Paro: S'më vjen aspak keq që i kam kënduar Enverit, kënga u ka mbetur njerëzve në mendje

18 Janar 2019, 14:11 | Përditesimi i fundit: 2019-01-18 14:11:36

Me mbi gjysmë shekulli duke kënduar, Përparime Ziflaj, apo siç të gjithë e njohin, Paro është një nga zërat më të veçantë dhe të magjishëm të muzikës popullore. Ashtu si shumë artistë shqiptarë, edhe Paro e nisi karrierën e saj në Festivalet e Gjirokastrës ku mes dhjetra këngësh, do të mbahet mend veçanërisht edhe për "Rrofsh sa moshë e kësaj toke", këngën që këndoi bashkë me grupin e Bënçës përpara ish liderit komunist Enver Hoxha. E ftuar sot në emisionin "Rreze Dielli" në Report TV, Paro tha se nuk ndihet aspak keq që i pati kënduar diktatorit, pasi e tillë ishte koha.

Në fakt kemi patur disa këngë të suksesshme nëpër festivale por një që ka mbetur në mendje dhe e kam dhe sot, pavarësisht se i këndohej liderit Enver Hoxha, ajo ka mbetur në mendjet e njerëzve. Ishte teksti pikant dhe shumë i bukur. Kënga titullohej "Rrofsh sa moshë e kësaj toke". Mua s'më vjen aspak keq sepse në fund të fundit ne e kishim punë, na e kërkonte koha për të bërë diçka të bukur. Si sot përshembull që këndojmë për nuset, për dasmën apo për të tjera. Në atë kohë, atyre u këndohej. Por kemi kënduar edhe për fshatin, koperativën, për lulet etj.

Paro Ziflaj, këngëtare

Madje këngëtarja tha se kënga e famshme që përloti Enver Hoxhën, kishte një tekst të veçantë dhe u ka mbetur në mendje shumë njerëzve.