Ylli Pata: Metamorfoza e betonimit të Sali Berishës

Ylli Pata: Metamorfoza e betonimit të Sali Berishës

Sali Berisha

Në narracionin politik 30 vjeçar, të së ashtuquajturës- e djathta shqiptare, flitet për rolin personal të Sali Berishës për të fuqizuar pushtetin e tij, deri në betonimin aktual, që është kthyer në një bunker politik.

Ka mjaft argumente për këtë, e në gjithë këto vite është folur shumë për rolin e doktorit për ta “pastruar” territorin, duke prerë që në rrënjë çdo mundësi pasardhësi që në gjenezë.

Për këtë fenomen është diskutuar mjaft e me hollësi, jo vetëm nga gazetarë apo diplomatë, por edhe nga ish-drejtues të njohur të Partisë Demokratike në vite.

E për të gjithë këtë tezë nuk ka ç’thuhet më, pasi është folur për shkaqe, pasoja e evenimente. Mirëpo përtej konstatimit, problemi më i madh është se e gjithë kjo shoqëri e thuajse gjysmës së elektoratit shqiptar, nuk ka gjetur mundësinë, idenë, fantazinë, por edhe kurajon për të mundur Sali Berishën me votë. Ose së paku thjesht ta konkurrojnë apo sfidojnë.

Gjë që do të lindte patjetër një proces politik, i cili do të gjeneronte realisht një demokraci sado të brishtë për të lëvizur ujrat e një kënete politike që po qelb dynjanë.

E më së shumti ata që jetojnë në atë mjedis, ku siç duket nga qëndrimi i gjatë nuk e vënë re. Madje me këtë mjedis të kontaminuar mësohen edhe ish-kundërshtarët e Sali Berishës, që për arsye krejt pragmatiste janë kthyer si djemtë plangprishës dhe e kanë nisur gavetën duke idolizuar doktorin.

Pamjet e profesor Neritan Cekës, i cili ka qenë ndër të parët rivalë të Berishës, krah doktorit në ditët e izolimit më të rëndësishëm politik e ndërkombëtar, janë një simptomë e kësaj situate problematike.

Por natyrisht nuk është kjo panoramë e vetmja, apo profesor Ceka protagonisti i vetëm i këtij ngërçi politik brenda opozitës.

Problemi më i madh është, se e djathta shqiptare nuk po prodhon në gjithë këto vite asnjë personazh politik aq të fuqishëm sa të imponojë një lidership të ri, të freskët, të fuqishëm, e imponues jo vetëm ndaj shoqërisë opozitare, por edhe asaj të paangazhuar apo ehe të majtës, duke arritur fitoren politike.

Shikoni Partinë Socialiste. Vetëm liderë politikë të nivelit të lartë ka prodhuar katër(Edi Rama, Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko), ndërkohë “senatorë”, që përpos të tjerash janë grupe reale interesi ka pasur pafund. Mjafton pamjet e festës së PS-së më 12 qershor, kur u pa “parada” e profesorëve dhe udhëheqësve të hershëm, për të kuptuar një dialektikë që duket është një tharm real i fuqisë politikë të socialistëve shqiptarë.

Ndërkaq, sot ka edhe zëra të shoqërisë që janë kritikë me qeverinë, e madje të fortë që vijnë nga një përvojë politike në PS. Juristi Ylli Manjani, që sot është një nga kritikët më të fortë të qeverisë e ka nisur karrierën politike në PS-në e Fatos Nanos e më pas në atë të Edi Ramës. Gazetari që drejton një emision të rëndësishëm në prime time, Luan Rama, ka qenë udhëheqës socialist e ministër i rëndësisëm i qeverive të majta. Ben Blushi, po ashtu, sociologu Gëzim Tushe, i cili është thuajse çdo ditë nëpër ekrane për të folur për fenomenet shoqërore, ka qenë një nga udhëheqësit e parë të socialistëve të Vlorës, etj etj.

Ky komunitet socialistësh që ndodhet në shoqëri, ka qenë ndër vite, e ndoshte edhe sot, pjesë të proceseve kritike por edhe transformuese në të majtën shqiptare. Para ardhjes së Edi Ramës, procesi i debatit të ndezur ishte prezent edhe gjatë kohës kur PS ishte në qeveri, ndërkaq, kur të kalojë në opozitë, procesi do të ndizet,  gjasat janë që edhe më fort sesa në kohën e KPD-së së famshme të vitit 2002. Megjithatë, edhe në qeverisje, socialistët kanë bërë qarkullime të shpeshta elitash qeverisjesh e siç tha Rama, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë edhe një zëvendësim gjenerate të skuadrës politike për 2025-n.

Proceset në të majtë, nuk kanë ndodhur vetëm me vullnetin e liderëve, që përgjithësisht lëvizjet i bëjnë të komanduara, të llogaritura për të ruajtur pushtetin e tyre. Por janë nxitur nga shkundjet që janë dhënë nga personazhet e tjera, të cilët me mjetet që kanë pasur në dispozicion, kanë dhënë impulse e tyre.

Krejt ndryshe ka qenë procesi djathtas. Proceset kanë mbetur në vend, e personazhe nga më të rëndësishmit në logjikën historike dhe intelektuale janë squllur, apo konformuar për interesa më të vogla e pragmatiste.

Që nga kundërshtarët e parë të Berishës që krijuan një proces fantastik dialektike politike, si Ceka, Imami, Zogaj, Pashko, e deri tek Leka Zogu apo Abaz Ermenji, askush nuk arriti të nxisë një proces politik për të prodhuar anti-Berishën në të djathtën shqiptare. Ndërsa një pjesë iku nga kjo botë nga ana biologjike, të tjerët, në mungesë të arritjes së objektivit, shkuan e u ulën në prehrin e doktorit për të marrë ndonjë indulgjencë të vockël për vete apo edhe për familjarët e tyre.

Kjo “lodhje” e “mërzitje” në dështimin politik, ka dëmtuar fort procesin politik të rrotacionit brenda komunitetit politik të opozitës shqiptare. E ky ngërç është shkaku real i mbetjes në këtë situatë, kur nuk duket aq i vërtetë kërkesa e tyre për rotacion të Edi Ramës nga pushteti.

Edi Rama është politikisht anti-Berisha më i madh dhe më konseguenti në politikën shqiptare. Rama e ka refuzuar pushtetin e Berishës që në vitin 1991, kur ishte pjesë e opozitës së parë antikomuniste, e këtë konseguencë e ka vijuar edhe kur doktori u bë thuajse mbret në vitin 1992.

Kur hyri në politikën aktive, ushqeu sërish anti-berishizmin, e në vitin 2003 kur kërkoi për herë të parë të bëhej kryetar i PS, tezë kryesore kishte: “po kthehet Berisha”. Fjala i doli, e Berisha u rikthye në vitin 2005.

Më pas Rama nis opozitën e fortë, ndaj Sali Berishës, i cili siç ka deklaruar disa herë, kishte bërë gati karikatorin për ta ekzekutuar edhe me armë zjarri. Përpos të tjerash, Rama, është në pushtet edhe falë betejës së tij me doktorin e betonuar. Të cilin e ka mundur që në zgjedhjet e para kur erdhi në krye të PS-së e deri më sot.

Por ndërkohë që Nano, Rama, apo të majtët, kanë betejat e tyre, dialektika politike kërkon që dikush të bëjë betejën reale brenda së djathtës.

E natyrisht nuk është fjalë për betejë për “vdekje”, por një garë normale politike, ku në fund të votohet. E gjithçka nis me sfidë fillimisht. Lulzim Basha mund të ketë gjithë defektet politike të botës, por është i pari që e ka sfiduar më seriozisht Sali Berishën kur e përjashtoi. Sado prapaskena apo teori konspirative të ketë ajo lëvizje, ai vendim i Lul Bashës, logjikisht duhet të ishte fillimi i një procesi që do të ndizte skenën e opozitës. E cila që nga 2021 ka pasur të gjithë reflektoret mediatikë, por që nuk ka ndezur e s’ka ndezur. Përveç se ka prodhuar skena false alla reality show, që në fund s’ja vlejnë as për reflektorët e prime time. Ndaj jemi këtu që jemi.

Sado të mbushin opinionin enturazhi i Berishës për të justifikuar dështimin e tij. Në fakt Berisha dështimin e suksesin e ka ngrënë së bashku me livadhin e tij politik e financiar. Dështimi real është i gjithë kësaj shoqërie brenda opozitës që këto 33 vjet, vetëm ka bërë llaç pa fund për të betonizuar doktorin në bunkerin, që edhe në realitet sot ndodhet në një godinë simbol të Ushtrisë Popullore të Enver Hoxhës./ Tema

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Skandali te Onkologjiku, Rama mbledh nesër shefat e shërbimeve në QSUT

Skandali te Onkologjiku, Rama mbledh nesër shefat e shërbimeve në QSUT