Zhduket vlonjati 26 vjeç alarmohet nëna: Në Facebook shokët më gënjejnë, më thonë...

21 Qershor 2022, 17:36

Enea Lekaj nga Vlora, është ky i riu i cili rezulton i humbur që prej datës 31 maj 2022 nga Amsterdami. 26-vjeçari ndodhej në Holandë që prej muajit shtator të një viti më parë, ndërsa kishte mbetur i papunë prej 5 muajve. Kontaktet me familjarët i kishte të rregullta, ndërsa telefononte disa herë gjatë ditës. Përgjatë kësaj kohe qëndrimi jashtë vendit, ai jetonte vetëm dhe ishte familja që i dërgonte para nga Shqipëria, ndaj dhe komunikimi me ta ishte i vazhdueshëm. Me nënën fliste shpesh. Herën e fundit që komunikoi me të nuk shfaqi kurrfarë shqetësimi, një bisedë e shkurtër si zakonisht ku nënë e bir përshëndesnin njëri-tjetrin. Kanë kaluar plot 20 ditë dhe Enea nuk është bërë më i gjallë. Dy numrat e tij të telefonit rezultojnë të fikur ç’ka ka vënë në alarm familjarët e tij. Këta të fundit ngrejnë dyshimet se i biri mund të ketë përfunduar pas hekurave edhe pse në dijeninë e tyre ai nuk ishte përfshirë në ndonjë punë të jashtëligjshme. Ata dyshojnë se Enea mund të jetë arrestuar nga autoritetet holandeze, pasi i kishte përfunduar edhe afati i qëndrimit 3-mujor. Kjo ishte hera e dytë për të riun vlonjat që emigronte drejt Holandës, pasi një vit më parë kishte punuar prej 7 muajve me biçikletë në një kompani Dilivery. Në korrik të vitit 2021 ai ishte kthyer në Shqipëri, pasi qëndroi pak kohë, në shtator të po atij viti ikën sërish. Familjarët e përshkruajnë si jë djalë të urtë dhe jo problematik, por pak i mbyllur në vetvete. Nuk kishte shumë shokë, të paktët miq që pretendon se ai kishte në Amsterdam, familja nuk ia njihte. Kjo i ka vështirësuar edhe më shumë përpjekjet e tyre, duke mos e patur të mundur të mësojnë asgjë për vendndodhjen e Eneas.