Pa Gjurme-61-vjeçarja mesazh ish të dashurës së burrit, pasi zbulon fëmijën jashtë martese ( 8 qershor 2023)

8 Qershor 2023, 18:34

“Kur isha i ri kisha një lidhje dashurie, vajza mbeti shtatzënë, tani ti duhet ta kërkosh atë fëmijë…” Ky ishte amaneti i fundit që Riza Kollombo i la bashkëshortes së tij Farijes, pak orë para se të ndërronte jetë në vitin 2008, kur ishte vetëm 45 vjeç. Ato çaste të fundit Rizai i tregoi gjithçka gruas, me shpresën se kthimi pas në të shkuarën do t’i jepte mundësinë të gjente fëmijën e tij. Sekretin që e mundonte prej vitesh, ia besoi asaj… Në vitin 1983, 20-vjeçar asokohe Rizai u dashurua me fqinjën e tij në qytetin e Librazhdit. Askush nuk e kishte menduar, por vizitat e shpeshta në banesat e njeri-tjetrit përfunduan në një shtatzëni të paplanifikuar për çiftin, duke sjellë kështu probleme të mëdha në familje, probleme që do të ndryshonin rrjedhën e jetës së tyre. Për babain e Rizait me detyrë oficer i lartë në Librazhd, kjo lidhje nuk mund të përfundonte në martesë, ndaj ai pa dhembshurinë më të vogël e transferoi familjen e vajzës në Gramsh, me qëllim ndarjen e dy të rinjve. Prej atij momenti Rizai nuk mësoi më kurrgjë për fatin e fëmijës së tij. Si ai edhe vajza që dashuronte krijuan të ndarë jetët e tyre, ndërsa ky sekret nuk u përfol kurrë, deri në momentin kur Rizai mbylli sytë përgjithnjë…