Interpelanca në Kuvend për grabitjen/ Lleshaj akuzon 'TIA'-n: Njoftoi 30' me vonesë, do të marrim masa (Debatet)

Interpelanca në Kuvend për grabitjen/ Lleshaj akuzon 'TIA'-n: Njoftoi 30' me vonesë, do të marrim masa (Debatet)

TIRANE-Prej orës 10:00 vijon seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Seanca ka nisur me interpelancën e thirrur nga opozita e re me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj për sigurinë pas grabitjes së Rinasit. Lleshaj i është përgjigjur pyetje të opozitës lidhur me grabitjen, ku ka dhënë detaje të reja mbi ecurinë e hetimeve.

Ministri theksoi se policia e shtetit është njoftuar me vonesë nga koncesionari (TIA) që duhet të garantojë sigurinë brenda aeroportit të Rinasit. Kjo është bërë shkak për mosndërhyrjen në kohë, sipas tij, duke theksuar se informacionin, uniformat blu e kanë marrë nga palë të treta. Në rendin e ditës janë edhe disa cështje të tjera që po diskutohen. 

Kuvendi ka miratuar me 89 vota pro aktin normativ për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut dhe me 87 pro projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar. Aktualisht po zhvillohen diskutime të lira në Kuvend.

Kjo është seanca e parë plenare që pas datës 16 shkurt që opozita nuk proteston jashtë ambienteve të Kuvendit, pasi deri tani ka zhvilluar gjashtë tubime, ndërsa tre të tjera para Kryeministrisë. Sot opozita do të vendosë së si do të vijojë me aksionin opozitar, PD dhe LSI do të mbledhin strukturat për strategjinë kundër qeverisë. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:44
'Bëri për një lek holandezët'/ Opozita e re e Balla replika për kërkesën e Holandës për vizat

1555589404_nimetmusai.jpg
Deputeti demokrat Myslim Murrizi fajësoi klasën politike të 29 viteve që sipas tij është bërë pengesë për integrimin në Europë, ndërsa ironizoi edhe Bashën.

"Rama e bëri qeverinë holandeze për një lek, mirë e bëri. Por prej 29 vitesh elita politike e këtij vendi nuk ka dashur që Shqipëria të jetë në Europë. Sa për koret, ky vendet ka 22 vite që dëgjon lloj lloj koresh, tani në fund kori tik tak (i referohet Bashës)" tha ai.  

"Duke dëgjuar kryeministrin e vendit tim më lind e drejta që të bëj një deklaratë të përbashkët të kuvendit që shqetëson qytetarët e Shqipërisë. Kërkoj që bashkërisht kur vjen puna për të mbrojtur shqiptarët ka vetë një fe, shqiptarizmi" tha Nimet Musaj.

Ndërsa Balla replikoi duke thënë se 'Do apo nuk do deputetja holandez Van Toorenburg (për të cilën tha dje se është mikja e Bashës) shqiptarët do të vijojnë që të lëvizin të lirë".

Ora 13:45
Vizat me Holandën, Rama replika me Hajdarin: E kam shumë problem kur më citojnë gabim (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ka replikuar me deputeten demokrate Rudina Hajdari e cila tha se kryeministri ia hodhi fajin opozitës për votimin e parlamentit holandez për rikthimin e vizave.

‘E kam shumë problem kur më citojnë gabim. Nuk thashë që për vendimin e parlamentit holandez e ka fajin PD. Është iniciuar nga disa parti që shëiptarët i kanë kthyer në mish për top për qëllime politike’, u shpreh Rama.

Ora 13:30
Replika me Ramën/ Hajdari: Holanda mund të pengojë negociatat, gati për reformën zgjedhore (VIDEO)

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat në parlament, Rudina Hajdari replikoi me kryeministrin Edi Rama pas deklaratës së tij për vendimin e Holandës për vizat, negociatat dhe reformën zgjedhore.

"Më takon të bëj replikë meqë jam kryetare e grupit demokrat. Rama ia hedh fajin opozitës jashtë sallës për vendimin e Holandës, por edhe kriteret që duhet të përmbushë kjo qeveri. Ky vendim është shqetësues, pasi mund të ketë ardhur nga disa parti holandeze që mund të jenë ekstremi i djathtë, por votuan pro 102 deputetë. Duke ditur procesin e integrimit europian. Si do të jemi ne në gjendje që ti mbushim mendjen Holandës për të mos votuar kundër hapjes së negociatave.

Me dëshirën si opozitë që të hapim negociatat, më duket se ky vendim i parlamentit holandez është shqetësues. Kemi një lëvizje brenda BE-së që është kundër zgjerimit dhe ky vendim mund të shkojë zinxhirë në vende të tjera, Franca, Danimarka apo të tjera. Uroj që kjo gjë mos të ndodhë. I rekomandoj qeverisë që të ketë një strategji për shqetësimet që kanë, problemeve që vendet e BE-së shfaqin për shqiptarët. Përsa i përket reformës zgjedhore, unë dhe grupi parlamentar duam të kemi një diskutim të hapur për ndryshimin e sistemit, pasi ndryshimi Kushtetues në 2008 solli degradimin e lirisë dhe demokracisë.

Ndoshta ju nuk jeni dakord, e kuptoj hallin tuaj, por unë jam dakord me ju që duhet të implementojmë raportin e OSBE-së. Grupi demokrat do të ketë propozimet e qartë do të kemi një paketë të qartë. Do të kemi ndryshime për Kodin zgjedhor, depolitizimit të administratës zgjedhore dhe shumë të tjera dhe adresimin e shit blerjes së votës. Duam që ta kurorëzojmë me ndryshimin e sistemit. Ne jemi dakord që të shqyrtojmë sistemin si mazhoritar të pastër apo proporcional me lista të hapura
" tha Hajdari.

Ora 12:41
Rama: Shanset që të rikthen vizat zero, vendimi i Holandës politik, qeveria s'lëviz

TIRANE-Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit ka folur për herë të parë për mocionin e votuar në parlamentin holandez, që i kërkon Brukselit rikthimin e vizave për shqiptarët. Rama qetësoi shqiptarët duke garantuar se nuk do të ketë rikthim vizash dhe se vendimi është politik.

Ai tha se shanset që të rikthehen vizat janë zero. Arsyet e vendimit të parlamentit holandez, Rama i gjen lufta e brendshme politike në Holandë në prag të zgjedhjeve. Megjithatë, kryeministri sqaroi se edhe nëse qeveria holandeze do ta dërgojë mocionin e parlamentit në Bruksel, ai duhet të kalojë në shumë procedura dhe kërkon shumicë të cilësuar për t'u aprovuar, ndërsa fjalën e fundit në këtë proces nëse do të shkojë deri në fund e thotë Parlamenti Europian.

"Një festë fyese në Tiranë për arsyet e atij vendimi dhe aspak përbuzëse për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi në kushtet kur ai vendim u përcoll në kanalet televizive si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve, ndërkohë që është një vendim thjeshtë dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda, ku nuk është sekret ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intesive kundër zgjerimit dhe emigrantëve dhe shqiptarëve.

Është një procedurë parlamentare që nuk ka asnjë implikim të drejtpërdrejt në lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Për të shpjeguar pak më konkretisht se për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere, asnjëra nuk përkon me realitetin e faktorit shqiptar në Holandë.  Ministri për Drejtësinë në Holandë ka fjalën e tij reagoi duke thënë këtë, 'nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për ta adresuar'.

Për rikthimin duhet të ketë rritje e emigracionit, rritje e azilkërkuesve, që nuk është e vërtetë, pasi ka ulje, duhet të vërehet mungesë bashkëpunimi, por ka rritje, e konstatuar nga holandezët, së katërti duhet që vendi të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit që ndërmerr këtë procedurë, nuk ekziston dhe së pesti duhet të konstatohet kthimi pas i kritereve teknike, por vlerësoj nga KE, që në dhjetor të 2018 nënvizoi se i plotëson 100%.

Qeveria nuk ka ndërmarrë hapa që në bazë të vendimit të parlamentit, në kushtet e një fushatë elektorale, që ti drejtohet KE-së dhe pastaj KE-ja nëse ka adresim nga qeveria holandeze e shqyrton kriteret që sapo fola. Pastaj nëse do të shkohet në Këshill, duhet konsensusi i të gjitha vendeve për të çuar përpara procedurën. Shumica e cilësuar në rast se ka reagim nga një vend për të vendosur veton kundër konsensusit.



Edhe në këtë skenar imagjinar, nëse garantohet shumica e cilësuar për të pranuar këtë procedurë, i dërgohet parlamentit Europian, është një rrugëtim i atillë, që mjafton të njohësh procesin për të kuptuar që ajo që ka ndodhur është futja në funksion e disa partive politike që janë haptazi parti me një vokacion në kundërshtim me vlerat dhe parimet që mbrojnë partitë normale europeiste.

Duke pasur dijeni se është shfaqje politike me sfond elektoral janë bashkuar edhe vota të tjera për të mos rënë në presion, pra një lojë e brendshme e një dinamike të brendshme që nuk impakton lëvizjen e lirë, zero. Kompanitë e tyre si 'Shell' në Shqipëri vijnë dhe nuk kanë ngritur asnjë shqetësim. Po pse portin e Roterdamit, kush e ktheu në han për trafiqet, kur dolën shqiptarët në Europë? Jo ore, ishte më parë, ka qenë dhe do të jetë. Ministri i Drejtësisë së Holandës e pranoi se ishte një vendim në hava" tha ai. 


Kryeministri Rama e cilësoi si të neveritshme sjelljen e opozitës në Tiranë për vendimin e parlamentit holandez. Ai theksoi se qeveria nuk lëviz, pavarësisht aksionit opozitar të PD-së dhe LSI-së. "E pagëlltitshme është festa në Tiranë. Lufta politike dëshpëruese e një grupi që përpiqen ti vendosin zjarrin shpresave, ëndrrave dhe perspektivave dhe vetë vendit. Si mund të gëzohet një parti politike që thotë ja po vihet drejtësia po hiqen vizat për shqiptarët për shkak të Edvin Kristaq Ramës. 

Kjo është e neveritshme, por përse e bëjnë dhe si mund të arrijnë deri këtu, lufta e verbër për pushtet. Si mundet që dëshpërimi i humbësit të arrijë deri në pikën që të presë rrënjët dhe të sillet me vendin e vend, sikur të ishte armik i vendit të vend. Lufta politike në Shqipëri të katandiset deri në këtë derexhe, që dolën zëdhënës të atyre që nuk duan t'ia dëgjojnë zërin Shqipërisë. Sot duhet të na bashk0onte Shqipëria. Nuk e ndryshojnë dot qeverinë me kapsolla, apo duke kënduar himnin stonato, qeveria nuk lëviz.

Nuk e ndryshojnë duke kërcënuar, shantazhuar, apo bllokuar. Është e pamundur. Edhe sikur të futen këtu dhe të këndojnë këngë patriotike. jemi gati ti japim më shumë garanci atij që e kërkon, por parlamenti erdhi nga zgjedhjet më të pakontestueshme. Ka edhe një ofertë tjetër, se me këtë lloj xhiroje do rrëzohet qeveria, do të bjerë parlamenti dhe do të bëhen zgjedhje të parakohshme dhe na qënkan edhe shumicë, ajo 170 mijë vetë në bulevard, do të cliroka Shqipërinë. Duhet të jesh totalisht i gatshëm ta leshë mendjen pushim, që të pranosh cmendurira të tilla
" tha ai.

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla u shpreh dje se deputetja holandeze që ndërmori nismën për vizat kundër shqiptarëve është mikeshë e ngushtë e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Duke komentuar deklaratën, Rama tha se nuk dyshon se Partia Demokratike mund të ketë kontribuar në vendimin e Holandës për vizat. "Unë e kam lexuar që kjo është mikesha e këtij apo atij, pavarësisht se nuk dyshoj fare që mund të jetë një kontribut sado i vogël i PD-së rrugore (demokratëve që dogjën mandatet) në këtë proces, pasi nuk lënë gjë pa thënë për Shqipërinë".

Sot kreu i qeverisë kishte edhe një tjetër ofertë për opozitën. Ai tha se është gati që të ndërhyjë në Kodin Penal për të ashpëruar dënimet dhe ngushtuar rrethin e shit-blerësve të votave. "Ne kemi mundësi së bashku të adresojmë në kodin penal shumë shpejt disa masa të reja për integritetin votës, shit-blerjen e votës. Ne do bëjmë propozimet tona, palët e tjera të bëjnë të tyret. Ne mund ta shtrëngojmë rrethin për ata që ushtrojnë këtë aktivitet të paligjshëm në fushatë. Por nga ana tjetër, sot parlamenti italian ka një diskutim për shit-blerjen e votës. Gjithashtu do të vijmë shumë shpejt me ligjin e shpifjes për median.



 

Kemi punuar ngushtësisht me OSBE me një draft të dakordësuar, do të kërkojmë që të shtrëngohet rrethi i atyre që e kanë kthyer botën mediatike në llum. Në komisionin e reformës zgjedhore jemi gati dhe të vijnë, kemi një partie demokratike parlamentare dhe një rrugore. Me atë rrugoren jemi gati të diskutojmë të gjejmë mënyrën, por nuk mund të dalim në rrugë dhe të bëjmë garë se kush hedh më shumë kapsolla"përfundoi kryeministri Edi Rama.

Ora 12:30
Ndreu: Opozitës i pëlqen kriminaliteti, s'e zë gjumi po s'ndodhi një krim në ditë

Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu i ka cilësuar të pa drejta akuzat e opozitës ndaj policisë. Në fjalën e tij nga foltorja, Ndreu ka inkurajuar uniformat blu që të vijojnë punë ashtu siç kanë bërë deri më tani, teksa theksoi se i shfrytëzon politikisht ngjarjet kriminale.

“Policia e Shtetit po vepron shumë mirë, por unë e inkurajojë që të ecë përpara. Policia anatemohet nga opozita, sepse kriminaliteti iu pëlqen opozitarëve tanë. Nëse nuk ndodh një krim në ditë, ata nuk i zë gjumi në shtëpinë e vet”, tha ai. 

Ora 12:17
Pika kufitare me një kontroll, Lleshaj: Pas Kosovës, edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi

Një ndër pikat e diskutimit në seancën e sotme parlamentare, është edhe projekt ligji për një pikë të përbashkët kufitare me Kosovën. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është shprehur se nëpërmjet kësaj marrëveshje synohen lehtësira më të mëdha për  shkëmbimet tregtare, por edhe lëvizjen e qytetarëve. Lleshaj tha se po punohet që të ndiqet e njëjta frymë edhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malit të zi.

"Marrëveshja parashikon që nga 2 kontrolle, të jetë vetëm 1 kontroll. Deri më tani është bërë një punë e madhe në Morinë, si në aspektin e përmirësimit të procedurave, por edhe infrastrukturës edhe falë bashkëpunimit me BE. Po punohet që të ecim me njëjtën frymë edhe me Maqedoninë e Veriut  dhe Malin e Zi duke vendosur standarte të reja me një frymë europiane", tha Lleshaj.

Ora 11:26
Reforma Zgjedhore/ PS-ja pranon kërkesat e opozitës së re: Gati diskutimi për ndryshimin e sistemit elektoral

Tre grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, PS-së, grupi demokrat të drejtuar nga Rudina Hajdari dhe 'Të pavarurit' e drejtuar nga Nimet Musai kanë rënë dakord për zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe nisjen e debatit për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

Fillimisht, socialistët pranuan dje që të diskutojnë edhe ndryshime të sistemit zgjedhor në Shqipëri, pas këmbënguljes së deputetëve të rinj të opozitës, se nuk do të uleshin në komisionin e reformës zgjedhore pa u plotësuar ky kusht. Taulant Balla i dërgoi një letër Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi ku i kërkoi ndryshime në vendimin për Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ai kërkoi që afati i Komisionit që është deri më 5 maj të zgjatet deri në 28 nëntor dhe pjesë e veprimtarisë së Komisionit, të shtohen edhe çështjet e sistemit zgjedhor në Shqipëri. Por opozita e re sot në Kuvendin e Shqipërisë kundërshtoi procedurën e futjes në Kuvend të propozimit të Taulant Ballës.  

Ralf Gjoni, Rudina Hajdari dhe Nimet Musaj kërkuan kohë që palët, opozita e re dhe shumica të ulen dhe të diskutojnë draftin në mirëkuptim. Balla u shpreh i hapur për propozimet që mund të vijnë nga opozita e re, ndërsa pas takimit që zhvilluan së bashku me Damian Gjiknurin, bashkëkryetarit socialist të reformës, u shpreh se ranë dakord për të pranuar kërkesat e dy grupeve të reja në Kuvend për të nisur diskutimet për ndryshimin e sistemit elektoral.

Po roli i opozitës së vjetër kush do të jetë në reformën zgjedhore? Rama sot përsëriti ftesën. "Jemi gati në komisionin e reformës zgjedhore, kanë vendin e tyre si vëzhgues me status special. Nuk kemi çfarë bëjmë. Kemi një PD parlamentare dhe një Parti Demokratike rrugore. S’kemi ça bëjmë. Jemi gati të dialogojmë në pitstop me ata" tha kryeministri.

Diskutimet në Kuvend për Reformën Zgjedhore
Ralf Gjoni: Hajde të ulemi të hartojmë një draft dhe të bëjmë dicka me mirëkuptim, ju lutem tërhiqeni këtë, pasi është shkelur rregullorja për mënyrën si është futur në rendin e ditës.

Taulant Balla: Krijimi i grupeve parlamentare të opozitës është një moment i rëndësishëm për punën parlamentare dhe miqësisht do i kërkojë zotit Gjoni merreni me qetësi dhe dashuri përpjekjen time për të futur propozimin tuaj. Rregullorja parashikon që 24 orë para seancës mund të propozohet përfshirja në rendin e ditës. Objektivi është i përbashkët për reformën zgjedhore, sipas kërkesës suaj do të përfshirë edhe rishikimin e sistemit zgjedhor.

Kam provuar që 28 nëntor, të jetë edhe afati përfundimtar i këtij komisioni. Deri në fund të seancës kemi kohë për të pritur dhe shqyrtuar dhe pranuar të gjitha propozimet. Ju keni bërë një punë të mirë me propozime konkrete. Ne nuk kemi kushte për reformën zgjedhore. Në PS ka veëm një kusht për reformën, votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Në fund të seancës propozimet tuaja do të sjellin vendimin edhe sipas pritshmërive tuaja.

Ralf Gjoni: Atë qetësinë dhe dashurinë e paske mbajtur mend, ne jemi të qetë se kërkesa jonë buron nga sinqeriteti. Me dashuri po ju trajtojmë pasi nëse nuk do u trajtonim ashtu do e shikonit si do u trajtonin. Shërbimet e Kuvendit më njoftuan se kërkesa nuk ishte futur në rendin e ditës dhe e hapur për diskutim.

Hajde të ulemi dhe të diskutojmë, të gjithë bashkë. Rrimë këtu deri në 12 të natës dhe votojmë draftin. Vota e shqiptarëve jashtë, patjetër. Po ju sa vite keni në pushtet dhe në krevat me PD-në, kur ka qenë amendimi juaj i fundit për votën e shqiptarëve.

Gramoz Ruçi: Kuvendi ka vepruar në rregullore. Nëse kjo cështje do të përfshihet, sigurisht që do të ketë regjistrime emrash. Unë e shikoj kërkesën e Ballës si përpjekje për të kurorëzuar rezervat që shprehët në seancën e kaluar dhe përgëzoj. Do të përfshihet apo jo do kërkoja mirëkuptimin e tre kryetarëve të grupeve për objektin dhe kohë. Nëse ka nevojë për diskutim jemi gati.

Deklaratat pas mbledhjes së kryetarëve të grupeve parlamentare

Nimet Musaj: Ramë dakord që në ditët e ardhshme do të shikojmë propozimet në Kodin Zgjedhor për ndryshimet.

Taulant Balla: Kemi rënë dakord për të gjitha amendamentet që do i bëhen vendimit për funksionimin e reformës, do të vijojë në një numër më të reduktuar. Me një mandat më të zgjeruar, ku është përfshirë fjalë për fjalë sikur tha Hajdari dhe Gjoni për të filluar eksplorimin e ndryshimit të sistemit zgjedhor. I them PD-së që Kodi Penal parashikon ndëshkim të fortë për atë që cënon të drejtën e votës. Do apo nuk do deputetja holandez Van Toorenburg shqiptarët do të vijojnë që të lëvizin të lirë.

Ora 10:59
Lleshaj: Kompania ICTS arrogante, e licencoi Aviacioni Civil, do të marrim masa

Duke iu përgjigjur Murrizit, ministri Lleshaj tha se shuma e grabitur në aeroportin e Rinasit është mbi 5 milionë euro, ndërsa shtoi se kompania e sigurisë ICTS-së nuk licencohet nga policia e shtetit, por nga Aviacioni Civil. Në vijim ai paralajmëroi masa ndaj kompanisë. "Shifrat e grabitura, është diku te 5 pikë disa milionë euro. Punonjësit e ICTS-së, arrogantë, deri sot kjo kompani nuk është licencuar nga policia por Aviacioni Civil, do të merren masat që të futen në suazën e licencimit të policisë së shtetit".

Ora 10:52
Murrizi-Lleshajt: Sa milionë u grabitën, FNSH-ja ishte rastësisht në Rinas, koncesionari u tall me shtetin

Deputeti demokrat Myslim Murrizi kërkoi nga ministri i Brendshëm që të tregojë zyrtarisht sa është shumë e grabitur në Rinas. Për Murrizin, autorët e grabitjes kanë pasur informator nga brenda, pasi gjithcka ndodhi në 2 minuta e 49 sekonda.

"Komisariati në Rinas ka 112 efektivë, 56 janë sportelistë dhe 56 të tjerë të ndarë në tre turne ruajnë sigurinë nga jashtë, aq as i lejon konesionari. Unë e di mirë, pashë korrespodencën e shefit të komisariatit drejtuar TIA-s, kishin marrë përgjigje ironike fyese, 'cfarë iu duhet ju?' Akoma shqiptarët nuk dinë sa miliona euro janë grabitur në Rinas.

7 thasë me euro më thanë mua se janë vjedhur, të kujt banka ishin? Të Rafiasien, Tirana Bank dhe një banke të re, OPT, nuk e di nëse është bërë tani apo ka qenë. Me rregullore, kompanitë duhet të rrinë aty derisa të ngrihet avioni. Pastaj, cfarë është kjo arrogancë e koncesionarit. Këta u heqin rripin e pantallonave refugjatëve dhe u vjedhin celularin, rrinë tre muaj, vijnë dhe ikin pa inventar, ju nuk duhet të keni të dhëna.

Unë dyshoj se grabitja ka pasur informator nga brenda, i gjithë procesi ka ndodhur në 2 minuta e 49 sekonda. FNSH ka qenë rastësisht atje, për të marrë disa persona të deportuar, por kompania nuk e hapi derën. Ju keni arrestuar fukarenjtë, po këta pse nuk i arrestuan> Kompania tallet me shtetin. Ata para që janë vjedhur a janë brenda vendit apo kanë ikur?

Ju si ministër duhet të mbani përgjegjësi për atë që ka ndodhur. Cfarë informacioni keni për kompaninë ICTS-së, cfarë është kjo kompani dhe si i merr njerëzit në punë? Nëse mendoni se e keqja është koncesioni, ejani silleni në Kuvend ta anulojmë. Unë kërkoj që ju, së pari atë të Rinasit ta bëni komisariat" tha ai. 

Ora 10:28
Lleshaj i përgjigjet Gjonit: U njoftuam vonë, kontraktori privat ndaloi policinë të hynte në aeroport

Në interpelancën e thirrur nga opozita e re lidhur me grabitjen në Rinas, ministri i Brendshëm ka bërë përgjegjës kryesorë kompaninë koncesionare dhe atë të sigurisë, sipas së cilit kanë njoftuar ngjarjen me shumë vonesë. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të LSI-së, Ralf Hjoni, lidhur me ecurinë e hetimeve, Lleshaj ka njoftuar se janë siguruar prova të rëndësishme, që mund të çojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjen. Ai ka vënë theksin se nuk është cenuar siguria kombëtare, duke argumentuar se nuk mundet që 5 persona, edhe pse të armatosur të përbëjnë një rrezik kombëtar.  Në fund, Lleshaj ka parashtruar edhe disa probleme kyçe me të cilat përballet Aeroporti i Rinasit, që kanë të bëjnë jo vetëm me sigurinë, por edhe me shërbimin dhe u ka bërë thirrje palëve politike që të mos t'i japin kësaj ngjarje ngjyrime politike.

"Më keni bërë aq shumë pyetje, sa vetëm po t'i lexojë do më merrni 20 minuta. Është një ngjarje e rëndë, sepse është episod i përsëritur. Ka marrë të gjithë vëmendjen e duhur të Policisë, pavarësisht dhe ngarkesave të shumta të policisë, për të menaxhuar atë që ka rol kryesor. Ngjarja ka tentuar që të marrë ngjyrim politik, madje duke e drejtuar drejt absurdit. Ka pasur një gatishmëri të madhe për të ndërtuar skenar se çfarë mund të kishte ndodhur përveç asaj që kishte ndodhur. Si mund të nxihet më shumë se realiteti, kjo ka qenë qëllimi. Nuk është një cenim i sigurisë së vendit, nuk cenohet siguria nga 5 persona.

Ngjarja ka ndodhur në orën 9 prill 14:45, 5 persona të armatosur kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme parash dhe janë larguar drejt Tapizës. Ngjarja është shumë e njohur, por është një seri dështimesh të disa hallkave. Me një ligj të miratuar në këtë vend, përgjegjësia i është transferuar një kontraktorit  privat, unë s'kam qenë kurrë dakord, por ky vendimi është marrë në këtë Kuvend dhe është pranuar 15 vite me radhë dhe askush nuk e ka atakuar asnjëherë faktin bazë që kjo çështje e sigurisë është transferuar në duar private. Operatori privat ka njoftuat 5 min dhe 21 sekonda me vonesë, policinë e cila e kishte marrë informacionin në rrugë të treta, TIA ka njoftuar ngjarjen 30 minuta pasi ka ndodhur.

Kontraktori privat nuk ka lejuar të futet brenda policinë, se porta përkatëse nuk është hapur nga kompania e sigurisë së aeroportit.  Rrethimi s'ka dyer të sigurta, kamerat jo funksionale, zona e transitit ka probleme, 12 probleme të mëdha në cilësinë e shërbimit. Pas ngjarjes, janë marrë disa masa të rëndësishme, kemi marrë drejtimin e kësaj kompanie sigurisë, që ka humbur besueshmërinë tonë. Janë marrë masa për forcimin e patrullimit, policia ka marrë kontrollin edhe brenda aeroportit. Perimetri i jashtëm është vendosur nën ruajtjen e FA.

Me masat e marrë është garantuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Gjëja e vetme që e ndryshon këtë episod është reagimi i policisë, por policia ka reaguar madje shumë shpejt. Ka reaguar pa pasur asnjë njoftim, e ka marrë njoftimin nga rrugë të treta. Ka pasur një përplasje me armë, ku ka mbetur një viktimë. Ka qenë një krim i organizuar mirë. Ngjarja është në hetim, kemi siguruar prova të rëndësishme që japin shpresë të madhe për sukses në hetimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Besohet se është një ngjarje me të njëjtët autorë si të kaluarën. Kemi të bëjmë me grabitje me autorë profesionist, që më herët kanë shpërthyer një burg të sigurisë së lartë në një vend të BE. Është hera e parë që kemi një sukses fillestar. Garantoj qytetarët se siguria është e garantuar"
, tha Lleshaj.

Ora 10:20
“A jeni i gatshëm të jepni dorëheqjen?”, Gjoni llogari Lleshajt për grabitjen në Rinas

Deputeti Ralf Gjoni në interpelancën që ka thërritur në Kuvend i ka kërkuar shpjegime Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Rinas rreth një javë më parë, ku u grabitën rreth 10 milionë euro.

Gjoni thotë që është vendosur në pikëpyetje siguria kombëtare dhe është rrezikuar një vend i NATO-s dhe kërkon që Lleshaj të japë shpjegime përpara Parlamentit.

Ai i rreshton një sërë pyetjesh ku vë në pikëpyetje punën e Lleshajt në Ministri dhe kërkon e pyet nëse ai është i gatshëm të japë dorëheqjen ministri nëse nuk gjenden fajtorët e grabitjes.

A jeni i gatshëm të jepni dorëheqjen nëse nuk zbardhet ngjarja?“, ishin disa nga pyetjet që ngriti Gjoni në këtë interpelancë.

Ora 10:14
Opozita e re krijon dy grupe, Hajdari në krye të demokratëve: Do të marrim pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit (VIDEO)

TIRANE-Opozita e re ka krijuar dy grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët që pranuan mandatin nga listat e PD-së kanë krijuar grupin 'parlamentar demokrat' që do të drejtohet nga Rudina Hajdari. Ndërkohë që Partia Demokratike ka deklaruar më herët se nuk mund të përdorin emrin e kësaj force, pasi deputetët që kanë pranuar mandatet janë përjashtuar. Ndërsa deputetët nga listat e LSI-së e kanë quajtur grupin e formuar 'Të Pavarur' i cili do të drejtohet nga Nimet Musaj. Deri tani nga listat e PD-së dhe LSI-së kanë pranuar mandatin 23 deputetë, por jo të gjithë kanë pranuar që të bëhen pjesë e grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë.

Pas krijimit të grupeve parlamentare, Rudina Hajdari mbajti fjalën e parë si drejtuese e grupit demokrat duke vendosur edhe objektivat. Hajdari u bëri thirrje partive opozitare që të marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa shtoi se opozita e re do të përgatitet për të shpalosur një alternativë të re. Ajo tha se opozita e re nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e qershorit. Përsa i përket reformës zgjedhore, vajza e Azem Hajdarit u shpreh se kërkesa e grupit që ajo përfaqëson është ulja dhe gjetja e një zgjidhje për ndryshimin e sistemit, me qëllim që përfaqësimi të vijë nga populli.

"Dua të shpreh falenderim për kolegët që flas në emër të tyre pas krijimit të grupit parlamentar demokrat. Këta demokratë janë vërtetë që kanë dhënë kontributin e tyre në zonat e tyre dhe i shikoj si të denjë. Jam e nderuar që i përfaqësoj dhe flas në emër të tyre. Por cilat janë synimet tona gjatë jetës parlamentare në këtë legjislaturë? E para, do të përfaqësojmë të gjithë demokratët që nuk kanë qenë dakord me dorëzimin e mandateve. Ata që ne duam ti përfaqësojmë, përpos denoncimeve të aferave dhe skandaleve të kësaj qeverie, do të shpalosim një alternativë të qartë për një vizion të Shqipërisë së nesërme. Këtu kam parasysh, reformën zgjedhore dhe ndryshimin e sistemit. në do të paraqesim projektin tonë përsa i përket kësaj platforme dhe do i japim fund partitokracisë. Jemi të hapur për një sistem më të denjë, do të mbështesim reformën në drejtësi dhe integrimin e Shqipërisë.

Dua të vë theksin se ky grup ka bindjen e fortë, kundër ndryshimeve të vitit 2008. Ne jemi të hapur për një model të deputetëve të zgjedhur nga populli. Kjo është kauza jonë dhe më e rëndësishmja këtë legjislaturë. Ky vendim përfaqëson interesin publik që shkon përtej partive kryesore në vend. Do të kërkoja që demokratët jashtë parlamentit ta shikojnë si ofertë dhe alternativë për t'i përaqësuar denjësisht. Nuk jemi dakord për bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Sado e kompromentuar dhe korruptuar që të jetë kjo shumicë, ne nuk duam të bojkotojmë zgjedhjet. Ne do të përpiqemi që opozitarëve të mos u lëmë një vend bosh dhe ftoj cdo parti opozitare ta rikonsiderojnë vendimin, ne nuk mund të luajmë jashtë rregullave të lojës politike. E konsideroj të rëndësishme, që ne të përgatitemi dhe të marrim cdo lloj mase të mundshme edhe duke pasur kohën në dizfavor për të shpalosur një alternativë tonën
" tha ajo.

Grupi parlamentar demokrat
Rudina Hajdari-kryetare
Myslim Murrizi
Korab Litra
Arben Elezi
Arlind Çaçani
Halit Jakimi
Alban Zeneli

Nuk pranuan nga demokratët që të bëhen pjesë e grupit;
Ligoraq Karamelo
Lefter Maliqi
Majlinda Halilaj
Adriatik Alimadhi

Grupi i deputetëve të pavarur
Nimet Musai-kryetar
Edlira Hyseni
Enver Roshi
Ralf Gjoni
Ediola Braha
Ylli Shehu
Aurora Mara

Nuk pranuan nga LSI-ja që të bëhen pjesë e grupit;
Lefter Koka
Edmond Rrushi
Edlira Hyseni
Elda Hoti
Enada Kociraj
Amra Barova

Numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë ka arritur në 102, 79 nga shumica dhe 23 nga opozita e re, ndërsa katër presin vendimin nga KQZ, pasi kanë dorëzuar formularin.

Deputetët e rinj të opozitës sot në parlament

Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë
79 nga shumica parlamentare

3 nuk pranuan të digjnin mandatin nga opozita
Lefter Koka
Myslim Murrizi
Rudina Hajdari

Pranuan mandatin
Lefter Maliqi
Alban Zeneli
Ligoraq Karamelo
Majlinda Halilaj
Arben Elezi
Adriatik Alimadhi
Korab Lita
Halit Jakimi
Arlind Çarçani
Ylli Shehu
Aurora Mara
Enver Roshi
Edmond Rrushi
Ediola Braha
Edlira Hyseni
Elda Hoti
Ralf Gjoni
Nimet Musaj
Enada Kociraj
Amra Borova

Presin që të marrin mandatin nga KQZ
Eugen Bojaxhi
Andi Përmeti
Erion Piciri
Fatjona Dhimitri

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 18/04/2019 15:56

    Po nis te dyshoj,meqe ende nuk dihet zyrtarisht shifra e parave te vjedhura, qe kjo histori mund te jete nje inskenim sugjestionues per revoltimin e publikut. Dmth nuk eshte vjedhur gje,,,,dmth ai qe u vra,shkoi per lesh bubi. Tung.

    Përgjigju
  • Populli: 18/04/2019 11:28

    Nuk po e kuptoi dot më, ore cfar duhet për ti hequr licencën këtyre grabitësve të TIA?? Këta lejojnë të vidhet në mes të ditës ne aeroport siguria 000000000 Këta grabisin Shqipëtarët me cmimet katastrofike të fluturimeve, këta nuk japin asnjë lloj garancie për ato karakatina te Blu Panorama që një zot e di se cfarë ju punojnë Shqipëtarëve... Dhe plot E plot grabitje të Tjera. CFARË DUHET AKOMA PËR TI ZHDUKUR KËTA PLEHRA????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja