SKEDA/ Gentjan Bejtja, ‘mishi i huaj’ mes klanit të Ervis Martinajt dhe aleancave Dokle-Duka-Bami! Saga e hakmarrjes, viktimat e atentateve dhe precedentët

SKEDA/ Gentjan Bejtja, ‘mishi i huaj’ mes klanit të Ervis Martinajt dhe aleancave Dokle-Duka-Bami! Saga e hakmarrjes, viktimat e atentateve dhe precedentët

Në radhë: Ervis Martinaj, Gentjan Bejtja dhe Valter Bami

Saga e krimit zgjeron jo vetëm numrin e atentateve vdekjeprurëse të përgjakshme, por edhe zëvendësimin e anëtarëve të rënë gjatë luftës ndër vite, në rivalitet për bizneset ilegale me miliarda euro xhiro në vit, hakmarrjen dhe jo vetëm.

Ekzekutimi më 15 Mars të këtij viti i ish-policit Gentian Bejtja në Fushë-Krujë, teksa vadiste perimet në kopshtin e tij pas një arratie të gjatë dhe dy atentateve të tjera të mbijetuara më parë, ishte vetëm i radhës në ‘fillin’ e gjatë të luftës mes klaneve mafioze.

Dhe kjo ngjarje, që direkt dhe indirekt bënë lidhjet me trekëndëshin e dosjeve “Plumbi i artë”, “Metamorfoza” dhe “Revanshi”, duket se ka për kryefjalë ‘mbretin e kumarit’, biznesmenin Ervis Martinaj, 44-vjeçarin e zhdukur mistershëm prej 8 Gushtit 2022 në aksin Shijak-Durrës dhe që zyrtarisht Policia e Shtetit dhe Prokuroria e deklarojnë të humbur, pasi ende nuk kanë prova për eliminim fizik apo inskenim zhdukjeje.

Emri i Gentjan Bejtjas lidhet njëkohësisht si mik dhe armik në të njëjtën kohë i Martinajt, i cili nga ana e tij kishte armiqësi të egër me disa grupe të tjera të rrezikshme, që dyshohet se kanë bërë aleanca mes tye për të rrëzuar ‘perandorinë’ e tij. Dhe këtu dalin të paktën 3 emra si kundërshtarë të rrezikshëm, që kanë përdorur viktimën Bejtja si një ‘informator’.

Klani i vëllezërve Duka, i drejtuar nga Leonardi, ish-shok i ngushtë i Martinajt i kthyer në armik, Indrit Dokle, ish-numri dy i “Bandës së Durrësit”, që grupi i Martinajt i eliminoi fizikisht katër vite më parë vjehrrin ish-polic në Laç dhe Durim Bami (Banda e Niklës), që nga përgjimet rezulton se ka pasur mosmarrëveshje me organizatën e Martinajt, edhe për shkak se ishte në shënjestër hakmarrjeje nga ish-deputeti socialist Arben Ndoka, i cili nga ana e tij bëri aleancë me Martinajn dhe Emiljano Shullazin, për të hequr qafe Bamin, i ndaluar në Dubai javë më parë.

Gentjan Bejtja, banesa ku u bë atentati, makina dhe armët e djegura të autorëve

Dhe ‘pika që derdhi gotën’ duket se ishte masakra e Fushë-Krujës dy vite më parë, ku Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, u ekzekutuan në një atentat të frikshëm te Mbikalimi i Fushë-Krujës më 17 korrik, në një pritë të dyshuar me tradhti nga brenda. Brilanti ndërkohë ishte i dyshuar për ekzekutimin e dy efektivëve të policisë më 2020-2021, në zonën Fushë-Krujë-Laç, që kontrollohej nga organizata.

Ervis Martinaj tentonte hakmarrjen për vrasjen e djalit të xhaxhait të tij dhe kërkonte ‘spiunin’ brenda grupit. Dyshimet ranë mbi Gentjan Bejtjan, një mik i afërt i grupit Martinaj, por që mund të ishte kërcënuar apo shantazhuar nga kundërshtarët, që të informonte për lëvizjen e Brilantit ditën e ngjarjes.

Ndaj për hetuesit, eliminimi ndaj Bejtjas lidhet më shumë me emrin e grupit të Martinajt si hakmarrje, por edhe si përgjigje për vrasjet e anëtarëve të grupit gjatë viteve të fundit. Por pa përjashtuar edhe hipotezën tjetër, se grupi kundërshtar eliminoi një tjetër anëtar të rivalit. Autorët zbrazën 3 karikatorë ndaj Bejtjas në sy të prindërve dhe fëmijëve të tij, duke u siguruar për fatalitetin para se të arratiseshin dhe digjnin mjetin dhe armët në periferi. Provat e mbledhura dhe të dhënat operative drejtonin tek ushtarët e biznesmenit të zhdukur Martinaj.

Një tjetër detaj interesant në çështje është fakti se Bejtja ishte miku i ngushtë i të zhdukurit prej vitit 2015, Enver Stafuka, që u rrëmbye dhe humbi gjurmët. Bejtja nga ana tjetër ka qenë i arrestuar dhe dënuar për vjedhjen në Durrës në vitin 2013 të makinës “BMË”, bashkë me Stafukën, që u përdor më pas nga biznesmeni Arben Frroku, për të ekzekutuar në lagjen e “Vasil Shantos” në Tiranë, më 13 shkurt 2013, komisarin Dritan Lamaj, për shkak të detyrës. Pas dënimit duket se ka vijuar aktivitetin e dyshimtë dhe i shpëtoi dy atentateve, por jo të tretit.

'Armiqtë e përbetuar', Ervis Martinaj, Indrit Dokle dhe Leonard Duka

Bejtja ka qenë i dyshuar dhe hetuar si i implikuar edhe në të paktën 3 vrasje në zonë ndër vite;  vrasja e biznesmenit të kromit, Iliaz Çali, ndodhur më 3 prill të vitit 2022 në autostradën Tiranë-Durrës; atentati ku mbeti i plagosur Marklen Haka, më 8 qershor të vitit 2022, të cilit i vranë gabimisht edhe hallën: si dhe për krimin e trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës më 17 korrik të vitit 2022, ku mbetën të vrarë, Brilant Martinaj e dy miqtë e tij, Diklen Vata dhe Besmir Hoxha. Por asnjëherë nuk kishte pasur prova të mjaftueshme për t’i lënë pas hekurave. Gjithashtu

Skeda e atentateve dhe viktimave në një dekadë:

26 Shkurt 2013, arrestohen Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka

Mbrëmjen e 24 shkurtit të vitit 2013, ekzekutohet në Tiranë, kryekomisari Dritan Lamaj. Në afërsi të fshatit Domje, prapa fabrikës së pijeve freskuese, Policia gjetiu të braktisur makinën e dyshuar që ishte përdorur në krim. Hetimet zbuluan se makina ishte vjedhur nga Gentian Bejtja dhe miku i tij i zhdukur prej vitit 2015, Enver Stafuka. Të dy kishin precedentë penalë dhe dyshoheshin si anëtarë të grupit të Fushë-Krujës, “Banda e Niklës” .

Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja në gjykatë, më 2013

5 Janar 2015, plagosen në atentat Emiljano Shullazi e Gilmando Dani

Rreth orës 20:22, të datës 5 janar 2015, tek mbikalimi i Rinasit, ka ndodhur një atentat dhe u njoftua se drejt Spitalin Ushtarak, po transportoheshin të plagosur me armë zjarri Emiljano Shullazi dhe Gilmando Dani, që ndodheshin në makinën që kishte dalë jashtë rruge. “Si pasojë e të shtënave me armë zjarri, ka mbetur i plagosur shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç dhe Gilmando Dani, 36 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve”, njoftonte policia atë kohë.

Shullazi dhe Dani ktheheshin nga Fushë-Kruja për në Tiranë. Të dyshuar ishin anëtarë të bandës së Niklës, mes tyre ish-anëtarët Stafuka dhe Bejtja, për t cilës s’u gjetën prova.  

9 Shkurt 2015, Enver Stafuka rrëmbehet në Fushë-Krujë e zhduket

Një muaj pas atentatit ndaj Shullazit dhe Danit, zhduket sipas pamjeve të videos së një kamera lokali në zonë, në orën 19:46 të mbrëmjes së datës 9 shkurt 2015, Enver Stafuka. Ai u pa teksa mërej forcërisht ndërsa pinte kafe në lokalin pranë shtëpisë së vëllait. Para rrëmbimit aty ka qenë edhe i dyshuari Durim Bami në takim me Stafukën dhe rrëmbimi ka ndodhur 30 minuta më pas. Dyshimet ranë tek hakmarrja për atentatin e një muaji më parë.

Enver Stafuka dhe momente nga rrëmbimi dhe zhdukja e tij më 2015

19 Shtator 2016, Gentian Bejtja plagoset në një atentat me tritol në makinë

Në orën 9 e 30 të mëngjesit, të datës 19 shtator 2016, Gentian Bejtja, që në atë kohë njihej edhe me emrin Edmond, sapo kishte hipur në makinën e tij “Touareg”, me targë AA 020 BH dhe ndodhej jo shumë larg shtëpisë së tij në Larushkë. Një sasi eksplozivi që ishte vendosur në pjesën e përparme të mjetit. Si pasojë e shpërthimit Bejtja ka mbetur i plagosur lehtë në këmbë.

Më 20 dhjetor të vitit 2019, Prokuroria njoftonte se ishin arrestuar për ngjarjen: Edison Pula, Edison Bami, Arjan Ademi, Fadjol Anamali, Muharrem Sheta, Ilir Caca, Marklen Haka, Klaudio Ismailaja dhe Astrit Rryçi. Ndërsa ishte shpallur në kërkim Oltjon Caca. Numri i telefonit që aktivizoi minën e vendosur në automjet Gentian Bejtjas, rezultoi të ishte i Edison Pulës. Motiv besohej se ishte hakmarrja. Pula ishte një emër i skeduar brenda dhe jashtë vendit, për trafik droge.

 21 Shtator 2019, atentat ndaj Marklen Hakës, vritet halla e tij

Më 21 shtator të vitit 2021, Marklen Haka, një i ri me shumë precedentë penalë, mbeti i plagosur në një atentat në derën e shtëpisë së tij në Nikël të Krujës. Por në këtë ngjarje mbeti e vrarë gabimisht halla e tij, Shpresa Basha, 50 vjeçe. Autorët zbrazën 100 plumba. Motiv besohej se ishin konfliktet mes bandës së përçarë të Niklës, ku bënin pjesë Durim Bami dhe Gentjan Bejtja. Haka, me precedentë të shumtë penalë, sapo ishte liruar nga burgu kur ndodhi atentati.

Marklen Haka dhe moment nga plagosja e tij

 9 Janar 2022, Bejtja plagoset në atentat pranë një karburanti

Gati pesë muaj më pas, mbrëmjen e 9 janarit të vitit 2022, Gentjan Bejtja, mbeti i plagosur me armë në afërsi të një karburanti në Larushkë të Fushë-Krujës. Bejtja ka qenë duke udhëtuar me makinë, ku pasagjer ishte Klodjan Stafuka, në momentin që iu zu pritë. Drejt tyre u qëllua me kallashnikov nga një makinë në lëvizje. Plumbi kapi vetëm Bejtjen në njërin krah. Ndërsa Stafuka mori dëmtime në kokë e u plagos. Motiv përsëri lufta mes bandave në zonë dhe hakmarrja.

3 Prill 2022, ekzekutohet në autostradë biznesmeni i kromit

Iljaz Çali, i njohur si biznesmen kromi në Bulqizë, u ekzekutua nga persona ende të paidentifikuar mbrëmjen e 3 prillit të vitit 2022. Ngjarja ndodhi në autostradën Tirane- Durrës, kur atentatorët iu afruan mjetit të tij “Land Rover” më një makinë tjetër që lëvizi për disa metra paralel me të e më pas hapi zjarr. Çali mbeti i vdekur në vend dhe makina e tij doli nga rruga duke përfunduar në anë të saj. Një nga kontaktet e fundit në telefonin e Iljaz Çalit rezultoi të ishte Gentian Bejtja. Ai u mor në pyetje për takimin 4 ditë para krimit, por nuk u gjetën prova.

8 Qershor 2022, atentat në Fushë-Krujë, plagoset Marklen Haka

Marklen Haka, i cili i shpëtoi atentatit të ndodhur shtatorin e vitit 2019, ngjarje në të cilën u vra halla, ka mbetur i plagosur me armë zjarri më 8 qershor të vitit 2022. Ngjarja ndodhi në mesditë në Fushë-Krujë. Ai u qëllua me një plumb në nofull dhe u transportua menjëherë në spital. Mes të shoqëruarve si të dyshuar ishte edhe Gentian Bejtja. Haka ka qenë i dyshuar edhe për vrasjen e biznesmenit të kromit Nadien Zeneli, në zonën e ish-Bllokut, në vitin 2011, pasi dyshonte se Zeneli i kishte vrarë të vëllain, Roland Haka, në vitin 2004.  

17 Korrik 2022, vriten në atentat Brilant Martinaj dhe 2 miqtë e tij

Pak javë para se Ervis Martinaj të shpallej i humbur, ndodhi një nga atentatet dhe masakrat e bujshme vitet e fundit, në mbikalimin e Fushë-Krujës. Ekzekutohet në pritë Brilant Martinaj, kushëriri i parë i Ervisit dhe vdesin gjithashtu të djegur në makinë miqtë e tij që e shoqëronin, teksa ktheheshin nga Rinasi drejt Laçit, Diklen Vata, Besmir Hoxha.

Dyshimet ranë te Gentjan Bejtja, që mund t ëkishte luajtur rol të dyfishtë mes grupeve rivale të Martinajt dhe Indrit Dokles, në armiqësi mes tyre, por edhe Klanit Duka dhe Durim Bamit. Brilant Martinaj dyshohej se kishte vrarë vjehrrin polic të Dokles në vitin 2021 në Laç. Por gjithashtu edhe policin e FNSH-ve, Xhulio Prela, mëngjesin e 5 nëntorit të 2020.

Brilant Martinaj dhe pamjet pas atentatit në Fushë-Krujë

22 Korrik 2022, vritet Klisman Preçi dhe plagoset Ylli Brahimaj, miku i Martinajt

Pesë ditë më pas eliminohet një tjetër ushtar i Ervis Martinajt, ku i dyshuar si ‘lojtar i dyfishtë’ ka qenë edhe Gentjan Bejtja. Breshëritë e plumbave ndaj një makine të blinduar në qendrën e Milotit, Klisman Preçi mbeti i vrarë Ylli Brahimaj, mik i Martinajt, mbeti i plagosur rëndë. Në vitin 2021, Ylli Brahimi i mbijetoi një atentati në qendër të Milotit nga disa persona.

4 Korrik 2023, vritet kunati i Gentian Bejtjas dhe plagosen 2 djemtë e tij

Ndodhi në fshatin Larushkë të Krujës. Vetëm 15 minuta pasi kishte kaluar mesnata e kishte hyrë data 4 korrik 2023, një makinë nga ku zbritën 3 persona u sharrua nga të paktën 30 plumba. Plumba që nuk kursyen as dy fëmijë të mitur, 13 e 10 vjeç. Ndërsa daja i tyre mbeti i vrarë. Objektivi ishte Gentian Bejtja, ish polic, që i kishte shpëtuar më parë dy atentateve, teksa këtë herë e pësuan edhe fëmijët. Kunati i tij, Ramazan Sino, 29 vjeç, mbeti i vdekur në vend, teksa prej vitesh ishte i punësuar si shofer në Prokurorinë e Apelit në Tiranë.

Sipas Policisë, Sino u gjend rastësisht mes breshërisë së plumbave, njësoj si dy nipat e tij të mitur. Gentian Bejtja kishte 10 ditë që ishte kthyer në Shqipëri dhe autorët kanë menduar se ishte ai në makinë me fëmijët. Mes të dyshuarve ishin vëllezërit Valter dhe Durim Bami. Më 6 korrik, ai arrestohet në Nikël, pasi u gjetën edhe gjurmë baruti në duar, por në janar të vitit 2024 u la i lirë. Por dyshohej edhe për dorën e grupit të Martinajn, në aleancë me fraksionin e grupit të Niklës.

Gentjan Bejtja dhe kunati i tij, Ramazan Sino, të vrarë në atentate të ndryshme

15 Mars 2024, ekzekutohet në oborrin e shtëpisë Gentian Bejtja

Atentati që dështoi mesnatën e 4 korrikut të vitit 2023, paçka se humbi jetën një i pafajshëm, u realizua në orën 16 e 20 minuta të 15 marsit 2024. Duket se të njëjtën autorë provuan sërish dhe kësaj here ekzekutuan 43-vjeçarin Gentian Bejtja. Sipas të dhënave të siguruara nga grupi hetimorë, në ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë 4 persona.

Të dyshuar për krimin kanë qenë anëtarë të grupit të biznesmenit të zhdukur Ervis Martinaj, të afërm dhe miq të tij, kurse motiv besohet hakmarrja pasi Bejtja mund të ketë nxjerrë në pritë Brilant Martinajn dhe dy miqtë e tij në atentatin e Fushë-Krujës në muajin korrik 2022. Ndaj Bejtjas u derdhën të paktën 100 plumba nga 3 karikatorë kallashi. Ai sapo ishte kthyer nga arratia. /Përgatiti Shqiptarja.com/   

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Detaje të reja nga grabitja e 15 mijë eurove te “Komuna e Parisit”, ja si hajduti vodhi shtëpinë e shefit të urgjencës së QSUT

Detaje të reja nga grabitja e 15 mijë eurove te “Komuna e Parisit”, ja si hajduti vodhi shtëpinë e shefit të urgjencës së QSUT