Vrasja e dy shoqeve-Zbardhet dinamika/I vrau një person i vetëm,urdhëroi shokët t’i groposnin (10 mars 2023)

10 Mars 2023, 19:04

Fati i Nertila Osmanit dhe Sonila Kryeziut, që u zhdukën në të njëjtën datë mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004 mund të zbardhet së shpejti falë një dëshmie shumë të fortë që dha në ‘Pa Gjurmë’ dje një dëshmitare shumë e rëndësishme. Pas transmetimit të dëshmisë ekskluzive në “Pa Gjurmë” në Report Tv se 2 vajzat e zhdukura nga Tirana në vitin 2004, janë vrarë dhe janë groposur në Divjakë, Policia e Tiranës ka mbërritur në Report Tv pas dëshmisë së të resë për shoqet e saj të vrara për të marrë provat e emisionit Pa Gjurmë. Ditën e sotme është transmetuar një tjetër dëshmi nga nipi i Armand Naçit ‘Serpentes’, personit që dyshohet se groposi trupat e 2 shoqeve, duke thënë se xhaxhai i tij s’ka lidhje me ngjarjen dhe flet për një emër të tretë që është arrestuar në vitin 2005 për lëndë narkotike. Nga burimet, ’Pa Gjurmë’ zbuloi se ky person është Artan Begaj, i arrestuar korrikun e vitit 2005 me gjysëm kg heroinë. Policia e la në të njëjtën qeli me Arben Lazen, autorin e vrasjes së Arben Hoxhës që dyshohet se ekzekutoi Nertila Osmanin dhe Sonila Kryeziun, duke i vënë të dy në përgjim.Në këtë përgjim, Begaj i ka thënë Lazes se Ben Hoxha i ka vrarë dy shoqet e Tiranës dhe se ai është njoftuar nga vetë Beni, por se groposjen e dy trupave në dunat e Divjakës e ka bërë ’Serpentja’. Pas ngjarjes, Begaj ishte takuar me Arben Hoxhën dhe ‘Serpenten’ të cilët i kishin treguar ku i kishin groposur 2 shoqet. Në atë kohë ai kërkoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë duke çuar policinë në dunat e Divjakës ku pas gërmimeve nuk u gjetën eshtra. Pas 19 viteve, e njëjta dëshmi që u dha në një qeli burgu vjen nga një tjetër dëshmitare në emisionin ’Pa Gjurmë’, por kësaj here duke iu referuar ’Serpentes’, personi që dyshohet se ka groposur dy vajzat. Dëshmia e një gruaje që emisioni “Pa Gjurmë” i ruan identitetin solli tronditje të madhe tek familjarë të dy vajzave të humbura, që kërkonin të zbulonin fatin e tyre përmes emisionit “Pa Gjurmë”. Vajza e Nertila Osmanit dhe Arben Hoxhës foli sot në emisionin ‘Pa gjurmë’ duke thënë se po festonte 20-vjetorin kur mësoi deklaratën bombë. Ajo u shpreh se priste lajme të mira por nga dëshmia zbuloi se babai mund t’i ketë vrarë nënën. Teksa kërkoi që institucionet të zbardhin ngjarjen, u shpreh se s’duhet të ndërhyjë halla e saj, Enkeleida Hoxha, e cila në një mesazh drejtuar emisionit ‘Pa gjurmë’ e cilësonte ngjarjen si inskenim të ndyrë. Por sipas vajzës, Dajana Osmanit, halla po përpiqet të ruajë figurën e Arben Hoxhës por asaj i intereson të gjejë nënën. Pas dëshmive të forta, policia e Lushnjes u vu në lëvizje menjëherë dhe mori videon e denoncimit dhe dëshminë e gazetarit të emisionit, Freard Rista. Ndërkohë, zona është ende e parrethuar pasi policia po pret autorizim nga prokuroria, por edhe nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura, pasi koordinatat e pretenduara janë brenda territorit të parkut Kombëtar të Divjakës. Prokuroria pritet të kërkojë dhe materialin ekskluziv që u transmetua nga emisioni 'Pa Gjurmë' në Report TV. Efektivë të forcave blu shkuan mbrëmjen e së enjtes në vendin ku sipas dëshmisë së një zonje, janë groposur dy shoqet Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu të zhdukura mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004. Gjatë deklarimit në polici, gazetari i emisionit nuk zbuloi emrin e dëshmitares, e cila nga sa ka kontaktuar me avokatin e emisionit “Pa Gjurmë” do të flasë për policinë vetëm nëse merr garanci për jetën dhe bëhet dëshmitare e mbrojtur. Arben Hoxha i bandës së Lushnjes që mbante nofkën ’Ben Komisari’ bashkëjetonte në zonën e Laprakës me Nertila Osmanin, me të cilin në vitin 203 solli në jetë dhe një vajzë. Ditën kur Nertila humbi, bashkëjetuesi i saj i tregoi se do nisej për në Gjermani dhe pas debatit mes tyre vajza u takua me shoqen e saj Sonila Kryeziu. Siç motra e saj dëshmoi në pa Gjurmë, edhe Sonila ishte larguar nga banesa pasi një djalë me emrin Dani nga Durrësi e kishte telefonuar mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004.