Jo se Edipi nuk ishte aty, por ishte fshehur perdeve të skenës politike.
Dihej prej kohësh se edhe në Partinë Socialiste ekzistonte ‘Edipi’, ose më saktë, fenomeni Edip. Ndryshe nga Edipi i Sofokliut, këta tentojnë vrasjen e ‘mbretit’, por jo domosdo të mbretit.
Megjithatë Edipi, figurë mitologjike, ka jetuar si realitet kaq shumë shekuj bash për shkak se kudo është aktual, kudo i shfaqet e i mbulohet fytyra dhe kama me të cilën bën gjak.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Ai gjendet më shumë aty ku ka ‘mbretëri’.
Partia Socialiste që qeveris vendin prej 12 vjetësh, është një prej ‘mbretërive’ ku synojnë të vegjetojnë ‘Edipët’. Mbreti i Tebës, që para lindjes ishte projektuar nga orakulli se sa të rritej ‘do të vriste të atin dhe do të martohej me të ëmën’.
Fati i keq dhe tradhtia nuk kanë kufij para Edipit.
Edhe në ‘mbretërinë’ e PS kjo do të ndodhte, doemos. Por vetëm dje, në kongresin e Partisë Socialiste, u ‘hap perdja’ e teatrit të vjetër, dhe u shfaq hapur. Kryetari dhe kryeministër Edi Rama, e nxori cullak ‘tradhtinë’ e bijve të PS. Ai tha me zë të lartë, duke e zgjedhur fjalën dhe frazën me qëllim që të ngulej si rrufeja në tokë, se brenda për brenda ‘familjes’ ka nga ata që bashkëpunojnë me ‘portale e kanale’ prapa kurrizit të shokëve dhe personaliteteve në krye të punëve.
I pari që u shfaq ‘si tigër nga strofka e miut’, ishte Arben Ahmeti. Portreti tipik i Edipit të krijuar që pesë shekuj para Krishtit. I lindur, dmth i njohur që në vegjëli për ‘asgjë tjetër veç manovrave me mbretin’, një ditë u ndodh afër ‘të atit të tretë’; madje u zgjodh dy herë për postin e zëvendës kryeministrit. Të gjithë u çuditën, veç ‘mbretit’ që nuk dinte; madje edhe pastruesit e plazhit ku ky shkonte si ‘pasanik i madh’. Tani ka vendosur që ‘vrasjen e ‘Lajit të Tebes’ ose kryetarit të Qeverisë, ta kryejë që nga kantoni më i pasur i Zvicrës.
E mira që i solli ‘mbretërisë’ ky lajm që duket i kobshëm, është se vetë ‘mbretëria’ PS pranoi se brenda ‘teatrit’ të saj ka Edipë. Do të ishte një absurd sikur të mos pranohej ky realitet. Se atëherë i binte që një mbretëri që rritet çdo vit, të mos ngjajë me mbretëritë e fillesës, si ajo që krijoji Sofokliu.
Partia Socialiste sot është partia që i ka dhënë fytyrë cep më cep vendit; mund të thuash se nuk ka mbetur asnjë ‘bërllok’ i periudhës 30 vjeçare të krijuar nga ‘mbretërit’ perversë. Madje edhe vetëm pak simbole të mbretërisë së gjatë komuniste mund të preken. Pritet që edhe mandati i katërt, që nis nga viti 2025, të ketë në krye PS-në. Vetë pranimin e Shqipërisë në BE, mes 2025- 30, Rama e ka projektuar si vepër të kësaj qeverisjeje.
Atëherë, vallë, a nuk do të ketë Edipë të tjerë?…
Edi Rama po i bën lavazhin gjithë ‘zhavorrit politik’ të PS. Gjysma e anëtarëve të Asamblesë dje erdhën të rinj. Të gjithë ministrat- të rinj. Të vjetrit nuk kanë më ‘këllqe’ për të vrarë; por të rinjtë- po!
Kjo është çështja; ç’të bëjmë kur s’kemi ç’bëjmë!
Pa shiko pak portretet e të ardhurve të rinj?, cili prej tyre do të jetë Edipi i radhës?! Dikush duket si ai, por a e vë dot gishtin? Ndoshta që sot zbulohen tradhtarët dhe të pacipët; aq më shumë po të kesh sado pak mjeshtërinë e Orakullit të Delfit dhe i pamëshirshëm si Orakulli. Disa vijnë për karrierë, disa për ‘punë’, disa për t’u pasuruar; askush për parajsën. Atëherë këtu fshihet Edipi.
Të gjitha ‘mbretëritë’ kanë strehuar ‘burra të grave që janë edhe mamatë e tyre’.
Komente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)
Sipas teje Rama është një Edip.
Përgjigju