Shtëpia e re e drejtësisë, SHBA: Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë janë bllokuar se ishin të kapura nga korrupsioni (VIDEO+FOTO)

TIRANE-Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin garancinë se do të qëndrojnë në krah të Shqipërisë deri në ngritjen e SPAK-ut dhe vendosjen para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar dhe kriminelëve. Kështu deklaroi e ngarkuara me punë e Amerikës në Shqipëri, Leyla Moses-One gjatë inaugurimit të shtëpisë së re të drejtësisë. Diplomatja tha se gjykata Kushtetuese dhe e Lartë janë bllokuar pasi ishin të kapura nga korrupsioni.

"Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve" tha Leyla Moses-One.

Shefja e ONM-s Genoveva Ruiz Calavera u shpreh se reforma në drejtësi do i hapë dyert Shqipërisë për integrimin në BE. Për ministren e Drejtësisë, qeveria e ka bërë detyrën e saj, ndërsa tashmë pret rezultate. Por, kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi kërkoi besim dhe durim, pasi theksoi se fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë dhe se frytet po vijnë.

Godina te ish-Fusha e Aviacionit ku do të vendosen administrata e KLP-së dhe KLGJ-së do të quhet "Poli i Drejtësisë". Inaugurimi u bë sot, në 3-vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë shumë personalitete. Në fund të ceremonisë u betuan 16 magjistratë të rinj, nga të cilët të pranishmit kërkuan një drejtësi me modelin ri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:47
3 vite nga reforma në drejtësi, ambasadori i BE-së: Kemi kontribuar me 42 mln euro

1541513986_Sequence01.Still119.jpg
Tre vite pasi u votua Reforma në Drejtësi, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca thotë se kjo është arritje historike për Shqipërinë. “Reforma e Drejtësisë në Shqipëri është tre vjeçe. Një moment për të festuar por gjithashtu për të parë drejt së ardhmes.

Bashkimi Europian po vë 42 milionë euro për të konsoliduar këtë arritje historike dhe finalizuar reformën. Për të mirën e çdo qytetari shqiptar. Bashkimi Europian për drejtësinë, Bashkimi Europian për Shqipërinë”-tha ai.

Ora 20:13
Në tre vjetorin e Reformës inaugurohet “Poli i Drejtësisë”, godina që grupon institucionet e reja (FOTO)
Ora 20:06
Betohen 16 magjistratët e rinj në shtëpinë e re të drejtësisë

16 magjistratë të rinj janë betuar gjatë ceremonisë së inaugurimit të shtëpisë së re të drejtësisë në Shqipëri. E ngarkuara me punë e SHBA-së, shefja e ONM-së, ministrja e Drejtësisë, por edhe zyrtarët e tjerë uruan magjistratët e rinj duke kërkuar një drejtësi me modelin e ri.

Ora 20:01
Shtëpia e re e drejtësisë, Gjonaj: Qeveria e bëri detyrën, tani presim rezultatet

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u shpreh se qeveria e bëri detyrën me godinën e re, ndërsa tashmë fjalën e ka drejtësia e re. "Ne e bëmë detyrën tonë. Kjo ndërtesë është në shërbimin tuaj, tani është radha juaj për të ushtruar detyrën Kushtetuese dhe ligjore me një drejtësi të pavarur dhe të paanshme. Reforma i kapërcen kufijtë e vendit tonë.  Qeveria vijon që të mbështesë procesin e reformimit të drejtësisë shqiptare. Pak ditë më parë iu dha KLGJ-së dhe KLP-së të gjitha instrumentet ligjorë. Mbështetja buxhetore ka qenë konstante e padiskutueshme. Qeveria ka alokuar një buxhet tej mundësive, por ka një vlerë të shumfishtë sot dhe nesër. Një investim për të ardhmen. Pagat e gjyqtarëve janë dyfishuar. Institucionet janë shtuar, buxheti është shumë motivues. Është koha për të bërë ndryshimin e kërkuar" tha Gjonaj.

Fjala e plote e ministres se Drejtesise
Ta gëzoni godinën e re! 
Këto mjedise me mbështetjen e Qeverisë shqiptare për institucionet e reja të drejtësisë, shpresoj të jenë një mundësi më shumë, një arsye më shumë, në përmbushje të misionit tuaj, atë çfarë shqiptarët, vëndi dhe të gjithë ne, presim nga ju.

Ne e bëmë detyrën tonë. Kjo ndërtesë e bukur dhe tejet funksionale e pagëzuar me emrin kuptimplotë “Poli i drejtësisë” është në shërbimin tuaj.

Tashmë është rradha juaj, nëpërmjet funksionimit efektiv për të ushtruar detyrën tuaj kushtetuese dhe ligjore me përgjegjshmëri, në garantimin e një sistemi drejtësie të pavarur, të paanshëm dhe efikas për qytetarët shqiptarë. Urime të gjithëve !

E nderuar znj Moses - One, e nderuar znj Calavera,

Përsëri jemi bashkë në një ditë të shënuar si kjo e sotshmja. Ashtu siç kemi qënë gjatë gjithë këtyre viteve me ju! Faleminderit juve, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian për mbështetjen që na keni dhënë që në nisje të reformës në drejtësi, sot në jetësimin e saj dhe në vazhdim për formëzimin e të gjithë arkitekturës së sistemit të ri të drejtësisë. 
Mbështetja, asistenca dhe kontributi juaj ka qënë faktor kyç për miratimin dhe zbatimin e reformës dhe e tillë do të mbetet në vazhdimin e jetësimit dhe funksionimit me efikasitet të këtyrë institucioneve. 
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time dhe të qeverisë shqiptare si dhe të çdo qytetari shqiptar për SHBA, Bashkimi Evropian, misionet tuaja të asistencës si dhe të gjitha vendeve të tjera mike dhe partnere që vazhdojnë të na mbështesin në këtë proces.

Të nderuar miq,

3 vjet nuk janë shumë për historinë e një vendi në përpjekjet shtetformuese, për hartimin dhe zbatimin e reformës në drejtësi, për vetë përmasat e kësaj reforme që synon të shëmbë një sistem të kalbur, dhe mbi të, të ndërtojë jo thjesht një pallat qoftë edhe me arkitekturë të bukur sa kjo ndërtesë në të cilën jemi sot. Por mbi të gjitha të ndërtojë një pushtet të ri drejtësie, me një sërë institucionesh të reja që synojnë të garantojnë drejtësi të re, të barabartë, për t’i dhënë fund njëherë e mirë pandëshkueshmërisë dhe për të rifituar besimin e qytetarëve tek drejtësia.

Lufta për ideimin, hartimin dhe miratimin e kësaj reforme ka qënë e vështirë, por beteje pas beteje, ja dolëm. 
Ja dolëm për t’ju dhënë shqiptarëve një shprese të re, për të pasur drejtësinë që ata meritojnë, një drejtësi të drejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Ja dolëm për t’i dhënë Shqipërisë me këtë reformë një mundësi më shumë për të qënë nesër me meritë, me dinjitet, plotësisht të barabartë në fushën e zbatimit të ligjit si anëtare e ardhshme e familjes evropiane.

Vizioni, përgjegjshmëria dhe vendosmëria e atyre që e ideuan dhe e hartuan ditë pas dite këtë reformë ishte garancia që ne të kishim një reformë të përmasave të tilla historike. Dhe ashtu sic është vlerësuar botërisht me shumë të drejtë nga partnerët tanë amerikanë dhe evropiane, një reformë historike që i kapërcen kufijtë e vendit tonë.

Si pjesë aktive e ekipit të ekspertëve të Sekretariatit Teknik, pranë Komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, jam dëshmitare për punën e jashtëzakonshme të kryer, të shumë debateve të zjarrta për formësimin e projektit kushtetues dhe akteve ligjore që e shoqëruan atë.

Mirënjohje për të gjithë ata ekspertë vendas dhe ndërkombëtare që e ideuan, projektuan dhe e formësuan këtë projekt që përbën themelin e reformimit dhe ngritjes së drejtësisë së re.

Të nderuar miq,

Sot jam këtu para jush jo si ish eksperte e grupit të hartimit të reformës, por në cilësinë e Ministres së Drejtësisë. Para jush ndihem mirë që qeveria ku bëj pjesë dhe personalisht Kryeministri i vendit, Z.Rama, i kanë dhënë dje dhe vazhdojnë t’i japin ende mbështetje aktive të pakushtëzuar, procesit të reformimit të drejtësisë shqiptare.

Pak ditë më parë, Këshilli i legjislacionit dhe Komisioni i ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, ndërmorën të fundit detyrim në reflektim të vendimit të gjykatës Kushtetuese duke i dhënë KLGJ-së dhe KLP-së të gjitha instrumentat ligjor për të ushtruar funksionin e tyre, me një kuadër ligjor tashmë të kompletuar.

Në mënyrë të vazhdueshme mbështetja buxhetore për reformën në drejtësi ka qënë në mënyrë konstante e padiskutueshme në programet tona buxhetore. Kryeministri i vendit, qeveria shqiptare ka alokuar një buxhet tej mundësive të saj, por e bindur që është gjëja e duhur në funksion të jetësimit të reformës në drejtësi, të vetdijshëm se kjo ka një vlerë të shumëfishtë sot dhe nesër për fatet e vendit; një investim jo vetëm për të sotshmen, por për të nesërmen e fëmijëve tanë.

Sot sistemi i drejtësisë ka një mbështetje financiare të pakrahasueshme me pak vite më parë në financa dhe në burime njerëzore duke mundësuar dhe dyfishimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe anëtarëve të institucioneve të reja.

Institucionet e reja të drejtësisë janë shtuar nga pikëpamja e numrit të burimeve njerëzore duke ju akorduar një buxhet shumë motivues dhe qeveria ka qënë dhe është e gatshme për t’i dhënë mbështetjen për çdo burim financiar dhe njerëzor të nevojshëm për të gjitha institucioneve e tjera që do të ngrihen në vijim.

Infrastruktura bashkëkohore për organet e vettingut dhe kjo godinë sot, është pjesë e gjithë atij investimi që qeveria ka dhënë për zbatimin e reformës në drejtësi.

Ndjehem e vlerësuar që ndodhem në funksionin e ministres së Drejtësisë, në këtë moment tepër të rëndësishëm dhe historik për fatin e vendit, për shpresat dhe për të ardhmen e tij.

Ju siguroj se si anëtarë e qeverisë në cilësinë e ministres së Drejtësisë por njëkohësisht dhe si koordinatore kombëtare antikorrupsion, e konsideroj prioritet bashkëpunimin me ju, në kufijtë e parashikuara nga kushtetuta dhe ligji.

Pres me padurim që luftës kundër korrupsionit t’i bashkohen edhe institucionet e reja, të SPAK-ut dhe BKH-së, si institucionet kyç, që shpresoj fort, do të shënojnë kthesën e duhur në betejën kundër pandëshkueshmërisë ndaj fenomenit të korrupsionit ndër vite.

Është koha për të bërë ndryshimin e kërkuar në hapjen e faqes së re për shtetin e së drejtës. Shqiptarët shpresojnë dhe besojnë që reforma në drejtësi do t’ju japi garanci për të patur drejtësinë që ata meritojnë të kenë, qeverisje më të mirë në të gjitha nivelet, dhe kryesorja një kontribut më shumë në endrrën e tyre për të qënë pjesë e familjes evropiane.

Në mbyllje më lejoni tju uroj suksese të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj që do të betohen sot në këtë ditë të shënuar, dhe do të marrin zyrtarisht detyrën e gjyqtarit dhe prokurorit për të shërbyer me devotshmëri si gjyqtarët dhe prokurorët më të rinj të sistemit.

Uroj që të ushtroni veprimtarinë tuaj me përgjegjshmëri dhe transparencë që ashtu sic thoshte Sokrati: Të dëgjoni me kujdes, të përgjigjeni me zgjuarsi, të peshoni me maturi, dhe të vendosni me paanësi.

Shqiptarët shpresojnë te reforma në drejtësi, të rinjtë ëndërrojnë që ajo t’ju japi atyre mundësinë dhe garancinë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend.

Ne të gjithë kemi përgjegjësinë dhe detyrimin ta kthejmë shpresën në besim dhe ëndrrën në realitet.

Ne mundemi, duhet dhe do ta bëjmë këtë gjë!

Ora 19:59
Shefja e ONM-së: Drejtësia e re do të hapë derën në BE (Mesazh Metës për Kushtetuesen)

Puna për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese ka nisur dhe në fillim të gushtit emrat e kandidatëve të parë pritet t’i drejtohen Kuvendit dhe Presidentit. Kreu i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani deklaroi se ligji parashikon se procesi nuk do mund të bllokohet edhe nëse presidenti Meta nuk do shprehet me vendimmarrjen përkatëse.

Por, shefja e ONM-së Genoveva Ruiz Calavera kishte një mesazh indirekt për Presidentin Meta nga ceremonia e inaugurimit të pallatit të ri të drejtësië. Ajo tha se të gjithë aktorët duhet të marrin përgjegjësitë dhe të mos vonojnë procesin për konsolidimin e Gjykatës Kushtetuese.

 "Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve në këtë proces që të ndërmarrin përgjegjësitë e tyre pa vonesa, sepse kemi pra konsolidimin e gjykatës Kushtetuese, inspektoratit të lartë të drejtësisë, si edhe këtë zinxhir të plotë kundër krimit dhe korrupsionit me përpjekjet për krijimin e SPAK-ut dhe kjo mbetet përparësi.  

Duhet të jemi krenarë me atë që është arritur. Proverba thotë se Roma nuk është ndërtuar në një ditë, kështu që një reformë e tillë nuk mund të bëhet në një ditë, por do vite dhe integritet.

Po ashtu të gjitha institucionet kanë një mundësi dhe shans historik. Është një mundësi, pasi do të jenë brezat e ardhshëm që do të na gjykojnë, është një mundësi për të çelur derën për në BE" tha Genoveva Ruiz Calavera.

Përsa i përket zbatimit të reformës në drejtësi, shefja e ONM-së ka pasur edhe më herët përplasje në distancë me deklarata me presidentin Meta. Në muaj e fundit, kreu i shtetit shqiptar ka qenë mjaft i ashpër me zbatimin e reformës në drejtësi duke e cilësuar si 'Ramaformë' dhe sulmuar hapur ndërkombëtarët.

.

Ora 19:46
Shtëpia e re e drejtësisë, SHBA: Jemi këtu, SPAK-u do të çlirojë Shqipërinë nga korrupsioni

E ngarkuara me punë e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses-Ones deklaroi se Amerika do të vijojë që të qëndrojë në krah të Shqipërisë deri në ngritjen e SPAK-ut dhe dhënien e rezultateve konkrete të drejtësisë së re për vendin tonë. Në fjalën e saj, ajo zgjodhi që mesazhin ta përcillte në gjuhën shqipe, teksa theksoi se sistemi është pastruar nga të korruptuarit. Duke iu përgjigjur atyre që flasin për ngërçin në Gjykatën Kushtetuese dhe të Lartë, ajo tha se disa janë të shqetësuar, por kjo tregon se drejtësia e re po funksionon.

"Pas negociatave që zgjatën gjatë gjithë ditës në 21 korrik, PD miratoi draftin. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit Meta falënderoi zotin Basha dhe zotin Rama dhe i vlerësoi për pjekurinë e tyre gjatë negociatave dhe tha se drafti ishte gati për t’u miratuar. Votimi filloi pas mesnatës më 22 korrik. Ishte unanim – të gjithë votuan për të bërë këto ndryshime historike. Ky votim tregon se çfarë mund të bëjnë udhëheqësit e Shqipërisë kur punojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Prej orës 1 të mëngjesit, Shqipëria kishte një të ardhme të re, sepse politikanët shqiptarë kishin vizionin për të luftuar së bashku korrupsionin dhe për të ecur përpara drejt realizimit të ëndrrave të pranimit në BE.

Kjo ishte tre vjet më parë. Shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë. Shqipëria miratoi ligje për zbatimin e Kushtetutës dhe më pas krijoi një Komision dhe një Kolegj Apelimi për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingun). Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara krijuan Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky model i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë themeli për pjesën tjetër të reformave që duhet të ndodhin. Tani, një numër i madh – mbi 15 për qind – i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve. 

Tre vjet pas atij votimi në mesnatë, tani kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë dhe një Këshill të Lartë Gjyqësor. Ata përbëhen nga gjyqtarë, prokurorë dhe anëtarët jogjyqtarë dhe joprokurorë. Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për të përtërirë Gjykatën e Lartë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës së reformave: krijimin e SPAK-ut. Të dy Këshillat janë të ngarkuar me ndërtimin e një sistemi efektiv qeverisjeje për të përmirësuar efikasitetin, për të shtuar llogaridhënien dhe për të rikthyer besimin e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë. Ne qëndrojmë përpara një ndërtese të re që së shpejti do t’i japë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës një shtëpi të re e moderne.

Kjo godinë së shpejti do të shohë një Shqipëri me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë dhe me etikë. Do të shohë një Shqipëri me SPAK-un dhe BKH-në që bëjnë pjesën e tyre për ta çliruar këtë vend nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ndërsa shqiptarët do ta shohin këtë ndërtesë si një simbol të suksesit të reformës në drejtësi. Prokurorët e rinj që betohen sot do të shohin ndryshime të mëdha në Shqipëri përgjatë jetës së tyre. Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj" përfundoi diplomatja e SHBA-se. 

Ora 19:37
Sokol Sadushi: Magjistratët, drejtësi me modelin e ri

Kreu i Shkollës së Magjistraturës, Sokol Sadushi u shpreh në fjalën e tij se studentët do të trefishohen, ndërsa do të japin drejtësi me modelin e ri. "Në tetor jemi gati të presim 65 studentë të rinj në shkollën e Magjistraturës, trefishin e atyre aktual. Shkolla do të duhet të përballet me një numër të konsiderueshëm kandidatësh. Deri tani janë gati për të hyrë në sistem 41 magjistratë të rinj. 16 magjistratë të rinj po përgatiten që të hyjnë në sistem. Magjistratët e rinj do të bëjnë drejtësinë me modelin e ri" tha Sokol Sadushi.

Ora 19:26
Kreu i KLP-së: Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frytet po vijnë, besim dhe durim!

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi deklaroi në ceremoninë e inaugurimit të pallatit të ri të drejtësisë se koha e sistemit të vjetër ka përfunduar dhe tashmë do të fillojë një epokë e re që pritet të japë rezultatet duke filluar nga vjeshta.

"Shembujt e parë janë vërtetuar, sidomos për ngritjen e SPAK-ut. Opinioni ka ndjekur procesin. Vetë ne shijuam një proces shembullor që nisi nga parimet dhe rregullat për të zbritur te emrat për të shërbyer. Kandidatë që vlerësohen kundrejt kritereve.

Askush nuk mund të pretendojë se tërheq fijet e padukshme të interesave, askush nuk mund të paracaktojë rezultatet. Koha kur vendimet merreshin dhe procedurat kryheshin thjesht për t'i legjitimuar ka mbaruar.

Prania e kudo ndodhur e ndërkombëtarëve janë garancia më e madhe dhe e plotë për integritetin dhe suksesin e SPAK. Pavarësisht klimës së mosbesimit, kjo pritje pozitive na motivon për t'i çuar standardet përpara. Së shpejti do të zgjedhim kandidatët për Prokurorin e Përgjithshëm. Të gjithë të barabartë në start të gjithë në vendin e vet në finish.

Magjistratët që do të betohen sot janë të ndryshëm nga të tjerët ndër vite. Fara e drejtësisë së re ka zënë rrënjë, frytet po vijnë, ne ju presim besimin dhe durimin për ti shkuar në fund kësaj rruge që kemi nisur" tha ai.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • MIRDITOR: 23/07/2019 01:03

    KJO NDËRTESA DO TË JET THJESHTË NJË VEND I KËNDSHËM PËR ATO ZYRTARET. SE DREJTESI SKA AS NË AMERIKE E JO MA NË SHQIPERINE E KORRUPTUME. MA MIRE DO TE BAHET

    Përgjigju
  • Tirana: 22/07/2019 20:58

    Amerika masi i perkrahu per 30 vjete politikaj e korroptum dhe shkatrroj shqipnin fun e kryte tash thoj se do luftojm korrupsonin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja