Në një gjëndje të rënduar shëndetësore, një 71-vjeçar, Robert Dragoi, i drejtohet emisionit “Pa Gjurmë” me tw vetmen kërkesë… të takojë dhe një herë 2 fëmijët e tij të cilët nuk i ka parë prej vitesh. Ishte viti 1998 kur Roberti nga Korça u martua me shkuesi me Meritën nga Berati. Të dy nisën jetesën në Korçë ndërsa u bënë prindër të dy fëmijëve. Por martesa nuk do të zgjaste shumë pasi në vitin 2004 çifti arriti drejt divorcit. Shkak u bë tradhtia bashkëshortore nga ana e gruas, e cila prej vitesh ishte në një lidhje jashtëmartesore me një polic nga Berati. Këtë gjë kryefamiljari e zbuloi nga një fqinj, i cili i pohoi hyrje-daljet e policit në shtëpinë e tij pasi Roberti ikte për në punë. Pas ndarjes gjykata vendosi që të dy fëmijët t’i kalonin nën kujdestari të ëmës, ndërsa babait i caktoi takime të cilat në fillim u realizuan, por me kalimin e viteve filluan të rralloheshin. Fëmijët u ftohën me babain e tyre, ndërsa nuk donin ta takonin më pasi sipas babait, nuk i lejonte nëna e tyre. 2 vite pas ndarjes Roberti vendosi të niste sërish jetën e tij nga e para, ndërsa u martua dhe në jetë erdhën edhe dy djem të tjerë të cilët sot janë 15 dhe 13 vjeç. Me familjen e re ai aktualisht jeton në kryeqytet, ndërsa shpesh ka udhëtuar në Berat për të takuar 2 fëmijët nga martesa e pare, por nuk ka mundur t’i takojë. Edhe dy djemtë e vegjël kërkojnë që gjithashtu të takojnë vëllain dhe motrën nga ana e babait të tyre, të cilët sot janë 25 dhe 24 vjeçarë.