Byrek i hapur pa petë me presh nga zonja Albana

9 Janar, 11:27

Byrek i hapur pa petë me presh

Përbërësit:

Për bazën e brumit:

  • 240 gr miell
  • 1 lugë kripë
  • 1 e verdhë veze
  • 120 gr gjalpë
  • 1-2 lugë ujë

Për mbushjen:

  • 1 kg presh
  • 70 gr gjalpë
  • 1 lgj miell
  • 150-200 ml qumësht
  • 1 e bardhë veze
  • 3 lgj djathë i grirë
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Përgatisim brumin fillimisht dhe e vendosim në frigorifer për 30 minuta. Qërojmë preshin dhe e presim në fetëza nga 2 mm, duke përdorur të gjithë pjesën e bardhë dhe vetëm fillimin e jeshiles. Në një tigan të madh tresim 50 gr gjalpë dhe kaurdisim preshin në flakë mesatare në të ulët për 15- 20 minuta, duke i trazuar herë pas here. Në minutat e fundit hedhim kripë e piper, sipas shijes. Në një tenxhere tretim gjalpin e mbetur dhe shtojmë miellin duke e lënë në flakë të ulët për 2 minuta dhe duke e përzier. Hedhim qumështin pak e nga pak, gjithmonë duke e përzier. Në 4-5 minuta do të përftojmë një beshamel kompakt. Rrahim në marengë të bardhën e vezës. Në një tas bashkojmë preshin, beshamelën, djathin, kripë e piper dhe në fund të bardhën e vezës, duke e sheshuar. Nxjerrim brumin nga frigoriferi, e hapim në tavë, vendosim përzierjen me presh dhe sheshojmë sipërfaqen. E spërkatim me pak djathë dhe e vendosim në furrë në 180 °C për 40 minuta.