U përjashtua nga protesta e partisë së tij, Berisha: Greva e ngujime! Argita mungoi, Malltezi asnjë reagim në rrjete! Në terren vetëm Shkëlzeni

Tirane- Ballkoni i Sali Berishës, i kthyer në podiumin e përnatshëm të fjalimeve, ishte vetëm 200 metra larg grupit drejtues të PD-së teksa përmbyllnin protestën e heshtur me 3 orë ecejake nëpër pjesën qendrore të Tiranës për të detyruar Ramën të japë qeveri teknike.

E vetmja ndalesë për të shkuar nga parlamenti, drejt rrugës së Elbasanit në drejtim të shtëpisë së liderit demokrat në arrest shtëpie, ishin disa efektivë.

Në drejtim të protestës në terren, Gazmend Bardhi e Flamur Noka u përplasën me efektivët e shumtë në numër që kishin blinduar kryeministrinë, por përballë masave të papërfillshme në hyrje të 'Rrugës së Elbasanit', zgjodhën të mos bëjnë asnjë tentativë për të orientuar demonstruesit në një ndalesë nën ballkonin e Berishës, dhe morën rrugën drejt selisë blu.

Përjashtimin total të tij në protestën pa fjalime të partisë që drejton në ditën vendimtare të "marshimit në Tiranë, Berisha u përpoq ta plotësojë me një konferencë për mediat një ditë më pas, (sot) ku njoftoi format si do të vijojë mosbindja civile, e cila më 7 tetor erdhi me vandalizëm, molotovë dhe shkatërrime nëpër qytet.

“Javët që vijnë mosbindja do të çmontojë narkoshtetin tënd. Mbrëmë ishte aksioni i parë, kemi ngujimi, greva, përpara, bllokime rrugësh, kemi 77 mënyra për mosbindje civile që do të shkërmoqin narkoshtetin e Ramës. Se mos mendon se mosbindja civile nisi në Tiranë dhe përfundoi vetëm aty, së shpejti në mosbindje do kesh Shkodrën, Durrësin, Kukësin, mbarë Shqipërinë”, tha Berisha.

Mbështetje mori nga Ilir Meta, i cili, ashtu si aleatët e tjerë, u shfaq totalisht i distancuar nga episodet e dhunës në protestë, duke qëndruar spektatorë pranë kryesisë, aty ku nuk u shënua asnjë incident, e pa ndjekur itinerarin pa busull.

Flamur Noka e Gazmend Bardhi u panë të koordinohen me celularë përballë militantëve që prisnin drejtimin e tyre se nga të orientonin lëvizjen. Të vetmen “luftë” të mosbindjes e patën me gazin lotsjellës të policisë që frenoi dhe tentativën e tyre për të sulmuar me molotivë parlamentin, pasi më herët kishin djegur selinë e PS-së, kryeministrinë, Bashkinë e ministrinë e Brendshme.

Përveç mungesës totale të Berishës në protestë, ra në sy edhe injorimi nga Jamarbër Malltezi, gjithmonë mbështetës publik ndaj vjehrrit të tij. Ai nuk ka postuar as live aktivitetin, as asnjë koment kur mbaroi, dhe ditët e mëparshme asnjë postim për ta promovuar atë.

Në protestë mungoi edhe Argita Malltezi, e cila ka kryesuar çdo tubim para bashkisë së Tiranës me bluzën “Lironi Berishën”. Nëpër rrugët e Tiranës gjatë marshimit të opozitës, u pa vetëm djali i familjes, Shkëlzen Berisha. 

Protesta që në gjenezë pati dhe nxitjen nga dënimi i Ervin Salianjit me 1 vit burg, e akuzat ndaj Berishës për aferën Partizani, nuk pati asnjë vizitë simbol në SPAK apo Gjykatën e Apelit.

Mbylljen e tubimit e mori në dorë Flamur Noka, i cili përballë mbështetësve që firuan edhe më shumë deri në selinë e PD-së, nuk pati as një përgjigje si do vijohet më tej.  

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

455 nxënës mësim me turne prej 5 vitesh, protestë në Nikël: Ministria e Infrastrukturës të rindërtojë shkollën e re

455 nxënës mësim me turne prej 5 vitesh, protestë në Nikël: Ministria e Infrastrukturës të rindërtojë shkollën e re