Zonja Albana solli tre receta tepër të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Byrek me qepë dhe domate / Sallatë me kastraveca dhe karrota / Reçel Fiku.
Jemi në stinën e verës, me pushimet duket se shtohet edhe dëshira për t’iu rikthyer leximit të librave. E në fakt, pyetja që dëgjojmë më shpesh në këto ditë është ‘çfarë të lexojmë poshtë çadrës?’. Pjesa më e madhe preferojnë librat argëtues që s’kërkojnë shumë përqendrim, por nga ana tjetër të përfshijnë në subjektin e tyre. Ka nga ata që duan dhe librat policeskë apo zhanrin politiko-historik, preferencat janë nga më të ndryshmet... Por cilat janë rekomandimet e disa prej shtëpive botuese në vend? Të ftuara në studion e “Rreze Dielli” Vasilika Tafa nga Shtëpia botuese Ombra GVG dhe Aida Baro, kryeredaktore e ‘Botime Pegi’ na sugjerojnë disa nga titujt më interesantë, për këto ditë të nxehta e të gjata ku libri mbetet një nga alternativat më të mira.
Dy vëllezërit nga Kosova Lumi Rrahmani 9 vjeç dhe Gjini Rrahmani 12 vjeç kanë fituar Olimpiadat Ndërkombëtare në shkencë, inteligjencë artificiale dhe matematikë të mbajtura në New York, Amerikë dhe Hollandë. Lumi me tri medalje të arta "Best of the Best" Inteligjencë artificiale vendi i parë dhe matematikë e shkencë. Lum Rrahmani ishte më i vogli garues me medalje të artë në këtë kompeticion, ndërsa Gjini mori medalje të artë në shkencë dhe matematikë për grupmoshën e tij. Përmes një bisede në skype për “Rreze Dielli” dy vëllezërit rrëfejnë emocionet dhe vështirësitë që hasën gjatë garës prestigjioze të inteligjencës.
Me regjisorin Taulant Skëndaj flasim për filmin ‘Haluç, psikozat e kokainës’, premiera e të cilit është shfaqur pak kohë më parë në kinematë e vendit, një film që paraqet një tablo të ashpër dhe të nëndheshme të errësirës dhe brutalitetit të botës kriminale e drogës, një plagë që e mban nën trysni shoqërinë tonë. Filmi zbulon pa frikë se sa shumë një person mund të degradohet kur përfshihet në krim, duke treguar çdo detaj pa filtruar: çfarë hanë, çfarë pinë, gjuha që ata përdorin dhe mbi të gjitha mentaliteti i tyre kriminal. Bazuar në ngjarje reale që ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit, filmi nxjerr në pah përhapjen e grupeve kriminale shqiptare jo vetëm në vend, por edhe në të gjithë Evropën dhe Amerikën Latine. Për producentin dhe regjisorin e filmit Taulant Skëndaj realizimi nuk ka qenë një rrugë e thjeshtë. I rritur si adhurues i Federico Fellinit, pasioni për kinemanë e bëri që të mos dorëzohet edhe kur kishte dyshime nëse mund ta çonte filmin deri në fund.