Patëllxhanë me salcë të kuqe nga zonja Albana

14 Janar, 11:40

Patëllxhanë me salcë të kuqe

Përbërësit:

  • 4 patëllxhanë mesatarë
  • 3-4 domate ose 300 ml salcë domate
  • 2 thelpinj hudhër
  • 1 qepë mesatare
  • 1 spec i kuq (opsionale)
  • 4 lgj vaj ulliri
  • Kripë, piper sipas shijes
  • Majdanoz i freskët për zbukurim

Përgatitja:

Qërojmë patëllxhanët në shirita (një rresht me lëkurë, një pa lëkurë). I presim në feta të gjata ose rrathë dhe i vendosim në ujë me kripë për 15-20 minuta. Në një tigan, ngrohim vajin e ullirit dhe skuqim patëllxhanët derisa të marrin një ngjyrë të artë. I vendosim në një pjatë me letër për të thithur yndyrën e tepërt. Ndërkohë përgatisim salcën, në të njëjtin tigan, hedhim pak vaj ulliri dhe kaurdisim qepën e grirë hollë derisa të zbutet. Shtojmë hudhrën e grirë imët dhe specin dhe vijojmë me kaurdisjen për disa minuta. Më pas shtojmë domatet e grira ose salcën e domates, duke shtuar pak ujë nëse është e nevojshme. Rregullojmë shijen me kripë e piper dhe e lëmë salcën të ziejë për 10-15 minuta derisa të trashet pak. Rendisim patëllxhanët në një tavë pjekjeje dhe i mbulojmë me salcën e përgatitur. E vendosim tavën në furrë të parangrohur në 180°C për 20 minuta.