Arben Kolën e kam parë në ditën kur një grup aktivistësh të mjedisit ishin thirrur nga PPNEA-ja dhe AOS (Organizata për Mbrojtjen e Shpendëve) për të protestuar në Tiranë. Ata u nisën nga rruga "Myslym Shyri" dhe erdhën përballë Ministrisë së Brendshme.

Ai ishte në krah të drejtorit ekzekutiv të PPNEA-së, (Protection and Preservation of Natural Environment in Albania- Organizata për mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit natyror shqiptar), Aleksandër Trajçe dhe mbanin një pankartë të madhe ku shkruhej  "Hands Off Vjosa Narta".

Më pas të gjithë e dimë se çfarë ndodhi dhe prej më shumë se njëzetë ditësh protestata vazhdon. Rrallë në historinë e këtyre viteve të tranzicionit mund të jetë organizuar një dëgjesë madhështore si ajo e ditëve të para ku në një podium të improvizuar dhe me një mikrofon, shqiptarët e morën fjalën në publik duke treguar të gjitha anët e ndërtimit të tyre antropologjik, duke paraqitur të gjitha ankthet, kërkesat, duke artikuluar shpresat, por duke paraqitur edhe deformimet që pëson njeriu në atë që filozofi gjerman me origjinë nga Koreja e Jugut Byung Chul Han e quan shoqëria e djegur ("Burnout Society").

Nëse një studiues i socilogjisë do të donte të mësonte apo të studionte se çfarë pëson njeriu kur kalon nga një regjim represiv në një shoqëri të hapur, pra nga shoqëria e disiplinës, siç thotë Fuko, në atë të suksesit, por pa rregulla dhe në të cilën fatin e tij e vendos emigracioni dhe një tranzicion i tejzgjatur, ku ekpserimentet politike me dy forca kryesore dhe me liderë të fortë që ruajnë sistemin dypartiak të ngjizur qysh në krye të tranzicionit, ai mund të studionte fjalimet e improvizuara në ditët e para të protestave. Gjëja e parë që do të konstatonte do të ishte Zemërimi. Aty, në atë laborator të madh social, secili nga ne pati rastin të shihte se si shfaqet, si vepron kjo ndjesi e ligjshme, siç është zemërimi.

Po i kthehem prapër autorit të cituar më sipër, Bijang Chal Han dhe librit të tij. Aty mes të tjerash ai thotë se « Mërzia është një “pëlhurë gri e ngrohtë nga brenda, me mëndafshet më të shndritshme dhe shumëngjyrëshe”; “në këtë pëlhurë mbështillemi kur ëndërrojmë”.  Ndërsa qetësia zhduket, “dhurata e të dëgjuarit” zhduket, ashtu si edhe “komuniteti i dëgjuesve”.

“Dhurata e të dëgjuarit” bazohet në aftësinë për të dhënë vëmendje të thellë dhe kontemplative - e cila mbetet e paarritshme për egon hiperaktive », thuhet në atë libër. Për një çast edhe Bulevardi ynë u shndërrua në një shtrat të madh ku njerëzit e mbështjellë me pëlhurën e zemërmit artikulonin vetëshkatërrimin e tyre në një shoqëri postmoderne të ezauruar.

Dhe fajtorë për këtë bënin me të drejtë klasën politike që i ka qeverisur në këta vjet. Ai manifestim i madh i ditëve të para përfshiu të gjithë shqiptarët e suksesshëm në botë dhe secili prej tyre, duke filluar nga Lea Ypi e deri te Arben Merkoçi, e shihnin këtë shfaqje si një mënyrë për të reflektuar thellë.

Mirëpo, ky manifestim pati edhe një anë tjetër sublime. Shqiptarët janë popull paradoksal. Si asnjëherë më parë një vend që është treguar e tregohet ende si areali i krimit, i mafies, i emigrantëve të paligjshëm, u zgjua i dehur nga krenaria e atdheut të bukur dhe pa e kuptuar as vetë po i jepte botës një mesazh marramendës : prodhoi për herë të parë atë sintagmën Flamingo Revolution.

Manifestimet e një rinie të bukur me flamingo në shesh u bënë pamja sublime e një Shqipërie që deri në atë kohë kishte eksportuar mafie, kriminelë dhe korrupsion. Gjithçka ishte si një natë me shampanjë. Mirëpo vetëm aq. Kur te gjithë ranë në gjumë nga dehja që kishte shkaktuar kjo darkë e gjatë dhe madhështore, në Bulevard erdhën ata që janë mësuar të vrasin ëndrrat në gjithë këta vjet.

Dhe zemërimi u korruptua. E humbi freskinë dhe forcën, e humbi dehjen që të sillte liria për t’u shkëputur nga tranzicioni. Korrupsioni ndër shqiptarë kuptohet vetëm si mitmarrje. Me qenë se në kulturën nacionalpopullore të arbërorëve është ngulitur sindroma e parasë, ata nuk e dinë se korrupsioni është edhe më i madh se kaq.

Nëse ti nuk e lë mishin që do të gatuash në frigorifer, ai prishet, pra korruptohet. Pra shkatërrimi i gjendjes normale të një dukurie, objekti, fenomeni apo sendi që e kthen dhe e bën të papërdorshm atë, është një akt korruptiv. Kështu edhe zemërimi që lindi nga dehja për të lartësuar një vend që duhet të zhvillohet nën metaforën e flamingos u korruptua dhe Bulevardi i Madh u kthye në një estradë me monologje të njohura.

Ashtu siç vinte re një filozof i madh edhe ngjarjet e mëdha nisin si tragjedi, bëhen drama dhe përfundojnë në komedi. Ai thoshte për shoqërinë njerëzore dhe kishte parasysh antikitetin dhe zhvillimin e Greqisë së Lashtë, por historia është e bukur sepse ajo përsëritet.