Emisioni i plotë ‘Rreze Dielli’, 27 Maj 2026 – Receta / Trupi ‘flet’ para sëmundjeve, shenjat që s’duhen neglizhuar / Qershitë, jo vetëm frut

27 Maj, 16:59 | Përditesimi: 27 Maj, 16:59

Zonja Albana solli tre receta të shpejta dhe plot shije në “Rreze Dielli”. Recetat e përzgjedhura për ditën e sotme ishin: Çorbë me të brendshme qengji dhe perime / Sallatë me panxhar dhe lakër të kuqe / Hallvë me miell misri.

Shpesh trupi ynë flet shumë përpara se një sëmundje të diagnostikohet. Një lodhje që zgjat, pagjumësia, ndryshimet e humorit, djersitja natën, rrahjet e forta të zemrës apo edhe dëshirat e papritura për ushqime të caktuara, janë sinjale që ne i konsiderojmë normale, stres apo thjesht kalimtare. Por në shumë raste, ato janë mënyra se si organizmi përpiqet të na paralajmërojë se diçka nuk po shkon siç duhet. Në ritmin e shpejtë të jetës moderne, njerëzit po humbin gjithnjë e më shumë aftësinë për të dëgjuar trupin e tyre. Ne mësohemi të heshtim simptomat me kafe, ilaçe, stres apo mungesë kohe, pa kuptuar se trupi nuk gabon kurrë kur jep sinjale. Por a i jep trupi të njëjtat shenja tek gratë dhe burrat për të njëjtën sëmundje? Pse disa simptoma shfaqen vetëm gjatë natës? Dhe cilat janë ato shenja të çuditshme e të nënvlerësuara që mund të lidhen me probleme hormonale, mungesa vitaminash, inflamacion apo edhe sëmundje më serioze? Për të folur më shumë mbi këtë temë kaq të rëndësishme për shëndetin dhe ndërgjegjësimin tonë, flasim në “Rreze Dielli” me nutricionistin Altin Joka, ekspert i mjekësisë holistike, me të cilin do të kuptojmë më mirë gjuhën që përdor trupi për të na paralajmëruar.

Qershitë nuk janë vetëm një nga frutat më të dashura të verës, por edhe një ‘ilaç’ natyral që natyra na e sjell pikërisht në momentin kur organizmi ka më shumë nevojë për energji, pastrim dhe rigjenerim. Muaji qershor konsiderohet edhe muaji i qershive, dhe përtej shijes së tyre të ëmbël, këto fruta të vogla fshehin vlera të jashtëzakonshme ushqyese dhe kuruese. Të pasura me antioksidantë, vitamina dhe minerale, qershitë ndihmojnë në luftimin e inflamacionit, përmirësimin e gjumit, pastrimin e organizmit dhe mbrojtjen e zemrës. Por a janë të dobishme për të gjithë? Sa qershi duhet të konsumojmë në ditë? Dhe cilat janë gabimet që bëjmë më shpesh në konsumimin e tyre? Për të folur më shumë mbi përfitimet e qershive dhe ndikimin që ato kanë në shëndetin tonë, flasim me nutricionistin Altin Joka, me të cilin do të zbulojmë pse ky frut konsiderohet një superushqim natyral i stinës.

MC/Shqiptarja.com