armë të politikës. Le të mos garojmë kush e do më shumë Evropën me fjalë. Le të garojmë kush punon më shumë për Shqipërinë me vepra. Kjo puna që, kur të huajt lavdërojnë Shqipërinë, për ju është hall i madh, e kur gjëkundi përmenden sfidat e së ardhmes, për ju është gëzim i madh, nuk shkon. Nuk reflekton as patriotizëm, as atdhedashuri”, tha Ismaili.
Një përgjigje nga foltorja e Kuvendit, Ulsi Manja e pati edhe për akuzat e Berishës se kryetari i Komisionit të Ligjeve “merr në Peshkopi Belinda Ballukun se ajo ka dosjen e tij.” Manja vlerësoi ndjekjen e axhendës së tij politike prej Berishës, ndërsa i tha se nëse do të hapej dosja e kryetarit të PD, “do të merrte erë gjithë Shqipëria.”
Ai i kujtoi Berishës se në një dimension tjetër, s’do të marrin dosje me vete, por nëse kreu i PD do të ketë nevojë, shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar.
“Sali, sot më dhe një provë që ti e ndjek axhendën time politike dhe jam i bindur që më ndjek edhe tani! Më vjen mirë që më ndjek, Sali, më vjen mirë që më ndjek në aktivitetet e mia politike se dhe uën të ndjek si pasqyrë, por e ndjekim njëri-tjetrin për qëllime të ndryshme. Unë të ndjek si pasqyrë për të parë veten që të mos jem në politikë si ti. Kam një sugjerim miqësor. Sali, çliroje mendjen dhe shpirtin nga dosja sepse dosja jote është kaq e madhe a çfarëdo që shton aty, nuk ndryshon kurrgjë. Ia ke vënë kapakun asaj dosjeje me titullin akademik non grata dhe kur s’ka bërë fajde as ky, ti nuk ke për të reflektuar më. Po të hapet dosja jote, merr erë tërë Shqipëria! Atje ku do të shkojmë të gjithë me radhë, siç e ka shkruar Zoti, po të perifrazoj një shprehje nga zona e Tropojës: në këtë dynja, cullak kemi ardhur e cullak do të ikim! Nuk do të marrim as dosje, as baltë, as shpifje, as intriga, do të na pranojnë siç jemi. Atje do të shkojmë para Shën Pjetrit dhe do të japim llogari. Unë s’kam merak të madh të marr ndonjë dosje me vete, fare sepse jam gati që kur të shkoj atje, të jap llogari, jam i lirë në mendje e në shpirt. Nëse ty të duhet dosja për ta marrë me vete, kujdes mos humb ndonjë letër e të duhet rrugës, e po t’u desh ndihmë, do të të ndihmoj që të shkosh me dosje tamam”, tha Manja.
Sapo mori fjalën në Kuvend (këtë herë pa u penguar nga Niko Peleshi), Ulsi Manja iu përgjigj kryetarit duke thënë se tashmë po i kërkon falje me mikrofon. Manja tha se ndjesa e tij e mëparshme pa mikrofon kur “i uli gradat” s’mund të dominohet nga cinizmi me mikrofon.
“Z. kryetar i Kuvendit, meqë qëparë nuk ma dhe fjalën për të konsumuar minutat e mia për t’iu përgjigjur Sali Berishës për akuzat që bëri, të paktën të kërkoja edhe ndjesën me mikrofon se të ula gradat që ke dhe preferove që në vend të ndjesës publike simes pa mikrofon të dominojë cinizmi yt me mikrofon. Dua të të kujtoj se fuqia e ndjesës pa mikrofon është shumë më e fortë sesa cinizmi i kujtdo në këtë sallë. Unë e njoh rregulloren e Kuvendit dhe sigurisht nuk lejohet replika, por e drejta për të ndryshuar radhën në mirëkuptim me kolegët dhe ju, ekziston. Ju nuk e patët këtë mirëkuptim dhe e mirëkuptoj sepse nuk është e lehtë të përballesh me një dinozaur politik si Sali Berisha që ka 40 vjet që mbijeton në politikë me mjetet që di të përdorë më mirë: intrigën, presionin, baltën, shpifjen, shantazhin, shto tani në fund edhe gradën shkencore non grata. Që të përballesh me këtë nuk të vjen në ndihmë rregullorja e Kuvendit sesa rregullorja jote”, tha Manja.
Pasi Manja mbaroi fjalën, erdhi edhe përgjigjja nga Peleshi.
“Nuk ma lejon rregullorja t’ju replikoj, por fjalët tuaja do t’i studioj për të ndryshuar mendim, por jo si të veproj”, tha ai.
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se Shqipëria ka përparuar ndjeshëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian teksa renditi disa prej arritjeve të ministrisë së Brendshme.
“Procesi i integrimit nuk është m objektiv abstrakt, por një proces konkret transformim i shoqërisë dhe institucioneve. Në luftën kundër krimit, anë ndërmarrë reforma të forta ligjore dhe institucionale. Ndryshimet në kodin penal kanë forcuar goditjen në trafikun e qenieve njerëzore, pastrimit të parave, krimeve seksuale edhe trafikut të drogës. Është ngritur zyra e rikuperimit të aseteve, përgjegjëse për gjurmimin dhe identifikimin e pasurive me origjinë kriminale. Në fushën kundër dogës, janë forcuar mekanizmat e monitorimit dhe paralajmërimit të përhershëm, që është një agjenci homologe ashtu si he n vende të BE. Janë miratuar ligje për kontrollin e kufirit shtetëror. Përafrimi gradual i politikës sonë të vizave me atë të BE. Kemi ende angazhime në proces, përfshirë këtu finalizimin e strategjisë kundër krimit të organizuar dhe arsye të rënda dhe miratimin e disa akteve nënligjore. Shqipëria nuk po ecën vetëm me premtime, por me rezultate konkrete”, tha ndër të tjera Lamallari.
Reforma në drejtësi ishte ‘çelësi i artë’ i negociatave me BE, tha deputeti Fatmir Xhafaj në Kuvend. ai tha se është reforma më e vështirë, ndërsa pranoi edhe defektet e saj pasi “asgjë s’është perfekte.”
“Ta themi pa hezitim, pa reformën në drejtësi, Shqipëria nuk do t’i kishte hapur negociatat me BE. Sot askush s’mund ta mohojë se reforma në drejtësi u bë çelësi i artë i hapjes së negociatave me BE. Këtë duhet ta njhin nihilistët dhe kritizerët. Reforma në drejtësi ishte reforma më e vështirë që ka ndërmarrë ndonjëherë shteti shqiptar. Mbetet prova se Shqipëria është dhe duhet të mbetet e gatshme të përballet me sfidat më të vështira në ndërtimin e shtetit demokratik. Natyrisht, askush s’mund të thotë se gjithçka është perfekte”, tha Xhafaj.
Më tej, Xhafaj tha se reforma në drejtësi dhe BE janë një lloj garancie e anasjelltë për njëra-tjetrën. Ai theksoi rolin dhe misionin e Kuvendit në forcimin e rolit të tij kushtetues ndaj institucioneve.
“Pa suksesin e reformës në drejtësi nuk ka anëtarësim në BE, por pa BE nuk mund të mbahet e sigurt dhe e qëndrueshme reforma në drejtësi. Reforma në drejtësi mbetet testi më i madh i besueshmërisë europiane. Roli i Kuvendit bëhet më i rëndësishëm se kurrë, Kuvendi ka një mision të madh: të forcojë kontrollin parlamentar, të rrisë kontrollin demokratik, të garantojë cilësinë e reformave dhe të mbajë gjallë besimin publik te procesi. Sa më i fortë të jetë Kuvendi, aq më të forta bëhen institucionet demokratike. BE nuk na vlerëson vetëm për nurmin dhe cilësinë e ligjeve që miratojmë. Është gjë shumë pozitive dakordësia për këtë rezolutë të përbashkët. Negociatat mund t’i hapë një qeveri, kapitujt mund t’i negociojë një shumicë, por në BE hyn një Shqipëri”, tha Xhafaj.
Deputetja e Partisë Demokratike Jozefina Topalli e ka konsideruar raportin e hartuar nga qeveria për integrimin në BE, si një variant ‘instagram’, shumë larg realitetit. Topalli tha se Shqipëria nuk mund të integrohet kur rreth 405 e familjeve shqiptare rrezikojnë përjashtimin social, ku korrupsioni është në nivele të larta e drejtësia nuk funksionon.
“Është një raport i variantit “Instagram” të realitetit shqiptar. Është shumë larg nga ajo që jeton çdo ditë shqiptari, i riu, pensionisti e me radhë. PD ka qenë promotori kryesor i integrimit të Shqipërisë në BE. Unë e kam për detyrë të them se ka qenë PD që ka bërë lidhjen e fatit të Shqipërisë me Perëndimin, me BE-në dhe NATO-n.
Integrimi në BE nuk është slogan, është një transformim i thellë i shoqërisë dhe shtetit. Askush nuk mund të ndërtojë një demokraci evropiane kur vendi noton në korrupsion, kur shteti është i kapur, kur bëhet larja e parave. Askush nuk mund të ndërtojë, dhe as Shqipëria nuk mund të integrohet, duke pasur një ekonomi të deformuar nga oligarkët dhe krimi.
Nuk mund të integrohesh në BE nëse ti bën zgjedhje farsë. Evropa është një standard drejtësie, dinjiteti, lirie dhe barazie përpara ligjit. Shqipëria jeton një dramë të thellë sociale dhe morale. Mbi 40% e familjeve shqiptare rrezikojnë përjashtimin social. Mijëra njerëz ndihen të lënë jashtë ekonomisë. Kjo është krizë njerëzore dhe krizë morale.
Në çdo familje ka dikë që ka marrë rrugën e emigrimit. Pushteti sillet sikur kjo është diçka normale, ndërsa propaganda flet për zhvillim. Një vend nuk matet nga kullat, por nga mënyra se si njerëzit e zakonshëm jetojnë çdo ditë”, tha Topalli.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Kuvend se raportet ndërkombëtare për klimën e investimeve dhe progresin europian evidentojnë problematika reale, por konfirmojnë se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, me institucione më të qëndrueshme, ekonomi më të fortë dhe një reformë në drejtësi që “nuk kthehet pas”.
Gjatë diskutimit në mocionin me debat për klimën e investimeve dhe progresraportin e Komisionit Europian, Gogu theksoi se Investimet e Huaja Direkte në vitin 2024 arritën nivel rekord prej 1.71 miliardë dollarësh, ndërsa stoku total i investimeve është rritur me mbi 80% krahasuar me vitin 2018.
“Shqipëria është duke ecur në drejtimin e duhur. Fatkeqësish ekonomia nuk mat retorikën tonë politike, por mat sjelljen e kapitalit. Kapitali flet qartë. Në 2024-ën, investimet huaja direkt arritën në 1.71 mld dollarë, rekord historik për Shqipërinë. Stoku është rritur mbi 80%. Ekonomia jonë vazhdon të rritet me ritme të qëndrueshme nga 3.7-4%, e cilësuar nga FMN si ekonomia me rritjen më të madhe në rajon dhe Europë. inflacioni ka mbërritur në 2.2%. këto nuk janë slogane qeveritare, por tregues ekonomikë. Ndaj lind pyetja: Pse investohet sot në Shqipëri më shumë se dje, sepse investitori ndërkombëtar investon mbi drejtimin strategjik të një vendi, kapitali nuk pyet kush bërtet më fortë në politikë, pyet a ka stabilitet, siguri juridike, orientim të qartë europian”, u shpreh ministri.
Sipas tij, investitorët kërkojnë mbi të gjitha stabilitet institucional, siguri juridike dhe parashikueshmëri, ndërsa reforma në drejtësi duhet parë tashmë jo vetëm si reformë politike apo kusht integrimi, por edhe si reformë ekonomike.
Gogu pranoi problematikat e sistemit gjyqësor, duke përmendur backlog-un, nevojën për më shumë eficiencë dhe standarde procedurale, por theksoi se “ka dallim mes një sistemi që ka probleme dhe një sistemi pa drejtim”.
Ai solli si shembull uljen me 24% të backlog-ut në Gjykatën e Lartë gjatë vitit të fundit dhe me afro 60% krahasuar me pesë vite më parë, si dhe masat për rritjen e kapaciteteve të sistemit gjyqësor me staf të ri dhe sisteme elektronike të menaxhimit të çështjeve.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë u ndal edhe te garancitë procedurale dhe puna për Kodin e Ri Penal dhe Kodin e Ri të Procedurës Penale, duke theksuar bashkëpunimin me Këshillin e Europës për reduktimin e përdorimit të tepruar të paraburgimit dhe forcimin e proporcionalitetit procedural.
“Një shtet serioz nuk matet vetëm nga sa fort ndëshkon, por nga sa drejt procedon”, deklaroi Gogu.
Në fund të diskutimit, ministri kontrastoi “kulturën e stabilitetit institucional” me “krizën permanente politike”, duke theksuar se ekonomia moderne ndërtohet mbi besimin dhe jo mbi konfliktin e vazhdueshëm.
“Kapitali nuk investon aty ku ka më pak debat politik. Investon aty ku ka më shumë siguri për të nesërmen”, përfundoi ai.
Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se raportet e DASH dhe KE për Shqipërinë po përdoren nga opozita për t’u pasqyruar si dështim i Shqipërisë. Sipas Ibrahimajt, opozita përdor fragmente nga raportet të cilat i nxjerr nga konteksti që më pas të krijojë përshtypjen e regresit.
“Në thelb, për të dy raportet, qëndrimi i opozitës është i njëanshëm. Ata marrin pjesë kritike të raporteve, i shkëpusin nga konteksti, i amplifikojnë politikisht për të krijuar përshtypjen se Shqipëria ndodhet në regres ekonomik, institucional dhe politik. Kjo nuk është ajo që raportet thonë. Të dy raportet janë profesionale dhe të balancuara. Ato evidentojnë sfida në qeverisje dhe vetë qeveria nuk i mohon këto sfida. Pasja e sfidave është normale për çdo vend kandidat në BE. Ajo që bën opozita është diçka tjetër. Ajo përpiqet t’i marrë rekomandimet dhe jo t’i paraqesë ato si komente konstruktive, por si dështim i Shqipërisë”, tha Ibrahimaj.
Sipas saj, raportet përmbajnë një sërë treguesish pozitivë në fushën e ekonomisë çka në të vërtetë hedh poshtë pretendimet e opozitës.
“Vetë raporti që opozita e përdor si raport për të paraqitur dështimet e ekonomisë, identifikon sukseset e ekonomisë shqiptare”, tha Ibrahimaj.
Ministrja nuk mohoi edhe sfidat që evidenton progresraporti dhe tha se duhet punuar më tepër. Por, nënvizoi Ibrahimaj, nuk flitet për ngecje të procesit, vetëm për rekomandime.
“Progresraporti identifikon edhe fusha në të cilat ne duhet të punojmë më shumë dhe të përmirësohemi si shteti ligjor, aksesi në financë, mirëadministrimi i ndërmarrjeve shtetërore apo rritja e produktivitetit në fusha si bujqësia dhe kjo është ajo që duhet bërë, jemi duke hartuar politika. Progresraporti konfirmon avancimin historik të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Nuk shoh në asnjë vend bllokim të negociatave, punë të keqe të qeverisë. Shoh rekomandime për punë më të mirë në disa elementë, sektorë, pjesë të qeverisjes ku duhet të punojmë sepse procesi i integrimit europian ka të bëjë me reformim ligjor, institucional, ekonomik dhe të gjitha këto reforma shkojnë në drejtim të uljes së korrupsionit, rritjes së mirëadministrit dhe përparimit të shqiptarëve drejt tregut të përbashkët europian”, përmbylli Ibrahimaj.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku duke folur për procesin e integrimit në Kuvend tha se opozita e ka treguar qëndrimin e saj pro anëtarësimit. Tabaku tha se një vend nuk bëhet europian duke hapur kapitujt në letër, por duke ndërtuar institucione reale dhe reforma të pakthyeshme. Tabaku tha se mbetet problem pandëshkueshmëria, apo se tenderët, investimet strategjike janë janë kthyer instrumente mjet kontrolli politiko-ekonomik.
“Një vend nuk bëhet më evropian duke hapur kapitujt në letër, por duke ndërtuar institucione që funksionojnë realisht, kur drejtësia nuk ndalet para pushtetit, kur zgjedhjet nuk kontrollohen nga shteti kur mediat nuk kontrollohen nga qeveria, shumë raporte i kanë theksuar ashtu siç i thekson edhe raporti i PE. Progresi nuk matet me numrin e ligjeve të miratuar por me reforma të qëndrueshme dhe të pakthyeshme. Opozita i ka ngritur këtë shqetësime, duke nisur me korrupsionin. Problemi është mungesa e pandëshkueshmërisë, tenderët, investimet strategjike, planifikimi urban janë kthyer instrumente mjet kontrolli politiko-ekonomik. Këtë duhet të luftojmë e të dënojmë. Kapja e shtetit nuk nis vetëm kur kontrollohen gjykatat, por ekonomia, tenderët, mediat, procesi zgjedhor e të gjitha sot këto janë duke ndodhur. Nuk jemi vonë e nuk mund të jemi vonë për të ndryshuar edhe perceptimin që ka publiku. I kam humbur shpresat që kjo mazhorancë ndryshon, por sot procesi i integrimit na kërkon që ne të sillemi ndryshe e të veprojmë ndryshe, na kërkon rezultate, drejtësi që nuk ndalet para pushtetit, zgjedhje ku partia nuk bëhet shtet, media që nuk jeton me frikë. Arsyeja kryesore është se integrimi nuk është teknik, politik, testi i demokracisë, opozita e ka treguar që është pro këtij procesi”, tha Tabaku.
Karrigia e kryeministrit Edi Rama në sallën e Parlamentit është bosh. Për një moment ajo u vu në përdorim nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha teksa po bisedonte me numrin 2 të qeverisë, Albana Koçiun.
Ishte punonjësja e Administratës së Kuvendit, e cila i kërkoi Hoxhës të çohej pasi nuk lejohet që askush tjetër përveç Ramës, të ulet në karrigen e shefit të qeverisë.
Hoxha ndërron vend së bashku me Koçin për të përfunduar bisedën e lënë përgjysmë, ndërsa shihet teksa e buzëqesh më pas për atë çka ndodhi.
Zëvendëskryemistrja Albana Koçiu tha se narrativa politike që përdor opozita, nuk i shërben Shqipërisë dhe procesit të integrimit. Koçiu ndëras foli për arritjet e Shqipërisë drejt integrimit në BE, tha se opozita po dezinformon dhe po përdor si armë politike fjali të marra nga raportet e të shkëputura nga konteksti.
“Ka debate politike që bëjnë për zhurmë dhe të tjera që shërbejnë për të sqaruar të vërtetat. Kur flasim për integrimin në BE, nuk flasim për fatin e një partie politike, as për interesin e një qeverie, por për drejtimin historik të Shqipërisë, për standardin evropian që kemi zgjedhur prej kohësh.
Edhe pse bëhet fjalë për një çështje të rëndësishme, më vjen keq që edhe raportet më serioze ndërkombëtare tentohen të përdoren si materiale propagandistike. Në fund krijohet ideja sikur Shqipëria është një vend pa arritje. Realiteti matet me fakte, rezultate dhe besueshmëri ndërkombëtare. Negociatat janë hapur, kapitujt po ecin me ritëm. Kjo nuk është një arritje e zakonshme, është ndryshim gjeopolitik dhe institucional.
Vetëm disa vite më parë, Shqipëria përmendej si një vend që ende dilte nga tranzicioni. Vendi ka bërë reforma të vështira, janë marrë vendime që shpesh kanë pasur kosto politike. Raportet përmendin edhe çështje që kërkojnë vëmendje; kërkohen më shumë rezultate dhe kjo është normale. BE nuk është një klub, është një familje shtetesh ku hyn vetëm nëse provon se je i aftë të ndërtosh drejtësi funksionale dhe standarde politike.
Është shumë e lehtë të marrësh një fjali, ta shkëpusësh nga konteksti dhe ta përdorësh si armë politike. Përgjegjësia jonë është të themi të vërtetën. Shqipëria është sot më afër Evropës se kurrë më parë. Evropa nuk na kërkon të biem dakord për gjithçka, por pret që ne të sillemi si shtet serioz, që konfliktin politik të mos e kthejmë kundër Shqipërisë. Integrimi evropian nuk mund të ecë me politikën e djegies së urave të komunikimit, as duke e nxirë Shqipërinë në çdo tryezë ndërkombëtare. Dëmi i bëhet Shqipërisë, jo qeverisë’, tha Koçiu.
Kuvendi diskuton sot procesin e integrimit në BE, një diskutim i parashikuar të zgjasë rreth 5 orë. Megjithatë, rreth dy orë pas nisjes së seancës plenare, deputetët i kanë lënë karriget bosh.
Siç pamjet tregojnë, në sallë ka vetëm një numër të paktë deputetësh, ndërsa janë të pranishëm disa prej ministrave si dhe zv/kryeministrja Albana Koçiu që po mban fjalim.
Deputeti i PS Igli Hasani iu përgjigj kritikave të opozitës lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe pretendimeve për privatizim të këtij procesi. Hasani u shpreh se bashkëpunimi i opozitës me qeverinë nuk do të thotë të zerohet kritika, por integrimi nuk duhet që integrimi të kthehet në betejë të përditshme.
“Ta hedhësh poshtë një bllok që konsolidon një informacion kaq komplet nuk i shërben debatit. E përdorim si bazë për të parë çfarë është bërë e çfarë duhet bërë e kur duhet të përshpejtohen reformat. Raporti nuk është fundi i llogaridhënies por fillimi. Nuk e shoh Kuvendin si noter të integrimit, por garant të transparencës dhe mbikëqyrjes. Integrimi evropian nuk është një projekt zyrash por i një shoqërie të tërë. Nëse qytetarët nuk e kuptojnë procesin nuk mund ta ndjejnë si të tyren. BE nuk është vetëm destinacion politik, është standard dhe nuk i shërben procesit kritika pa perspektivë e euforia pa masë. Ajo që e çon vendin përpara është puna serioze e llogaridhënia për punën. Konsensus nuk do të thotë mungesë kritike, por të mos e kthejmë integrimin në betejë të përditshme. Shqipëria po punon për mënyrën sesi do të hyjë në Evropë. Për herë parë Evropa nuk është më ëndërr, por nj standard që mund ta kërkojmë këtu”, tha Hasani.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se ka bllokuar procesin e integrimit në BE pasi zgjodhi të mbrojë Belinda Ballukun. Në seancën maratonë në Kuvend, Bardhi deklaroi se Rama nuk e kaloi testin e BE dhe tashmë Europa po na vendos kusht pas kushtesh për procesin e integrimit.
Deputeti demokrat kujtoi edhe fushatën zgjedhore, duke thënë se Rama u premtoi shqiptarëve pasaportë të BE, por sipas tij e vetmja gjë për të cilën ka nevojë Shqipëria është të mbyllë edhe kapitullin e dështuar të Edi Ramës.
“Po i ngop shqiptarët me lugën bosh të 2030. U premtoi shqiptarëve në zgjedhje pasaportë të BE. Prezantonte pasaportën e Shqipërisë sikur Tirana të ishte bërë anëtare e BE, para pak muajsh e harroi premtimin dhe na tha se kishte disa vende të BE që nuk na duan. Disa javë më parë firmosi me Vuçiç tërheqjen nga anëtarësimi i plotë dhe i menjëhershëm, ndërsa sot ka sjellë një raport ku letra është shumë larg realitetit, në realitet nuk është se ndonjë vend anëtar i BE na e ka me hile, e vërteta është se është Rama që na e ka me hile. Ai zgjodhi Ballukun para BE. Rama nuk e kaloi testin e Europës dhe sot vendet e BE po na vendosin kusht pas kushtesh duke shprehur hapur mosbesimin ndaj kësaj qeveri. Në letrat e dhe raportet e Ramës çdo gjë duket perfekte, por Europa nuk është propagandë, është barazia para ligjit të cilin Rama e shkeli me të dyja këmbët për hatër të Ballukut. Europa nuk është noter i qeverisë, është llogaridhënie, të lejosh opozitën të ngrejë komisione hetimore, të mos u fshihesh interpelancave.
Alternativa jonë është një Shqipëri ku integrimi Europian nuk përdoret si propagandë, apo si monedhë politike për të negociuar heshtjen ndaj korrupsionit, për ne është standard qeverisje. Kjo është arsyeja pse vendit i duhet ndryshim politik, Shqipëria nuk ka nevojë të hapë kapitujt me Europën, ka nevojë të mbyllë kapitullin e pandëshkueshmërisë dhe kapitullin e dështuar të Ramës”, tha Bardhi.
Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i solli ndërmend Ulsi Manjës etikën e komunikimit në Kuvend. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve kërkoi fjalën për procedurë pasi mbaroi Berisha, Peleshi i tha se s’mund t’ia jepte për shkak të minutazhit. Gjatë vijimit të kërkesës së tij, Manja iu drejtua në mënyrë konfidenciale, por Peleshi iu përgjigj prerazi.
Niko Peleshi: Nuk ka fjalë për procedurë se jemi me minutazh të caktuar. Nuk mundet, jemi në diskutime me minutazh të përcaktuar. Në orën 16:30 duhet të kenë përfunduar të gjithë diskutimet!
Ulsi Manja: O Niko!
Niko Peleshi: Unë nuk jam Niko! Ju lutem! Do të flasësh kur të vijë radha!
Pas këtyre fjalëve të Peleshit, opozita duket se u kënaq pasi shpërtheu në duartrokitje.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla tha se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi rreth të cilit vërtiten veprimi politik, institucional dhe shoqëror i çdo dite.
Ndër të tjera Balla tha se roli i opozitës është i pazëvendësueshëm ashtu si dhe i Kuvendit në tërësi si dhe bëri thirrje për rritje të diplomacisë parlamentare
“Jemi përpara një momenti që kërkon qartësi politike, vetëdije historike dhe përgjegjësi institucionale. Anëtarësimi i Shqipërisë në BE është objektivi ynë strategjik madhor. Është objektivi që prin agjendën tonë të reformave, të ekonomisë e shoqërisë. Nuk është një aspiratë e përgjithshme e as një slogan për t’u përsëritur në raste të tilla, por ky është ai bosht rreth të cilit duhet të rrotullohet veprimi ynë politik e institucional.
Shqipëria ndodhet sot në një fazë të re, më dinamike dhe të matshme. Kemi kaluar nga faza e aspiratës në atë të veprimit, nga premtimet në rezultate. Shqipëria ka arritur që brenda 13 muajve të hapë 6 grupkapitujt negociues. Ritëm historik. Vendi ynë nuk po ecën me hapin e dëshirës, por të realizimit.
Përparimi nuk ka ardhur rastësisht, është rezultat i vullnetit, disiplinës dhe një koordinimi mes qeverisë, Kuvendit, pushtetit vendor, institucioneve dhe shoqërisë civile. Mendoj që Kuvendi ka rolin më të rëndësishëm. Procesi i anëtarësimit është një proces kombëtar ku Kuvendi ka rolin e pazëvendësueshëm. Këtu zhvillohet debati demokratik, ku do doja që gjuha e sotme të ishte gjuhë e përditshme.
Gjatë viteve 2025-2026, Shqipëria miratoi të paktën 222 akte ligjore në funksion të integrimit. Kemi trefishuar ritmin e harmonizimit ligjor me atë institucional. Duhet ta dyfishojmë në muajt në vijim. Roli i opozitës është i pazëvendësueshëm. BE nuk ndërtohet me negociata teknike, por me parlament të fortë. Duhet të thellojmë bashkëpunimin, të rrisim diplomacinë parlamentare”, tha ndër të tjera Balla.
Sali Berisha akuzoi mazhorancën se procesin e integrimit po e bazon në mashtrime, censurë dhe fshehje të së vërtetës.
“Ju e ndërmerrni këtë proces të bazuar në mashtrime, manipulime, censurë, fshehje të të vërtetave. Ky është dallimi që ekziston mes nesh dhe jush”, tha Berisha.
Kreu i PD shtoi se këto 5 muaj në Bruksel ka pasur debate intensive për Shqipërinë.
“PD ka deklaruar në atë kohë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter veç atij gjeopolitik, por mbështesim integrimin në BE. Gradualisht, ju faktuat ato që ne kishim thënë për ju. Faktuat me vepra konkrete se jeni jo për integrimin, por plaçkitjen, pasurimin e paligjshëm të shqiptarëve. Ky 5-mujor, ka qenë 5-mujori i interesit maksimal i debateve më intensive në Bruksel për Shqipërinë”, tha Berisha.
Më tej, e quajti mazhorancën “hipokrite” që do të flasë për integrimin, kur votoi pro imunitetit të Belinda Ballukut, një akuzë që opozita e ka përdorur se po pengon negociatat me BE. Sipas tij, raporti i pikave të ndërmjetme, IBAR, është kundër propozimit Rama-Vuçic për anëtarësimin pa të drejtë vetoje.
“Zgjedhjet e 11 majit ishin zgjedhje në të cilat institucionet e shtetit u shkrinë me strukturat partiake. Në Bruksel, damkosët siç jeni, korruptorë, Edi Rama dhe Lubi Bllukun janë bërë famëzi në Bruksel dhe çdo kancelari europiane. Dosja Balluku dhe AKSHI qarkullon në mbarë Europën. Edi Rama u detyrua t’i fshijë këpucët Lubi Ballukut kur ajo nxori gjithë dosjet që disponon për Edi Ramën dhe hodhi në kosh të plehrave mantrën e reformës në drejtësi, i mbylli dyert prokurorit. Ju që flisni sot për integrimin, o hipokritë, a nuk jeni ju që votuat për Lubi Ballukun? Çfarë do të diskutoni sot? Ju e keni hipokrizi integrimin. Raporti thotë se ka sjellë në parlament çdo 3 muaj qeveria. Keni parë gjë raport ju deputetë? Ku janë raportet që sipas ligjit duhet të ishin paraqitur në parlament? Raporti dënon letrën famëzezë të Ramës dhe Vuçiçit që kërkoi integrim jashtë kushteve demokratike. Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët”, tha Berisha.
Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, mbetet një nga qëllimet më të rëndësishme të qeverisë. Dhe njëherë tjetër, Hoxha theksoi se negociatat nuk janë bllokuar ndërsa bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë politik dhe në një klimë konstruktive dialogu në parlament.
“Marrëdhëniet tona me BE-në dhe vendet anëtare kanë qenë asnjëherë më të ngushta se sot. Rezultatet konkrete dhe reformat janë i vetmi kriter vlerësimi për BE-në. Vendi ka avancuar me një ritëm të përshpejtuar dhe të vlerësuar; Shqipëria ka konsoliduar pozicionin e saj së bashku me Malin e Zi. Kur flitet për zgjerim, përmendet edhe Shqipëria dhe objektivi për të mbyllur negociatat teknike në vitin 2027. Zyrtarët më të lartë të BE-së kanë theksuar se, nëse ruhet ritmi aktual, ky objektiv i anëtarësimit brenda vitit 2030 është absolutisht i arritshëm. Procesi kryesor është ai i shqyrtimit të raportit të KE-së për piketat e ndërmjetme. Ndryshe nga sa dëgjohet, ky proces nuk është bllokuar e as ndaluar nga shtetet anëtare. Si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme në KE; do të jetë në atë tryezë vetëm kur të jetë anëtare. Procesi i integrimit duhet të mbështetet në një klimë konstruktive dialogu dhe bashkëpunimi”, tha Hoxha.
Albana Vokshi përsëriti në Kuvend fjalët e saj në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme se raporti i qeverisë për integrimin nuk thotë asgjë, ndërsa akuzoi sërish mazhorancën se po e mban hermetikisht sekret procesin.
“Është një nga raportet më të dobëta. Nuk i jep përgjigje asnjë çështjeje dhe as nuk informon publikun. Kjo është arsyeja pse procesi e mbani sekret. Dhuka duhet të ishte sot këtu për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve të deputetëve. Edi Rama s’duhet të flasë serbisht, por shqip. Mali i Zi shumë shpejt do të mbyllë gjithë kapitujt dhe do të hyjë shumë më parë se Shqipëria në familjen europiane. Është një proces që po e mbani sekret hermetik. Çfarë sekreti mbani? Madje, u kërkohen certifikata sigurie personave që bëjnë negociatat”, tha Vokshi.
Kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani lexoi në Kuvend projektrezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE e dakordësuar mes PS dhe PD.
“Anëtarësimi në BE është objektiv strategjik kombëtar. Procesi i anëtarësimit bazohet në meritë. Shqipëria ka hapur mespërmes kapitujve të integrimit dhe është në pritje të miratimit të IBAR. Integrimi kërkon transformim thelbësor. Kuvendi angazhohet të forcojë në tërësi rolin e vet në përshpejtimin e anëtarësimit në BE. Të ushtrojë funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës duke garantuar cilësinë e legjislacionit. Të forcojë kontrollin parlamentar duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes së pushteteve. Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët e aktorët e shoqërisë. Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore për garantimin e zgjedhjeve të lira. Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, të monitorojë luftën kundër dezinformimit. Të nxisë dialog politik dhe shoqëror. Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i anëtarësimit në BE”, tha ndër të tjera Hasani.
Gazment Bardhi kërkoi llogari në Kuvend për mungesën e kryeministrit Rama në ditën kur do të diskutohet projektrezoluta për integrimin. Kreu i grupit parlamentar të PD tha se s’mund të diskutohet për një proces me rëndësi të tillë pa praninë e Ramës, ndërsa shtoi se ky i fundit është paraqitur vetëm 2 herë në Kuvend.
“Raportimi i Këshillit të Ministrave për integrimin është pjesë e llogaridhënies që qeveria jep në Kuvend. është kryeministri që sipas Kushtetutës, përfaqëson Këshillin e Ministrave. Duhet të ishte kryeministri në seancë që të informonte Kuvendin. Aq më tepër, që kemi një ministër shteti përgjegjës për negociatat me BE. Secili përgjigjet sipas përgjegjësive që ka përpara Kuvendit të Shqipërisë. Nuk mund të ndodhë që të diskutojmë për një proces që e kemi quajtur prioritet strategjik mbarëkombëtar dhe nuk kemi kryeministrin prezent. Nuk ndodh në asnjë vend të botës që kryeministri të vijë në Kuvend vetëm 2 herë për të votuar. Është kryeministër karton. Vjen vetëm kur duhet numri përkatës për votat në Kuvend”, tha Bardhi.
Kryetari i PD Sali Berisha kërkoi që raporti i qeverisë për integrimin në BE dhe ai i miratuar në Komisionin Evropian, të lexohet në Kuvend. Berisha thotë se raporti është i mbushur me mashtrime nga PS dhe se qeveria e Ramës kërkojnë që t’ia fshehin të vërtetën qytetarëve.
“Keni paraqitur raportin mbi integrimin në BE, i cili ng alfa te omega, është mashtrim dhe vetëm mashtrim. Ky është një akt i rëndë në një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët, ju paraqisni një raport që nuk guxoni ta lexoni dhe vendosni që raporti të mos lexohet që qytetarët të mos njihen me mashtrimet tuaja. Kërkoj të tërhiqet menjëherë raporti. Është fund e krye mashtrime dhe burokraci. Përsa i përket performancës, janë trillime. Të gjitha nxihen nga një figurë, Rama dhe Lubia. Ajo mbetet kryehajdute pas Ramës. Raporti nuk miratohet, duhet të lejohet këtu dhe mbi bazën e raporti të lexuar të Këshillit të Ministrave të bëhen diskutime e më pas të miratohet rezoluta. Sepse keni mbushur me mashtrime”, tha Berisha.
Pasi mori fjalën në Kuvend, Sali Berisha gjeti edhe një moment për të sulmuar deputeten socialiste Elisa Spiropali duke thënë se ajo e ka quajtur Ramën Skënderbe dhe ai e ka flakur.
“Dhe ju që po më shihni atje, do u bëj një pyetje unë këtu, si ka mundësi që ajo e quan Pallosh i Gjatë dhe ai bën gjithçka për ta mbrojtur, kurse ti e quan Skënderbe dhe të flak. Cila është arsyeja?”, tha Berisha.
Elisa Spiropali iu përgjigj Sali Berishës për deklaratën e tij duke thënë se ai është njëkohësisht denoncues dhe garantues i sistemit e kjo kontradiktë, e bën të pabesueshëm për qytetarët.
“Sali, je i pabesueshëm sepse njëkohësisht edhe denoncuesi më i madh, edhe garantuesi më i madh i sistemit. Kur të çlirosh sistemin, kur të çlirosh partinë, opozitën, mund të flasim këtu dhe ndoshta termat doktor do të të ngjisin më shumë. Sot për sot, kontradikta e të qenit edhe denoncues, edhe garantues, u jep qytetarëve të drejtën mos të të besojnë”, tha Spiropali.
Në nisje të seancës parlamentare, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi se interpelanca me kryeministrin Rama e kërkuar me urgjencë nga deputetët e PD për ”Smart City”, nuk pranohet.
“Kam kthyer përgjigje për mospranim ndaj një kërkese urgjente për një interpelancë nga grupi parlamentar i PD. Nga shqyrtimi i saj rezulton se objekti nk lidht drejtpëdrejt me një veprim apo mosveprim konkret të Këshillit të Ministrave, por mbështetet në raportime mediatike, emisione investigative dhe pretendime nga palë të treta. Kërkesa nuk përmbush natyrën dhe qëllimin kushtetues. Kërkesa për interpelancë urgjente nuk pranohet”, tha Peleshi.
Komente









Mos e merrni seriozisht bujar lecken se ka qen tap...
Përgjigju