Asnjë kontakt me të bijën, ’Pa Gjurmë’ i gjen vendndodhjen/ Nëna: Jetoj e kyçur prej 7 vitesh

17 Nëntor 2022, 19:19 | Përditesimi i fundit: 2022-11-17 19:50:16

E mbetur krejt e vetme prej 23 vitesh, pa asnjë mbështetje dhe duke jetuar çdo ditë me frikë, Rabihane Krasniqi kërkon ndihmën e emisionit “Pa Gjurmë”. Garsionerja ku banon që prej vitit 1999 në kryeqytet, nuk mund të konsiderohet më një shtëpi e ngrohtë për të moshuarën nga Korça, por një qeli burgu nga e cila del vetëm për të blerë ushqimet që i nevojiten. Pensionin mujor që përfiton e ka shpenzuar për të bërë një portë hekuri pas derës së shtëpisë, pasi shpeshherë kanë tentuar që t’i hyjnë me forcë në banesë. Për të gjitha shqetësimet nga të cilat nuk po gjen dot zgjidhje prej vitesh, Rabihania ka vetëm një emër, Sonila Preza, vajza e saj e vogël. 73-vjeçarja tregon se kohë më parë është detyruar të shesë dy apartamente të tjera në kryeqytet dhe të gjitah paratë tia kalojë vajzës dhe bashkëshortit të saj, për të cilët thotë se janë të përfshirë në borxhe të mëdha. Sot molla e sherrit është bërë ky apartament dhomë e kuzhinë ku ngrys ditët e vetme e moshuara. Sherri me të bijën për marjen e pronës së vetme që ajo disponon është kthyer tashmë në një shqetësim serioz, pasi vajza ka tentuar më herët t’i tjetërsojë dokumentet e pronës, por nuk ka mundur dot që ta përvetësojë atë. E frikësuar nga trokitjet e papritura në derë nga të panjohur 73-vjeçarja është detyruar që të kyçet brenda bashkë me kujtimet e së shkuarës kur dikur ishin një familje e madhe rrethuar me dashurinë e tre vajzave dhe djalit të vetëm... E përvëluar në shpirt pas fatkeqësive të njëpasnjëshme, me ndarjen nga jeta të bashkëshortit dhe më pas të birit nga një aksident automobilistik, sot kur në një moshë të thyer kjo nënë merr një tjetër goditje fatale për jetën. Rabihania ka tre vajza, por secila ndërtuan jetët e tyre dy prej të cilave jashtë Shqipërisë. E vetmja me të cilën jeton në të njëjtin qytet është vajza e vogël Sonila, me të cilën ka patur gjithnjë këtë marrëdhënie të tensionuar që ia ka bërë jetën edhe më të vështirë duke mos gëzuar dot as nipër e mbesa.