Edhe përgjatë këtij tetori në mediat e grupin tonë, ku përfshihen Report TV dhe Shqiptarja.com, si për 8 vite me radhë, do të shihni fjongon rozë si një kujtesë e brishtë për vajzat dhe nënat: Bëni kontrollet që mund t’ju shpëtojnë jetën! Ishte shtatori i 2012 kur sollëm në një suplement të plotë zërat e mjekëve më të mirë italianë dhe zërin e një iluminari në shkencën kundër kancerit të gjirit, profesor Umberto Veronesi, i cili shpjegonte rëndësinë e të kapurit në kohë të një sëmundje që për fat të keq vazhdon të marrë miliona jetë të parakohshme. Në Shqipëri gjendja nuk ishte e mirë: Mjekët tanë të dëshpëruar tregonin se gratë dhe vajza vinin në stade shumë të avancuara: u vinte zor të shkonin te mjeku, u vinte zor të tregonin në familjet e tyre se diçka e rëndë po u ndodhte. Edhe kur shkonin te mjeku, disa prej tyre nuk ktheheshin më për t’u operuar apo kuruar. E mendonin si ndonjë magji dhe ndiqnin “fallxhoret” e fshatrave apo kërkonin që hoxhallarët t’u frynin për t’i shëruar. Të flisje për kancerin e gjirit ishte tabù, por sidomos të ngrije zërin mediatikisht, vullnetarisht, thjeshtë si një shërbim qytetar e sensibilizues, do të zbulonim se do të ngjallnim shumë cmira e do të shndërroheshim në një shënjestër sulmesh të egra. Të parat sulme nga një shoqatë grash që i sheh në veprim vetëm për ndonjë marshim: “Uaa po çfarë doni ju? Merremi ne me këtë punë prej vitesh!”. Pastaj kolegë gazetarë e më pas politikanë, ata të zakonshmit që sulmojnë çdo punë sepse e mendojnë vetëm si një terren përfitimi personal. Në vend që të bashkonim zërat e të bëheshim sa më shumë në sensibilizim, nisën zilitë. E nga zilitë stërkëmbëshat, shpifjet dhe aludimet. Reparti i kimioterapisë në vitin 2012 ishte një mjerim, më shumë se një vend ku gra, vajza, bashkë me të gjithë pacientët e tjerë onkologjikë duhet të merrnin shpresën e jetës, dukej një repart i spitaleve psikiatrike të fillim viteve ’90: krevatë hekuri me susta të çjerra dhe dyshekë me gjurmët e një dekadave të mjerimeve, dhimbjeve, vdekjeve mbi to. A kemi ndikuar edhe ne sadopak në përmirësimin e kushteve sot? Në krijimin e një reparti dinjitoz dhe shërbimi që ende nuk mund të quhet perfekt në duar njerëzish që nuk kanë përherë qëllim shërbimin sa më të mirë për të sëmurë të rëndë? Shpresojmë. Ashtu siç shpresojmë që nëna e vajza që do të shohin fjongon rozë këtë tetor të kontrollohen, sepse një gjendër e vogël sa një oriz, kurohet më mirë se një gjëndër sa një bajame apo arrë, që ka lëshuar edhe metastaza.
Nëse në 8 vjet sensibilizim e ngritjen e zërit për të çuar drejt kontrollit të parakohshëm qoftë edhe një nënë apo një vajzë të vetme, kemi fituar një jetë. Përfundojnë një kosh të plehrave të gjitha sulmet, cmirat, shpifjet, për një shpëtim.