Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Përshesh i Përmetit me mish qingji/ Kulaç me sodë / Byrek me qepë të njoma dhe djathë.
Në vitet e fundit, kefiri ka fituar një vëmendje të veçantë si një nga pijet më të pasura dhe më të dobishme për shëndetin tonë, por shumë njerëz ende nuk e njohin mirë se çfarë është në të vërtetë dhe pse konsiderohet kaq i veçantë. A është thjesht një alternativë e kosit, apo ka vlera unike që e dallojnë? Dhe pse shpesh përmendet si një “bombë probiotike” për sistemin tonë tretës? Dallimet mes kefirit dhe kosit nuk qëndrojnë vetëm në shije apo teksturë, por lidhen ngushtë me përbërjen e baktereve të dobishme dhe mënyrën e fermentimit. Kjo e bën kefirin një aleat të fuqishëm për shëndetin e zorrëve, imunitetin dhe mirëqenien e përgjithshme. Por sa prej këtyre përfitimeve i marrim realisht kur konsumojmë kefir të gatshëm nga supermarketi? A ka ndryshim mes atij të prodhuar në shtëpi dhe atij industrial? Po aq e rëndësishme është edhe mënyra se si e konsumojmë dhe e përgatisim kefirin, pasi teknika e gabuar mund të ulë ndjeshëm vlerat e tij ushqyese. Për të kuptuar më mirë të gjitha këto, sot do të flasim me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, i cili do të na shpjegojë çfarë e bën kefirin kaq të veçantë, si duhet ta përdorim në mënyrën e duhur dhe si të përfitojmë maksimalisht nga vetitë e tij.
Gjithashtu me nutricionistin Altin Joka, ndalemi dhe te një nga temat më të dashura për të gjithë: frutat. Të shijshme, të freskëta dhe të pranishme në çdo stinë, ato shpesh konsiderohen si zgjedhja më e shëndetshme. Por sa të sigurta janë në të vërtetë për trupin tonë? A mund të na shëndoshin frutat dhe sa është sasia e duhur që duhet të konsumojmë çdo ditë? A ka rëndësi koha kur i hamë: paradite apo pasdite? Diskutojmë gjithashtu dallimin mes fruktozës natyrale që gjendet në fruta dhe asaj të shtuar në produktet industriale. A është fruktoza më e shëndetshme se sheqeri i bardhë, apo kjo është thjesht një ide e përhapur gabimisht? Gjatë bisedës, do të kuptojmë pse fruktoza konsiderohet më problematike për mëlçinë, nëse duhet të kemi kujdes me konsumimin e tepërt të frutave, si dhe cilat janë produktet ku fshihet fruktoza pa e kuptuar. Në fund, ndalemi edhe te një zakon i përditshëm për shumë njerëz: konsumimi i lëngjeve të frutave dhe çfarë ndodh në trupin tonë kur e teprojmë me to. Një bisedë informuese për të kuptuar më mirë rolin e frutave në shëndetin tonë.




















