Daja me burrin e dhunonin, zhduket Majlinda Bucpapaj / Babai: Ma fshehën letrën qe shkroi

16 Tetor 2020, 17:11

Një histori tronditëse e një vajze nga Tropoja, erdhi e rrëfyer nga e motra në emisionin ‘Pa Gjurmë’ në Report TV. E përbuzur dhe pa përkrahje, mes dhunës barbare fillimisht nga bashkëshorti e më pas nga daja i saj, Majlinda Bucpapaj merr vendimin për t’u larguar nga shtëpia, duke humbur gjurmët më 12 qershor të vitit 1997 nga Tropoja. Kur nëna ndërroi jetë në një aksident automobilistik, familja e marton me një djalë po nga i njëjti qytet. 6 muaj me radhë kjo vajzë ende pa mbushur 18 vjec, u përcudnua, u dhunua dhe u përbuz nga bashkëshorti. Vajza zeshkane me kacurrela, ra pre e një mentaliteti të vrazhdë në veri të vendit, ku ndarja nga burri ishte si një gjëmë për familjen. Por guximi për t’i shpëtuar të gjithave e coi në një drejtim të paditur, drejtim nga i cili humbi gjurmët. Sot, Pranvera është në kërkim të motrës së saj, Majlindës 41 vjece, e cila i premtoi se do të kthehej një ditë. Ishte vit i mbrapshtë për shqiptarët kur vajza nga Tropoja pasi doli nga banesa e xhaxhait, u largua në drejtim të paditur, për t’i shpëtuar ’ferrit’ që po përjetonte. Pranvera kujton me detaje takimin e fundit me Majlindën dhe premtimin që e motra i bëri 23 vite më parë. 

‘Më 12 qershor 1997 ka qenë dita e fundit, që e takova. Atë ditë që vendosi të largohej më tha të mos mërzitesha. Më tha se do të ikte, pasi nuk i kishte mbetur asgjë. Nuk kam përkrahje të gjithë më përbuzin. Ajo më tha: "Zemra motrës, ti e di që unë vetëm ty të kam, por nuk mundem të të marr me vete, pasi nuk e di se si do më shkoj jeta, të premtoj që një ditë do të kthehem për ty dhe do të të marr sapo të rregullohem diku'

Disa orë më pas Majlinda u largua dhe që nga ajo ditë nuk dihet më asgjë për fatin e saj.

‘Ishte duke lexuar një libër në taracën e shtëpise, rreth orës 10, në mbrëmje kur u zhduk la dhe një letër, tek xhaxhai. Ajo letër nuk erdhi kurrë në dorën tonë. Ata e dinë mirë cfarë shkruhej në atë letër, se motra doli nga familja xhaxhait’, kujton motra e Majlindës.

Në këtë rrëfim të dhimbshëm në studion e ’Pa Gurmë’ mes lotësh, Pranvera kujton trazirat që ndodhnin në familjen e tyre, në një vit të mbrapshtë.

‘Unë isha e vogël në atë kohë, ndërsa Majlinda ishte 18 vjece, vajza e parë e familjes. Sapo u martua ajo u nda pas 6 muajsh. Por në Tropojë për shkak të mentalitetit, ishte si gjëmë të ndaheshe nga burri. Majlinda u nda sepse një herë në një dasmë, ai e la mënjanë motrën dhe uli të ish-të dashuën afër. Unë isha prezente dhe kam parë torturat që ai i ka bërë. Përvec ofendimeve, ai e mori zvarrë dhe e godiste me grushta, deri sa ikëm në shtëpi. Unë isha e vogël dhe nuk fola dot, se ai më kërcënoi se do më vriste, nëse do tregoja'.