Byrek me peta të ziera me kimë nga zonja Albana

30 Tetor 2023, 12:17

Byrek me peta të ziera me kimë

Përbërësit:

  • 3 gota miell
  • 3 vezë
  • 2 qepë
  • 300-400 gr mish i grirë
  • 1 lgj salcë ose domate të freskëta
  • 3-4 lgj vaj ulliri
  • Kripë, piper
  • Gjethe dafine
  • Pak gjalpë

Përgatitja:

Përgatisim brumin njëlloj si per petët e dorës, e ndajmë në kuleçë dhe pasi e lemë për 15-20 minuta mbuluar me pecetë të lagur, hapim petë me trashësi rreth 2-3 mm. Petët i lemë të thahen pak dhe më pas i presim në shirita 4 gishta të gjerë. Shiritat e gjatë i ndajmë në 2-3 pjesë. Në një tenxhere me ujë të vluar dhe kripë hedhim petët pjesë-pjesë dhe i lemë të ziejnë për 4-5 minuta. Pasi i heqim nga uji i vluar i kalojmë në ujë të ftohtë për disa minuta. I kullojmë dhe i shtrojmë në tavë ose tavolinë që të drejtohen. Ndërkohë përgatisim kimën.

Në një tigan me yndyrë të nxehtë kaurdisim qepët e prera në kubikë, më pas shtojmë mishin e grirë dhe vijojmë kaurdisjen derisa të përthithen të gjitha lëngjet. Shtojmë domate të freskëta të grira ose salcë dhe rregullojmë shijen me kripë dhe piper. Shtrojmë petët në tavë, hedhim një pjesë të kimës, petë, përsëri kimë dhe petë. E spërkasim me gjalpë dhe e vendosim të piqet në furrë të nxehtë.