Rritet çmimi i fasules. Eksperti i agrobiznesit Ilir Pilku shpjegon se çfarë po ndodh me produktet e vendit, pse po i mungojnë tregut dhe pse jemi kthyer në vend importues për prodhimet e traditës?
Prodhimi i paktë i fasules këtë vit po i bën fermerët që ta shesin atë me çmimin më të lartë historik. Aktualisht një kilogram fasule trenare e Korçës po shitet 520 lekë/kg, por fermerët kanë paralajmëruar që çmimi pritet të shtrenjtohet akoma më shumë. Cilët janë shkaktarët e prodhimin të ulët të fasuleve, si qëndron e vërteta dhe problematika? Pse fasulet e importuara nga Argjentina apo Turqia po konkurojnë me çmime fasulen vendase?
Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku, ndërsa ngre shqetësimin se po kthehemi në një vend importues edhe për produktet e traditës (siç janë hudhrat, karrotat apo mandarinat) thotë se fasulet e importuara po shiten me rreth 150-200 lekë më lirë për kg, ndërkohë që në krahasim me fasulen vendase, nuk kanë të njëjtat vlera ushqimore. Një tjetër shqetësim është që vitet e fundit po importohen fasule nga jashtë dhe reklamohen sikur janë autoktone të zonës. Sipas Pilkut e gjithë kjo situatë po vjen nga mungesa e politikave orientuese bujqësore, pasi fermerët duhet të orientohen drejt preferencave dhe nevojave të konsumatorëve. Pilku thotë se është e patolerueshme me klimën dhe tokat që ne kemi që të importojmë karrotat dhe hudhrat nga jashtë, apo mandarinat.