Vetingu i politikës/ Zhbllokohet SPAK, zyrtarët dhe 40 veprat penale në kompetencë

Vetingu i politikës/ Zhbllokohet SPAK, zyrtarët dhe 40 veprat penale në kompetencë

Kryeprokurorja Arta Marku

Urdhri i kryeprokurores së përkohshme Arta Marku për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në datën 11 dhjetor hap rrugën për finalizimin e zbatimit e zbatimit të reformës në drejtësi, konsideruar si zhvillimi më i rëndësishëm gjatë tre dekadave të pluralizmit. Konstituimi i KLP është përcaktues për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, struktura këto të projektuara nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët për të ndëshkuar krimin dhe korrupsionin në gjitha nivelet në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit, të njohura ndryshe si SPAK, do të mundësojnë edhe Vetingun e politikanëve shqiptarë, duke u fokusuar tek kontrolli i ligjshmërisë së pasurive, përfshirja në praktika korruptive dhe lidhjet me krimin. Dosjet e Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë do të referohen për gjykim në Gjykatën Speciale. Ndërkaq, tashmë është plotësuar edhe numri i kandidatëve për organin tjetër të rëndësishëm të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë. KLGJ do të zëvendësojë KLD aktuale, ndërsa është vendimtar për ngritjen Gjykatave Speciale.

Zhbllokimi
Neni 12 pika 1 i ligjit për SPAK-un, i miratuar që në vitin 2016, parashikon që prokurorët e Prokurorisë së Posaçme emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat nëntëvjeçar. Ndërkaq, neni 148/dh i Kushtetutës së ndryshuar parashikon që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit. Kështu, ngritja e KLP sjell automatikisht konstituimin e Prokurorisë së Posaçme. Por, ngritja e Prokurorisë së Posaçme hap rrugën edhe për konstituimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë kjo e specializuar për hetime dhe që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Pika dy e nenit 33 e ligjit për SPAK-un parashikon që një komisioni i përbërë nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe dy prokurorë të posaçëm me më shumë vite eksperiencë pune si prokuror, pas një procesi rekrutimi të hapur dhe transparent, rekomandojnë një kandidat për drejtor të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë. Më pas, drejtori i Byrosë harton një rregullore për procedurat e rekrutimit të hetuesve të Byrosë së Hetimit.

Kompetencat
Në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatave Speciale është çdo akuzë penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrave, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deputetëve, kryetarëve të bashkive, zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër të gjithë ish-funksionarëve të sipërpërmendur. Pra të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartpërmendur, të dyshuar për çdo vepër penale, do të merren nën hetim nga SPAK-u. Po ashtu, në kompetencë të SPAK-ut janë edhe 40 vepra penale të kryera nga çdo shtetas i mundshëm.

S’ka kufizime kohore
Në Kushtetutën e ndryshuar dhe në ligje nuk ka asnjë kufizim kohor sa i takon hetimeve nga Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit. Strukturat e reja mund të hetojnë veprimtarinë e zyrtarëve shqiptarë që nga viti 1991. Në një variant të parë të ligjit për SPAK-un u vendos një afat deri në tre vjet pas largimit nga detyra, por pas presionit të opinionit publik dhe mediatik, ky kufizim u hoq menjëherë. Në këto kushte, SPAK-u mund të rihapë të gjitha ngjarjet e rënda që kanë shënjuar pluralizmin shqiptar dhe që sot e kësaj dite nuk ka asnjë përgjegjës të ndëshkuar nga drejtësia.

Roli i ndërkombëtarëve  
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një rol të rëndësishëm në ngritjen dhe funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të asistojë Prokurorinë e Posaçme në përgatitjen e dosjeve penale. Në ligjin për SPAK-un është përcaktuar qartë se “Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Veprat penale në kompetencë të Byrosë dhe Prokurorisë së Posaçme
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.
Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë.
Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë.
Trafikimi i armëve dhe i municionit.
Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive.
Trafikimi i narkotikëve
Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale.
Organizata kriminale.
Grupi i strukturuar kriminal.
Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë.
Genocidi.
Krime kundër njerëzimit, vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet etj.
Krimet e luftës, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi.
Vrasja për gjakmarrje.
Vrasjet në rrethana të tjera cilësuese.
Vrasja e funksionarëve publikë.
Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare.
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit.
Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.
Trafikimi i personave të rritur.
Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera.
Trafikimi i të miturve.
Atentati.
Komploti.
Kryengritja.
Vepra me qëllime terroriste.
Financimi i terrorizmit.
Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin.
Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave terroriste.
Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.
Thirrja publike për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.
Prodhimi i armëve luftarake.
Organizata terroriste.
Banda e armatosur.
Nxitja e urrejtjes ose grindjeve.
Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj.
Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj.
Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Turi: 29/11/2018 14:18

    Po ato që jan vrar e zhdukur do të jen nën hetim të byros së hetimit ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja