Edhe pse ndërkombëtarët nga Tirana, i dhanë një shuplakë të fortë opozitës shqiptare duke thënë se zgjedhjet ishin të rregullta, lideri demokrat Lulzim Baha këmbëngul se qeveria ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura nga krimi. Nga Shkodra, ku pati një takim me strukturat e partisë në këtë qytet, Basha tha se rruga për rrëzimin e qeverisë do të vazhdojë. Basha i doli kundër ndërkombëtarëve, duke thënë se nuk është opozita pengesë për integrimin, por sipas tij, qeveria e lidhur me krimin dhe zgjedhjet sipas tij të vjedhura në bashkëpunim me krimin.

"Kështu nuk shkohet në Evropë. Në Evropë shkohet me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhen çuar para drejtësisë ata që vodhën zgjedhjet", tha Basha.

Protestat nuk do të ndalen, ndërsa po ashtu nuk ndryshon as kauza e qeverisë tranzitore dhe zgjedhjeve të parakohshme, dy kauza këto që delegacioni i Parlamentit Evropian në përmbyllje të vizitës në Shqipëri, i rrëzoi duke thënë se qeveria është legjitime, dhe se parlamenti është funksional.

I pyetur nëse Kuvendi aktual është legjitim, Basha u shpreh se deputetët nuk përfaqësojnë më qytetarët. “Sot nuk ka më Parlament. Sot ka një bandë ku një në tre deputetë përfaqëson Niçet dhe Bajrët. Hapat e mëtejshëm të opozitës janë me qytetarët dhe për qytetarët. Ne do të vazhdojmë sëbashku me sovranin dhe do të gërshetojmë protestas, mosbindjen civile dhe të gjithë aktet e tjera” – tha Basha.

Kreu i PD komentoi edhe qëndrimin e delegacionit të Parlamentit Europian. “Pyesni miqtë e Shqipërisë, a do të pranonit në vendin tuaj një Kryeministër që do të qeveriste me krimin? A do të pranonit vjedhjet masive me PPP?” – tha Basha duke iu drejtuar gazetarëve.

Basha nuk dha një përgjigje kur u pyet nga gazetarët se a do të marrë pjesë opozita në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. U përgjigj me një pyetje: Kur janë zgjedhjet? Kështu, duket se demokratët ende nuk kanë marrë një vendim nëse do t'i bojkotojnë zgjedhjet apo nëse do të marrin pjesë në to. Nga ana e tij kryeministri Edi Rama është shprehur më herët se siç ka ndodhur edhe më parë, opozita do të pranojë në moment të fundit të futet në zgjedhje.