Lakër e furrës me oriz nga zonja Albana

22 Tetor, 11:23

Lakër e furrës me oriz

Përbërësit:

  • 1 lakër mesatare
  • 2 qepë
  • 2 thelpinj hudhër
  • 2 lugë vaj ulliri
  • 250 gr oriz
  • 500 gr domate të pjekura të grira
  • 250 gr djathë i grirë kaçkavall
  • 20 gr gjalpë
  • Beshamel
  • Kripë, piper

Përgatitja:

Pastrojmë lakrën, heqim gjethet e jashtme dhe koçanin, e ndajmë përgjysmë dhe e presim në shirita. Më pas e përvëlojmë në ujë të vluar me kripë, e kullojmë mirë dhe e thajmë me një pecetë. Në një tenxhere të gjerë kaurdisim në vaj përzierjen hudhër e qepë. Shtojmë orizin e parazier, hedhim kripë, piper dhe e përziejmë për 2 minuta. Shtojmë më pas domatet dhe e lëmë të ziejë për 15 minuta. Ndërkohë përgatisim beshamelin duke kaurdisur pak miell me gjalpë dhe më pas e shuajmë me qumësht. Shtojmë tek beshameli gjysmën e sasisë së djathit të grirë dhe e përziejmë. Vendosim në tavë duke alternuar shtresa lakre me shtresa orizi me domate, derisa të mbarojnë. E mbulojmë me beshamel, spërkatim sipërfaqen me djathin e mbetur dhe e vendosim të piqet në furrë të nxehtë në 180°C.