Lakër me oriz dhe mish pule në furrë nga zonja Albana

16 Janar, 11:10

Lakër me oriz dhe mish pule në furrë

Përbërësit:

  • 1 kg mish pule
  • 500 gr lakër të bardhë
  • 200 gr oriz
  • 1 qepë mesatare
  • 2 karota
  • 2-3 domate / 2 lgj salcë domate
  • 2-3 lugë gjelle vaj ulliri
  • 600-700 ml ujë ose lëng pule
  • 1 lç spec i kuq pluhur
  • Kripë, piper i zi

Përgatitja:

Lajmë mirë mishin e pulës dhe e skuqim lehtë në një tigan me pak vaj derisa të marrë një ngjyrë të artë. E largojmë nga tigani dhe në po atë yndyrë kaurdisim qepën derisa të bëhet transparente. Shtojmë karotat, lakrën dhe pak kripë. Vijojmë kaurdisjen për disa minuta derisa lakra të zbutet pak. Shtojmë orizin dhe e  përziejmë mirë, më pas shtojmë specin e kuq pluhur, domatet ose salcën e domates dhe vazhdojmë trazimin për 2-3 minuta. Vendosim përzierjen e lakrës dhe orizit në një tavë të lyer me pak vaj. Sipër vendosim pjesët e mishit të skuqur. Hedhim ujë ose lëng pule të nxehtë (rreth 600-700 ml), derisa të mbulohen mirë përbërësit. Mbulojmë tavën me një letër alumini dhe e vendosim në furrë të parangrohur në 180°C për rreth 40 minuta. Në fund heqim letrën e aluminit dhe e lëmë tavën të piqet për 15-20 minuta të tjera, derisa të avullohet uji dhe sipërfaqja të marrë një ngjyrë të artë.