Lindi vajzën por nuk e preku kurrë, nëna kërkon të dijë të vërtetën për të

1 Maj 2019, 19:58

Pjesa e pare dt 1 Maj Kur priste të bëhej nënë për herë të parë, ajo ditë erdhi, ajo e lindi vajzën. E dëgjoi të qante, por nuk mësoi kurrë se çfarë ndodhi me të, 4 orë më pas...

Në letrën e saj të gjatë dërguar në adresë të emisionit Pa gjurmë një nënë nga Mamurrasi, kërkon të dijë të vërtetën për vajzën e parë që lindi në Maternitetin e Krujës, më 25 maj të vitit 1990.

E ka parë më sy, në duart e infermieres dhe më pas nuk din të thotë më asgjë.

Ajo sqaron ne rreshtat e pengut që ka se shtatëzania i pati shkuar mirë. Kur lindi i thanë se kishte lindur vajzë, ajo e pa.

Në mëngjes ndodhej ende në shtratin e lindjes kur dëgjoi një grua, që fliste në telefon me një tjetër person, nga dhoma ngjitur nga salla e lindjes:

Po. Zyraja ka lindur vajzë, por vajza jetoi 4 orë dhe vdiq.

Pas tronditjes me sa i dëgjuan veshët, nëna nuk e pa më. Të shoqit dhe vjerrës i thanë se duhej ta varroste komunalja, pasi ishte më mirë të mos e shihnin. Sipas mjekëve, vajza kishte lindur me defekte.

Zyraja qëndroi në spital, nga dita e lindjes deri më 12 qershor, pasi kaloi edhe një infeksion. Vajzën i thanë se e kishin varrosur në Krujë.

Sot e kaq vite ajo ka një peng në zemër. Ajo ka dyshime.Vetëm një kartë të vendosur mbi rrobat e bebit, që nga ajo ditë kur i thanë se foshnja kishte vdekur, ajo nuk ka më asgjë.

Sot është nënë edhe e një djali. Jetojnë në Amerikë. Zyraja ka ende një shpresë, e cila vdes e fundit...