Dëshmia e shqiptares së rrëmbyer dhe abuzuar në '97

Pjesa e dytë dt 5 Mars Tashmë është e martuar, dhe gëzon lumturinë e fëmijëve të saj. Por jeta e saj ka qenë një tmerr i vërtetë. Në vitet e vështira për shqiptarët, '97, një vogëlushe shqiptare, vetëm 8 -vjeçare, u rrëmbye teksa dilte nga shkolla, më tej u abuzua seksualisht dhe fare mrekullisht, arriti të shpëtonte nga duart e një personi, që tentoi ta trafikonte për shitje të organeve.

Historia u rrëfye nga vetë vajza, të cilës për t'i ruajtur anonimitetin, në kushtet kur jeta e saj rrezikohet ende, nuk ju prezantua emri dhe as vendndodhja e saj. Këtë mbrëmje në emisionin "Pa Gjurmë", Ana (një emër i sajuar), tregoi se si një person, rreth 38-vjeç në atë kohë, e rrëmbeu me makinë në muajin tetor ose nëntor të vitit 1997, ku edhe u abuzua seksualisht. "Më futi brenda në makinë, kam qenë shumë e vogël. Më futi në bagazh të makinës, ka abuzuar me mua. Më çoi në një bodrum, nuk e di çfarë qyteti ishte, pashë që kishte edhe fëmijë të tjerë të moshave më të mëdha se unë, 15-17 vjeç", rrëfen Ana.

Prindërit e saj ishin në Tiranë pasi babai ju nënshtrua një operacioni të vështirë, dhe nëna kujdesej për të. Personi në fjalë, të cilin Ana thotë se e njeh, pasi është nga vendi i saj i lindjes, ka ndjekur të gjitha lëvizjet e saj derisa e rrëmbeu. Por historia nuk mbyllet vetëm me abuzimin seksual. Edhe pse e vogël, Ana thotë se arriti të kuptonte gjithçka, duke dëgjuar bisedat e personave që e kishin rrëmbyer, atë dhe fëmijët e tjerë. Pas rrëmbimit do të fshihej trafiku i organeve.  

"Kam qëndruar një ditë dhe një natë në bodrum, të nesërmen na ndanë nëpër grupe, ne kemi qenë tek një grup që na shoqëronin 4 persona dhe na hipën nëpër male, në Kakavijë, që të na kalonin nga dogana shqiptare për të na çuar diku në Janinë për marrje organesh. Bisedat bëheshin në telefon, dhe tani që unë e di dhe gjuhën që përdorej kuptoj më mirë se çfarë organesh kërkonin, do na çonin për analiza. Pritëm të binte nata të iknim nga mali në Greqi. Unë fatmirësisht rrëshqita dhe munda të shpëtoj. Unë kam ndenjur për tre ditë dhe tre netë në pyll e vetme", rrëfen ajo.

Ka mundur të shpëtojë dhe të gjendet nga forcat e policisë pranë pikës kufitare. Por pikërisht këtu do të niste edhe drama e jetës së saj. Tashmë jeton e fshehur dhe pa mbrojtjen e askujt. Kjo, vetëm për arsyen, se abuzuesi i saj ishte një person me pushtet!

Programe të tjera

Shiko të gjitha