Pa Gjurme-Zhduket boksieri në Tiranë/Zbulohet vajza që takoi, nëna: Dyshoj tek e dashura

19 Dhjetor 2022, 19:26

Albido Beta është 23-vjeçari nga Tepelena i cili rezulton i humbur që prej datës 11 dhjetor. Gjurmët e tij të fundit janë nga fshati i babait, në Vasjar të Tepelenës, ndërsa ishte kthyer në atdhe për disa ditë pushime si dhe për të takuar të afërmit e tij. Albido ka lindur dhe është rritur në Greqi dhe ka jetuar me nënën e tij që pas divorcit të prindërve në vitin 2006. Prej 25 tetorit të këtij viti ai ndodhej në Shqipëri bashkë me të ëmën, ndërsa kjo e fundit u largua një muaj më pas, por Albito kërkoi të qëndrojë edhe pak kohë me të afërmit në fshat. Në telefonatën e fundit që pati me nënën nga Greqia më 9 dhjetor, Albido i pohoi se do të vinte një ditë para Krishlindjeve për t’i festuar bashkë. Të dielën e datës 11 dhjetor njofton xhaxhain se do nisej për në Tiranë, pasi kishte një punë për të mbaruar dhe në mbrëmje do të kthehej. Nga ana tjetër, kushërinjve u kishte thënë se në kryeqytet do të takohej me një vajzë dhe do të qendronte atje për disa ditë. Me vete Albido ka patur edhe pasaportën greke si dhe disa para që i kishte tërhequr në bankë. 23-vjeçari sot rezulton i humbur, ndërsa familjarët ende nuk kanë bërë një denoncim në polici për humbjen e të riut.