‘I dashur ditar…’, a e ka zbehur teknologjia mbajtjen e ditarit? Çfarë përfitimesh kemi nga mbajtja e një ditari dhe cilat mosha janë më të predispozuara të mbajnë ditar?
“I dashur ditar po kthehem sërisht tek ti, miku im i vjetër. E di që ka kaluar shumë kohë që kur të kam shkruar për herë të fundit. Kam qenë shumë e zënë me mësime...” Me këto fraza niste ditari dikur. Në fëmijërinë tonë, pothuajse të gjithë mbanin ditar. Çdo fëmijë dikur kishte fletoren me një bravë të dashur dhe mbishkrimin "Personal!". Të gjitha sekretet dhe të gjitha përvojat regjistroheshin aty, lotët për dashurinë e pashpërblyer, gëzimet nga një shikim kalimtar dhe ankesa të vazhdueshme për keqkuptimin nga prindërit. Fëmijët u rritën dhe gradualisht i transferuan zakonet e tyre për të përshkruar jetën dhe mendimet tashmë në IPad. Dikur kemi shkruar ditarët ekskluzivisht për veten tonë, për t'i rilexuar dhe kujtuar ato ndjenja, për të kuptuar dhe gjetur shkaqet e së tashmes në të kaluarën, por në fakt, mbajtja e një ditari të mbyllur vetëm për veten mund t'ju ndihmojë shumë kur merrni vendime të rëndësishme. Oscar Wilde, si një mendje e ndritur me opinione dhe pasione të forta, shkruante: "Unë nuk udhëtoj asnjëherë pa ditarin tim. Duhet të kesh gjithmonë diçka fantastike për të lexuar në tren”.
Po çfarë mendojnë të ftuarat në “Rreze Dielli”, shkrimtarja Helena Halilaj dhe dy psikologet Qerime Daçi dhe Manjola Daçi Koka.