Zhduket vlonjatja, ’Pa Gjurmë’ zbulon videot kërcënuese: Nëse më ndodh diçka, hapni kamerat

9 Janar 2023, 19:36

Pasi zbuloi një rrjet prostitucioni dhe pastrimi parash, pjesë e së cilës ishin kolegë të saj të një pike karburanti vlonjatja u zhduk papritur, në ditën e saj të lindjes. Kostandina Zaharia rezulton e humbur që prej datës 5 dhjetor të një viti më parë nga New Jorku. Ditën që ajo mbushi të 30-tat telefonoi për herë të fundit të motrën në Shqipëri, tek e cila shprehu frikën nga kërcënimet e vazhdueshme që po i bëheshin nga disa kolegë të saj turq dhe shqiptarë. E reja punonte në një pikë karburanti, aty ku sipas saj kishte zbuluar ekzistencën edhe të një sasie parash fals që posedoheshin nga kolegët, pjesë e një grupi të strukutuar kriminal. Për këtë ajo vë ne dijeni dhe të motrën, duke i pohuar se i kishin vjedhur madje edhe profilet në rrjetet sociale, pasi aty ajo denoncoi për herë të parë teksa publikoi edhe emrat e kolegëve. Pas kësaj, ajo mori kërcënime të vazhdueshme, për të cilat pas denoncimeve bërë edhe në policinë Njujorkeze u pajis edhe me urdhër mbrojtje. Pas këtyre ngjarjeve të njëpasnjëshme, që i ndodhën 30-vjeçares prej një muaji ajo rezulton e humbur. Prej 8 vitesh vajza nga Vlora nuk ishte kthyer në Shqipëri. Ajo ishte zhvendosur në Amerikë, ndërsa dy vitet e fundit jetonte e vetme pas ndarjes nga bashkëshorti. Dhuna fizike që ai ushtronte ndaj saj ishte arsyeja pse 30-vjeçarja i kishte dhënë fund bashkëjetesës me të. Jeta e vështirë në një shtet të huaj, kohët e fundit ishte kthyer në një makth për të renë e cila shpesh kishte shprehur shqetësimin tek familjarët nga telefonatat e shumta që kishte me ta. Shumë aktive edhe në rrjetet sociale, sot për Kostandinën nuk ka ende asnjë gjurmë.