Pa Gjurmë' i gjen nënën biologjike pas 55 vitesh: Faleminderit që më solle në jetë...

10 Shkurt 2020, 19:46

TIRANE - Pas 55 vitesh, Matilda Koka bie në gjurmët e nënës së saj biologjike, falë investigimit dhe ndihmesës që shqiptarët dhanë në emisionin "Pa Gjurmë" në Report Tv. Pranë moderatores Odeta Dume, kontaktoi vajza e Matildës, Ouresa Allushaj, e cila donte t'i bënte surprizë mamasë së saj duke shpresuar se emisioni do t'i gjente nënën biologjike. Dhe ashtu ndodhi. Pas shumë kontaktesh, "Pa Gjurmë" mundi të lidhet në telefon me Aretinë, nënën biologjike të Matilda Kokës. Ajo është 71 vjeçe dhe jeton në Patra të Greqisë, ku ka edhe tre fëmijë të tjerë, dy djem dhe një vajzë.

Në fakt telefonata u realizua me vajzën e Aretisë, 50-vjeçare, e cila foli në emër të nënës së saj. Fëmijët e Aretisë nuk e dinin se nëna e tyre kishte pasur një fëmijë jashtëmartesor, e bashkë me lajmin e mirë për Matildën, ata zbuluan sekretin që kurrë nuk e kishin menduar. Megjithatë, në telefonatën me moderatoren e emisionit "pa Gjurmë", Odeta Dume, motra e Matildës, tha se është e gatshme ta takojë motrën. Emisioni mësoi se ato do të vinë në Vlorë për të mundësuar takimin mes Matildës, sot 55 vjeçe, dhe nënës së saj, Aretinë.